Lajm6 Dec 2018

Studentët shqiptarë ngrihen kundër tarifës së universiteteve

Mijëra studentë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë u ngritën të enjten në protesta masive kundër tarifave të universiteteve publike, të frymëzuar nga protesta e nisura të martën në Tiranë.

Autor: Anila Dushi, Bardha Nergjoni, Dhorjela Çule, Jerola Ziaj, Geri Emiri, Ivana Dervishi BIRN Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Durrës
Printo

Mijëra studentë protestojnë para ministrisë së Arsimit kundër tarifës së provimeve të mbartura. 6 dhjetor 2018. Foto: Loreta Cuka via BIRN

Mijëra studentë të Universitetit të Tiranës u derdhën rrugëve të enjten duke kërkuar heqje të një tarife të vendosur nga Këshilli i Ministrave për provimet e mbartura. Studentët nga fakultete të ndryshme të UT u bashkuan përpara ministrisë së Arsimit, ku qëndruan për disa orë.

Me thirrjet “hiqni tarifën”, “arsim publik falas” dhe “nuk jemi ngelës” – studentët hodhën pankarta të shumta që kritikonin tarifën shtesë si një barrë mbi përpjekjet e tyre për të arritur rezultate më të mira në shkollë.

Protestuesit hodhën gjithashtu vezë ndaj fasadës së ministrisë së Arsimit, ku forca të shumta policie ishin të pranishëm.

Studentëve të kryeqytetit u dolën në krah edhe qindra studentë të Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës.

Për 4 orë studentët e Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës protestuan duke u nisur nga fakultetet përkatëse dhe u bashkuan në Bulevardin “Republika” , për të marshuar para rektoratit të universitetit. Me pankarta në duar aktivistët treguan solidaritet me studentët e kryeqytetit ndërsa e konsideruan VKM e 5 maj 2018 një vendim që synon zhvatjen e studentëve. Një pjesë e studentëve thanë se tarifat në Korçë ishin më të ulëtat në vend, por po solidarizoheshin me moshatarët e tyre në Tiranë.

Megjithatë student të tjera thanë se ndjeheshin po aq të penalizuar. “Kam 9 provime të mbartura sepse përveç shkollës më duhet edhe të punoj. Shpenzimet janë të mëdha për mua dhe nuk i përballoja dot. Kjo më ka ndikuar edhe në studime, jam detyruar t’i le provimet për në vjeshtë. Është absurd një vendim i tillë”- u shpreh një studente e infermierisë.

Studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” iu bashkuan protestës rreth orës 09.00 të mëngjesit të se enjtes. Fillimisht ishin rreth 30 studentë nga Fakulteti i Shkencave Humane, të cilëve iu bashkuan disa qindra të tjerë në sheshin para universitetit.

Zv.rektori i këtij universiteti Peçi Naqellari takoi një përfaqësi të studentëve për të negociuar që mësimi të mos bojkotohej,  por studentët nuk pranuan të riktheheshin në auditore.  Ndërkohë studentët protestuan edhe para dyerve të fakulteteve të Ekonomisë e Infermierisë, të cilët nuk i lejuan studentët të dilnin në protestë.  Të irrituar disa studentë goditën me vezë derën kryesore të Fakultetit të Ekonomisë.

Protesta u zhvilluan edhe nga studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, të cilët u mblodhën përpara kampusit në Spitallë, duke ju bashkuar kërkesave të studentëve në Tiranë. Protesta nisi në orën 11 me studentët e Fakultetit të Shkencave Juridiko-Politike dhe për një orë iu bashkuan edhe studentë nga fakultetet e tjera.

Ashtu si në Tiranë, studentët kërkuan përgjysmimin e tarifave të universiteteve, heqjen e tarifave shtesë dhe anulimin e VKM-së për provimet përsëritëse, përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës së universiteteve si dhe përmirësimin e kushteve nëpër konvikte. Protestës së rreth 150 studentëve ju bashkuan edhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave Juridiko-Politike. Studentët e Durrësit kërkuan edhe uljen e çmimit të librave dhe të abonesë së transportit. Universiteti gjendet rreth 7 kilometra larg qendrës së qytetit. Pas deklaratave në oborrin e universitetit studentët u futën në korridore dhe auditore duke brohoritur, me dritat e celularit ndezur dhe duke mbajtur banderola në duar.

Në Shkodër qindra student të Universitetit “Luigj Gurakuqi” protestuan në mesditë fillimisht para rektoratit kundër tarifave, ndërsa më pas edhe pranë Fakultetit të Infermierisë që s’lejoi studentët të dilnin në protestë. Studentët thanë se protesta ishte parashikuar në orën 9.30 të mëngjesit, por përplasjet në Këshillin Studentorë bënë që ajo të shtyhej në mesditë. Melisa Broci, studente e juridikut, i  tha BIRN se kishte dhënë dorëheqjen nga Këshilli Studentorë pas debateve me pjesë tjetër të Këshillit që kundërshtoi protestën. Ndërkohë një tjetër student tha se nuk frikësoheshin dhe nuk do të përçaheshin. “Askush nuk do mund të na frikësojë  dhe nuk do të tundohemi nga kleptokratët , dhe pse përpjekjet e përçarjes nuk kanë munguar”.

Një protestë e ngjashme u mbajt edhe në Vlorë, ku studentët iu bashkuan kërkesave të universiteteve të tjera për të ulur tarifat dhe për kushte më të mira. Protesta u organizuar para universitetit rreth orës 10 të paradites, ndërsa dhjetëra student iu bashkuan bashkëmoshatarëve që protestojnë në Tiranë prej tre ditësh. Protesta po ashtu u organizuan edhe në Universitetin Bujqësorë në Kamëz. I vetmi universitet ku nuk pati protesta ishte ai i Gjirokastrës.

Ministria tërhiqet

Rreth mesditës, ministrja e arsimit Lindita Nikolla doli në një konferencë për shtyp ku lajmëroi tërheqjen e VKM.

“Që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat për studentët përsëritës,” u shpreh Nikolla, gjatë fjalimit ku nënvijëzoi disa aspekte të buxhetit për arsimin dhe faktin që tarifat nuk janë rritur prej 2014.

Jashtë ministrisë, studentët protestues brohoritën të kënaqur vendimin e tërheqjes së tarifës, por u shprehën se ajo ishte vetëm një nga katër kërkesat e tyre.

Studentët kërkuan shfuqizimin e pikës 4 të VKM nr 288 për tarifë shtesë për provimet e mbartura. Ata gjithashtu kërkuan që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët. Përmirësimi i kushteve të konvikteve ishte një tjetër kërkesë e studentëve, si dhe përgjysmimi i tarifës së studimit.

Studentët e mbyllën protestën e tyre të të enjtes, duke deklaruar se do ta vazhdonin atë të nesërmen përpara kryeministrisë, të vendosur për plotësimin e të gjitha kushteve të tyre.

Mijëra studentë protestojnë para ministrisë së Arsimit kundër tarifës së provimeve të mbartura. 6 dhjetor 2018. Foto: Loreta Cuka via BIRN

Mijëra studentë protestojnë para ministrisë së Arsimit kundër tarifës së provimeve të mbartura. 6 dhjetor 2018. Foto: Loreta Cuka via BIRN

Mijëra studentë protestojnë para ministrisë së Arsimit kundër tarifës së provimeve të mbartura. 6 dhjetor 2018. Foto: Loreta Cuka via BIRN