Të zemëruar për tarifat e studimit, një grup studentësh nga Lëvizja për Universitetin ndërprenë të hënën një takim të kryeministrit Rama me studentët e vitit të parë për të kërkuar ulje të tarifave të studimit.
Një grup studentësh aktivistë nga Lëvizja Për Universitetin ndërprenë për pak çaste të hënën fjalën e kryeministrit Edi Rama në shenjë proteste për të kundërshtuar tarifat e universitetit në Shqipëri.
Në një video të publikuar nga Lëvizja, shfaqen një grup aktivistësh teksa përpiqen të shpalosin një banderolë ku shkruhej “Boll i zhvatët studentët” dhe dëgjohen thirrjet “arsim publik falas” dhe “mos më prek” ndërsa disa truproja i nxjerrin protestuesit nga salla me forcë.
Të pyetur nga BIRN, studentët protestues thanë se aksioni i tyre kishte si qëllim të ekspozonte “spektaklin e qeverisë me arsimin” dhe të tërhiqte vëmendjen për gjendjen e vërtetë të universitetit sot.
“Tarifat e studimit në Shqipëri janë më të larta se në 25 vende të Bashkimit Europian,” thanë aktivistët për BIRN.
“Gjendja në universitet është për të ardhur keq. Kjo vjen si pasojë e reformës së Arsimit të Lartë, e cila nuk e ka ndihmuar aspak atë veç sa e ka shkatërruar,” shtuan ata duke theksuar se kërkojnë rritje të financimeve qeveritare për arsimin e lartë dhe ulje të tarifave të studimeve.
I mbledhur me studentët e vitit të parë, profesorë dhe dekanë të universitetit për të prezantuar heqjen e tarifës së studimit për ata që kanë zgjedhur degët e mësuesisë dhe dhënien e një burse prej 1000 dollarësh, kryeministri Rama e kaloi me ironi ngjarjen.
“Me siguri ngelëse, po s’ka rëndësi janë shfaqje të kudondodhura në botën e internetit. Ajo që po thosha është se…” vazhdoi Rama fjalimin e tij, ndërsa nga salla u dëgjuan të qeshurat e pjesëmarrësve.
Aktivistët i thanë BIRN se një prej tyre u shoqërua nga policia dhe iu kërkua të fshinte videot e xhiruara në sallë dhe më pas u la i lirë.
Lëvizja Për Universitetin është një grupim studentësh aktivistë të cilët përgjatë katër viteve të fundit kanë protestuar për të kërkuar arsim publik falas dhe kanë kundërshtuar reformën e arsimit të lartë si favorizuese ndaj universiteteve private në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.
Studentët paralajmëruan protesta të mëtejshme kundër tarifave në universitet.