Lajm20 Nov 2019

Sulmi ndaj policisë në Elbasan mbyllet me pafajësi për Suel Çelën

Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e Prokurorisë dhe e shpalli të pafajshëm Suel Çelën për goditjen me një makinë të blinduar të punonjësve të policisë në shtator 2017 në Elbasan. Gjykata deklaroi se ishte provuar që në makinë ndodhej vetëm Enea Bekteshi.  

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjykata e Krimeve te Renda ne Tirane. Foto: LSA

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të mërkurën t’i japë pafajësi Suel Çelës, i cili akuzohej nga Prokuroria për goditjen e dhunshme të punonjësve të policisë në Elbasan, gjatë një operacioni kundër personave me rrezikshmëri të lartë, e ndodhur në shtator 2017.

Sipas vendimit të gjykatës, në makinën e blinduar Audi” që përplasi makinat e policisë në Elbasan nuk ishte i dyshuari Suel Çela, por i pandehuri tjetër Enea Bekteshi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 6 vjet burg. Gjykata gjithashtu dënoi me 5 vite burg edhe Klement Xhaferrin për armëmbajtje pa leje dhe largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Në vendimin e shkurtuar të shpallur të mërkurën, Gjykata e Krimeve të Rënda arriti në përfundimin se Prokuroria nuk arriti të provojë se Çela kishte qenë në makinën e autorëve, në momentin e përplasjes me makinën e policisë. Ky konkluzion është bazuar në dëshminë e punonjësve të policisë, të cilët kanë deklaruar para gjykatës se në mjetin tip “Audi” ishte vetëm një person, ndërkohë që prania e Enea Bekteshit në makinën e blinduar u provua nga shenjat e gishtave që janë gjetur aty, një përgjim ambiental dhe vetë deklarimet e tij, duke e pranuar një gjë të tillë para gjykatës.

Procesi gjyqësor për ngjarjen e ndodhur në shtator 2017 në Elbasan zgjati 34 seanca, gjatë së cilave i pandehuri kryesor i Prokurorisë, Suel Çela qëndroi në arrati. Kjo dosje u transferua disa herë për kompetencë nga Prokuroria e Elbasanit tek Krimet e Rënda dhe anasjelltas, derisa Prokuroria e Përgjithshme vendosi që çështja të kalojë për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda u lexua nga kryesuesi i trupës, Klodian Kurushi, i cili sqaroi se Enea Bekteshi u dënua me 6 vjet burg për akuzën e “kundërshtimit të punonjësve të policisë” dhe pesë vjet të tjera për “prodhim dhe shitje narkotikësh”. Në bashkim të dënimeve, ai do të vuajë heqjen e lirisë për 6 vjet.

Sipas gjykatës, është provuar që në makinën tip “Audi” ka qenë i pandehuri Enea Bekteshi. Sipas rezultateve të hetimit gjyqësor, Bekteshi ka shoqëruar në aeroport vëllanë e Suel Çelës dhe kur është kthyer, ka marrë për xhiro makinën “Audi”.  Gjatë procesit gjyqësor, Bekteshi e ka pranuar autorësinë, ndërkohë që provat e tjera sipas gjykatës janë shenjat e gishtave dhe përgjimet ambientale.

Lidhur me Suel Çelën, Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte prova se ai kishte qenë në makinë. Gjykata konkludon se materiali biologjik i gjetur në një puro në makinën Audi vërteton faktin se i pandehuri e ka përdorur këtë makinë, por jo se në atë moment ka qenë në drejtim. Gjithashtu, katër nga punonjësit e policisë të pyetur në gjykatë, kanë thënë se në makinë kanë parë vetëm një person dhe një prej dëshmitarëve ka pohuar se ishte i sigurt që nuk ishte Sueli, pasi do ta kishte njohur.

Ndërsa Kelmend Xhaferri u shpall fajtor për “armëmbajtje pa leje”, akuzë për të cilën u dënua me 5 vite burg. Për akuzën “largim nga vendi i vuajtjes së dënimit” u dënua me 2 vite burg dhe në bashkim të dënimeve u vendos përfundimisht me 5 vite heqje lirie.

Hetimet ndaj Suel Çelës, Enea Bekteshit dhe Kelmend Xhaferrit nisën për veprën penale të “vrasjes së punonjësve të policisë, e mbetur në tentativë”, por gjatë konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ndryshoi këtë akuzë.

Prokurori Behar Dibra argumentoi se gjatë shqyrtimit nuk u gjet e provuar akuza e “vrasjes së punonjësit të policisë” e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, por u vërtetua se Suel Çela dhe Enea Bekteshi kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe i kanë goditur për shkak të detyrës. Ai kërkoi dënimin e Çelës me 7 vite burg dhe për Bekteshin e Xhaferrin nga 6 vite heqje lirie për secilin.

Në konkluzionet përfundimtare, prokurori Dibra këmbënguli se ishte provuar përmes dëshmive, materialeve filmike dhe ekspertimit biologjik se Suel Çela ishte në drejtimin e makinës dhe Enea Bekteshi ishte pasagjer, por Gjykata rrëzoi si të paprovuar qëndrimin e akuzës në rastin e Suel Çelës.

Mbrojtësit e të pandehurve, avokatët Sokol Hazizaj, Genc Gjokutaj dhe Eno Bushi kanë insistuar që në fillim të herës për pafajësinë e Suel Çelës dhe Enea Bekteshit. Edhe pse ky i fundit ka pranuar se ishte në mjetin “Audi” kur u përplas me makinën e policisë, avokatët mbrojtës kanë argumentuar se mjeti i policisë nuk kishte shenja dalluese.

Bazuar në videon e bërë publike dhe të përdorur si provë në gjykatë, avokatët pretenduan se ishte mjeti i përdorur nga punonjësit e policisë që kishte goditur “Audi” dhe jo e kundërta.