Skeda28 Jun 2020

Skeda e pasurisë së deklaruar –Valdete Hoxha –Gjykata e Apelit Tiranë

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha do të përballet të hënën me vetingun. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha do të përballet të hënën më 29 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo.

Valdete Hoxha e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe Gjykatën Ushtarake të Apelit Tiranë. Ajo punon si gjyqtare e Apelit të Tiranës që prej shkrirjes së gjykatës ushtarake në vitin 2009.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Valdete Hoxha nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së gjyqtares së Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha për vitet 2003-2017.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Hoxha  zotëronte pasuri familjare me vlerë 1.2 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 17.3 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare përbëhet nga 11.1 milionë lekë likujditete bankare, kursime të akumuluara në cash prej 1.3 milionë lekësh, një automjet me vlerë 1.9 milionë lekë si dhe një apartament i blerë në vitin 2007 për 2 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 40.5 milionë lekë. Paga nga funksioni i gjyqtares zë 44% të të ardhurave familjare, ndërsa pagat e familjarëve janë rreth 52%. Familja Hoxha deklaron gjithashtu të ardhura të vogla nga dhuratat në cash.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të Znj. Valdete Hoxha rezultoi pa probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” blerjen e një apartamenti në Tiranë si dhe shpenzimet e paplota për shkollimin e fëmijëve në Kanada.

Më konkretisht, gjyqtarja Hoxha deklaron blerjen e një apartamenti në Tiranë për 2 milionë lekë në vitin 2007. Apartamenti është 63m2 parafabrikat, si dhe ka një shtesë pa leje prej 62m2, e cila në vitin e blerjes ka qenë e paregjistruar. Në vitet në vazhdim nuk ka të dhëna nëse janë kryer procedurat për legalizim, ndërkohë që edhe vlera e blerjes së pronës duket relativisht e ulët krahasuar me çmimet e periudhës.

Gjithashtu, në analizën e kontrollit aritmetik/logjik mungojnë të dhënat e plota për shpenzimet e shkollimit të dy fëmijëve në Kanada, të tilla si kostot e jetesës apo udhëtimet. Subjekti ka deklaruar një kredi bankare si dhe bursat si shpenzime për shkollimin e fëmijëve, por të dhënat janë të pamjaftueshme për një analizë të plotë financiare për periudhën kur fëmijët kanë qenë studentë.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al