Reportazh10 Jan 2019

Studentët protestues të Shqipërisë që mposhtën frikën

Lëvizja protestuese në Shqipëri nuk i ka arritur të gjitha qëllimet e saj, por ata që marrin pjesë në të thonë se ajo ka ringjallur besimin në aftësinë e tyre për një ndryshim të vërtetë.

Autor: Eraldin Fazliu BIRN
Printo

 

Më shumë se një muaj pas fillimit të protestave në Tiranë, studentët vqazhdojnë të dalin në rrugë për të protestuar. Foto: oto: Eraldin Fazliu.

“Ju jeni milionerë, me vila e makina. Nuk do të paguaj më për ju, as unë dhe as familja ime!”

Kjo thirrje, që është bërë sinonim i protestave të studentëve në Shqipëri, jehoi të dielën e kaluar në Tiranë, vetëm disa qindra metra larg sheshit kryesor “Skëndërbej”.

Aktivistët e “Lëvizja për Universitetin” dukej se po testonin zërat e tyre për protestën e parë të 2019-tës, që do mbahej të nesërmen.

Brenda qendra sociale “Logu” po gumëzhinte nga studentët që dukeshin në humor të mirë, ndërsa shtëpia dykatëshe ishte e mbushur me banderola dhe materiale të tjera për protestën.

Bislim Lakna mund të dallohej lehtë që është nga Kosova, falë dialektit të tij gegë.

Një nga aktivistët e devotshëm të Lëvizjes për Universitetin, ai ka protestuar për më shumë se një muaj, duke kërkuar kushte më të mira në arsimin e lartë në Shqipëri.

I lindur në qytetin e Gjilanit, ai është student i Arkitekturës në Universitetin e Tiranës. Por, së fundmi, i gjithë angazhimi, koha dhe energjia e tij është përkushtuar në përpjekjen për të anuluar Ligjin mbi Arsimin e Lartë në Shqipëri.

Studentë të organizatave të ndryshme po mblidhen rregullisht në Tiranë dhe në qytete të tjera për të protestuar kundër padrejtësive sociale dhe në veçanti për kushtet e mjerueshme të studentëve.

Ndër kërkesa të shumta, ata duan ulje të tarifave, rritje të buxhetit shtetëror për universitetet publike dhe më pak mbështetje shtetërore për universitetet private.

Për këto kërkesa, ata kanë dalë të protestojnë në rrugë që prej dhjetorit të kaluar.

Studenti 25-vjeçar i arkitekturës Bislim Lakna duke iu drejtuar studentëve. Foto: Durim Pruthi.

“Edhe nëse nuk do të ketë më protesta, efekti i protestave të dhjetorit ka me u vërejtë tash e tutje,” tha Lakna për Prishtina Insight, me një ndjenjë krenarie.

Për Laknën, vendimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama për të riformatuar kabinetin qeveritarë në fund të dhjetorit, kur Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe disa ministra të tjerë u shkarkuan nga detyra, nuk është masë e mjaftueshme.

“Ai nuk mundet vetëm të shkarkojë Nikollën,” tha Lakna, duke shtuar se suksesi i vërtetë do të ishte “të largohej gjithashtu edhe Rama”.

Lakna me kolegët e tij janë të vendosur të shohin edhe rrëzimin e Ligjit për Arsimin e lartë. “Kjo është beteja më e madhe politike që Rama ka pas ndonjëherë,” argumenton Lakna.

Kryeministri shqiptar fillimisht refuzoi të plotësojë ndonjë nga kërkesat e studentëve, duke i quajtur studentët protestues “ngelësa”.

Megjithatë, një muaj më pas, Rama duket më pak arrogant.

I zënë në frikë se protesta mund të zgjerohet në gjithë vendin, ai ndryshoi taktikë dhe filloi të bënte thirrje për dialog.

Vendimi i qeverisë për tarifa shtesë për provimet e përsëritura u tërhoq. Rama po ashtu lajmëroi se do të ulte tarifat për studimet e nivelit Bachelor.

Megjithatë, studentët mbeten të pakënaqur dhe kërkesa për të shfuqizuar Ligjin mbi Arsimin e Lartë që hyri në fuqi në qershor të 2015-tës, tani mbetet qëllimi kryesor i tyre.

Por nuk janë vetëm studentët që janë mosbesues ndaj qëllimeve të Ramës dhe përgjigjeve të tij ndaj krizës së fundit.

Ervin Goci, lektor në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit, protestoi gjithashtu këtë të hënë përballë Kryeministrisë.

Ervin Goci, pedagog në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Foto: Eraldin Fazliu.

Ai tha se vendimi për të përgjysmuar tarifat për studimet Bachelor mbetej “absolutisht i paqartë”.

”Si mund të përgjysmohen tarifat e studentëve pa e rritur buxhetin për arsimin e lartë?” pyet ai retorikisht.

“Studentët kontribuojnë më shumë se shteti,” shton ai, duke akuzuar qeverinë se ka braktisur arsimin e lartë.

Goci i ka përkrahur kërkesat e studentëve dhe ka ngritur vazhdimisht zërin kundër Ligjit mbi Arsimin e Lartë që kur ai u miratua në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai është njëri nga 50 pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale që ka nënshkruar deklaratën e solidaritetit në mbështetje të kërkesave të studentëve.

Për të, të qenit pedagog në Shqipëri është një përgjegjësi shoqërore shtesë që tejkalon detyrat e të qenit thjesht një akademik.

“Nga pedagog, ne detyrimisht kthehemi edhe në aktivistë e njerëz që luftojnë për kauza tjera,” thotë ai.

Protestat e studentëve janë përkrahur jo vetëm nga anëtarët aktiv në jetën akademike.

Anita Lushi nuk është më studente, por e përkrah fuqimisht rrëzimin e Ligjit mbi Arsimin e Lartë, për të cilin ajo ka protestuar disa herë që nga viti 2015, që kur ligji u miratua, me aktivistët e Lëvizjes për Universitetin.

Anita Lushi vazhdon të protestojë, pavarësisht faktit se nuk është një studente aktive dhe mbetet e papunë. Foto: Vincent Selamaj.

Ndonëse e papunë, protesta i dha asaj shumë vullnet për të dalë në rrugë. “Nuk e ekzagjeroj nëse them se kjo është nga gjërat më të bukura që më ka ndodhur në jetë,” tha ajo për Prishtina Insight.

Ngazëllimi i Lushit nuk një rast i izoluar. Tranzicioni i Shqipërisë në demokraci nuk ka parë shumë protesta të tilla.

Erdi Berxulli, i cili po mbaron studimet e tij master për gazetari në Tiranë ndërkohë që punon edhe si gazetar në një nga portalet shqiptare, këmbëngul se fryma jo e dhunshme e protestave nga studentët tashmë ka arritur rezultate të mahnitshme.

“Protesta ishte më paqësorja që është organizuar ndonjëherë në Shqipëri. Pa dhunë dhe vandalizëm, por vetëm me pankarta, fjalë dhe ndonjëherë edhe me heshtje. Ne kemi arritur të rrëzojmë gjysmën e qeverisë,” thotë Berxulli i ngazëllyer, duke iu referuar ndryshimeve që pësoi qeveria në dhjetor.

“Vëllai im tani është në gjimnaz, por kur ai të vijë vitin tjetër për të studiuar në Tiranë, tarifat e tij do të jenë përgjysmuar. Kjo është një arritje e përbashkët e gjithë neve,” thotë ai.

Erdi Berxulli, gazetar dhe student masteri duke protestuar në Fakultetin e Shkencave Sociale. Foto: Daniel Mucaku.

Sfida e tij kryesore së fundmi ka qenë përshtatja e orarit të punës në mënyrë që të marrë pjesë në protestë.

“Në këto protesta, si asnjëherë më parë, studentët kanë triumfuar ndaj frikës,” tha ai për Prishtina Insight.

“Me asnjë lloj intimidimi, frike apo kërcënimi, aparati shtetëror nuk ka arritur ta ndalë ëndrrën tonë për një Shqipëri më të mirë,” vazhdoi ai.

Viosana Kokla, e cila vazhdon studimet për arkitekturë në Universitetin e Tiranës, thotë se protestat “i kanë mbushur sytë me lot”.

“Kur pashë që të gjithë ishin ngritur në këmbë… E kisha ëndërruar gjithmonë këtë,” tha Kokla për Prishtina Insight.

Kokla nuk është pjesë e ndonjë organizate studentore, por u bë e njohur për përballjen e saj të guximshme me kryeministrin Rama, gjatë një debati në Universitetin Politeknik të Tiranës në lidhje me krizën e studentëve.

Përfundimisht, Kokla e braktisi sallën, duke e akuzua kryeministrin Rama se po mbante një monolog.

“Rama duhet të plotësojë kërkesat tona dhe jo të vazhdojë me propagandë,” thotë ajo. “Ne nuk duam më propagandë. Duam që kërkesat tona të përmbushen në tërësi.”

Ligji për arsimin shihet si favorizues i sektorit privat

Ligji në fuqi për arsimin, me pak amendamente shtesë, u hartua në vitin 2008 nga qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike, PD, dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI.

Megjithatë, ligji u miratua vetëm në vitin 2015, nën koalicionin e qeverisë socialiste të Ramës dhe LSI-së.

Për Gocin, protestat e studentëve ilustrojnë problematikat e tjera të shoqërisë shqiptare të akumuluara që kur vendi kaloi në demokraci nga regjimi i egër i Enver Hoxhës.

“Ne po përballemi me një dramë sociale që ka shpërthyer, që për mua, e gjithë kjo i ka rrënjët në korrupsion dhe vendime arbitrare që merren nga qeveria dhe që ndan buxhetin me një stil totalitar sektorit privat dhe oligarkëve,” thotë Goci.

Lakna mbështet këto pohime, duke e quajtur hipokrit faktin që një parti e vetëquajtur Socialiste nxit politika komplet neo-liberale në sektorin e arsimit.

“Përmes këtyre reformave në arsimin e lartë, Rama ka dëshmuar ideologjinë e tij neo-liberale dhe partneritetin me biznesin e madh dhe oligarkët,” argumenton ai.

Një nga arsyet se pse studentët e kundërshtojnë me ngulm ligjin mbi arsimin është pikërisht përparësia që i jep ligji sektorit privat.

Kjo sepse si institucionet private të arsimit ashtu edhe studentët që studiojnë në to të mund të përfitojnë nga paraja publike.

Ndërkohë që paraja e shtetit shpenzohet për sektorin privat, kushtet e përgjithshme në universitetet publike mbeten të mjerueshme.

Gjendja e zymtë e konvikteve, mungesa e bibliotekave dhe hapësirave për të studiuar e socializuar kanë qenë përherë problem.

“Ne duhet të qëndrojmë nëpër kafene sepse në hapësirat universitare nuk kemi as rrjet WiFi,” tha Kokla.

Joana Meraja, një studente e psikologjisë, pajtohet me këtë, duke shpjeguar se mungesa e kartës së studentit tregon që të qenit student nuk ka asnjë avantazh në Shqipëri.

Joana Merja, studentja 21-vjeçare e psikologjisë, duke protestuar para zyrës së kryeministrit. Foto: Ivana Dervishi.

“Përveç tarifave të larta, studentët nuk kanë jetë sociale. Ne nuk kemi asnjë ulje për të shkuar në kinema apo teatër. Nuk ka hapësira të hapura për ne, përveç kafeneve, ku ne të mund të diskutojmë me kolegët tanë,” thotë Meraja.

Ndërkohë që shteti alokon para për sektorin privat të arsimit, tarifat e studimit në sektorin publik janë më të lartat në rajon.

Studimet master në Shqipëri kushtojnë nga 1,500 deri në 2,000 euro. Në Kosovë, tarifa e studimeve master në Universitetin e Prishtinës është 600 euro.

Në një nga pankartat në protestën e ditës së hënë shkruhej: “Ulni tarifat për studimet master!”.

Kokla tha se motra e saj nuk mundi të vazhdonte studimet master për shkak të tarifës së lartë.

“Motra ime nuk mundi t’i vazhdonte studimet e saj master për shkak të tarifave të larta,” pohoi ajo.

Protesta marrin një karakter më të gjerë emancipues

Studentët protestojnë në Tiranë për të kërkuar ulje të tarifave të studimit. 22 nëntor 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Tarifa e lartë dhe kushtet e rënda në sistemin arsimor të Shqipërisë kanë sjellë vajzat në krye të protestës. Sipas Merajës, protesta për vajzat është një “luftë e dyfishtë”.

“Ne kemi një shoqëri patriarkale në të cilën gratë janë të shtypura jashtëzakonisht shumë dhe kur shton edhe tarifat e larta të studimit, gratë shndërrohen në viktimat më të mëdha të këtij ligji,” tha Meraja.

Ajo vjen nga Mamurrasi, një qytezë e vogël në veriperëndim të Shqipërisë. “Vajzat nga qyteti im kanë vetëm tre mundësi: të punojnë me rroga qesharake, të rrinë në shtëpi si shërbëtore ose të presin që babai t’u gjejë ndonjë burrë për t’i martuar,” thotë ajo.

Gjendja e vështirë e grave në Shqipëri ka frymëzuar gjithashtu Anita Lushin të marrë pjesë në protesta. “Tarifat e larta të arsimit prekin më shumë vajzat, sepse nëse tarifat rriten, në një familje me dy fëmijë, me një djalë dhe një vajzë, djali gjithnjë do të ketë avantazh për të vijuar studimet,” thotë ajo.

Varfëria, padrejtësitë sociale dhe norma e madhe e papunësisë kanë nxitur shumë shqiptarë të emigrojnë për të kërkuar të ardhme më të mirë gjetkë në Europë.

“Shqipëria ka para, por ato para nuk vijnë kurrë tek ne. Ka rritje ekonomike, por njerëzit nuk marrin kurrë asgjë,” ankohet Ervin Goci.

Sipas një studimi nga Universiteti i Saseksit, Angli, dhe hulumtuesi shqiptar Ilir Gedeshi, norma e emigrimit nga Shqipëria u rrit nga 44 për qind që ishte në vitin 2007, në 52 për qind në vitin 2018.

Për Gocin, gjendja e përgjithshme politike e ekonomike duhet të ndryshojë sepse vendi tashmë është në një udhëkryq.

“Nëse situata nuk ndryshon, shteti mund të bjerë dhe do të shohim akoma më shumë njerëz që largohen nga vendi; 300,000 janë larguar tashmë gjatë pesë viteve të fundit,” tha ai.

Por zhvillimet e fundit kane ngjallur entuziazmin për të kërkuar me më shumë ngulm ndryshim, një luftë të re kundër padrejtësive sociale dhe një përmirësim të jetesës.

“Që tani e tutje, kur të shkojmë në universitet për të folur për kushtet, ata nuk mund të thonë thjesht ‘Jo, kjo nuk është e mundur’. Kemi dhënë një shembull që studentët mund të ndërtojnë një Shqipëri më të mirë,” përfundoi Lakna.