Analize18 Mar 2019

Ta rikthejmë Poloninë në Europë

Tridhjetë vjet më parë, polakët kapërcyen ndasitë e tyre të brendshme dhe refuzuan komunizmin dhe një nënshtrim ndaj Bashkimit Sovjetik. Sot, të gjendur përballë një qeverie populiste, ata duhet të qëndrojnë po aq të bashkuar sa ishin në vitin 1989 në kauzën e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Autor: Grzegorz Schetyna Project Syndicate Varshavë
Printo

Flamuri i Polonisë. Foto: Pixabay.

Thirrja e presidentit francez Emmanuel Macron për të reformuar Bashkimin Europian është një shenjë shprese për të gjithë kontinentin. Edhe pse kemi mosmarrëveshjet tona, ne jemi dakord kur bëhet fjalë për çështjet thelbësore. Macron ka të drejtë në lidhje me atë që Europa duhet të bëjë për të vazhduar të lulëzojë. Ne duhet ta ringjallim BE-në duke e bërë atë më demokratike, kohezive dhe të drejtë. Dhe ne duhet ta forcojmë Europën kundër armiqve që duan ta dobësojnë atë- domethënë, forcave të brendshme populiste dhe fuqive të huaja që i mbështesin ato.

Kur populistët marrin pushtetin, siç ka bërë partia në pushtet Ligj dhe Drejtësia (PiS) në Poloni, ata ëndërrojnë ta thellojnë ndasinë midis partive demokratike të opozitës. Por ne e kemi kapërcyer strategjinë e tyre cinike duke krijuar Koalicionin Europian të forcave të opozitës përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj. Kjo aleancë e re demokratike, të cilën unë  e drejtoj, është tashmë përpara në sondazhet e opinionit dhe është në rrugën e saj për të mposhtur PiS – fillimisht në maj dhe pastaj në zgjedhjet e përgjithshme të Polonisë këtë vjeshtë.

Të dy zgjedhjet janë vendimtare. Polonia ka nevojë për një qeveri të re që respekton sundimin e ligjit dhe luan një rol pozitiv në BE. Dhe Europa ka nevojë për një Poloni që, duke mbrojtur interesat e veta, gjithashtu lufton fuqishëm për vlerat demokratike që janë thelbësore për të ardhmen e BE-së.

Polonia i njeh kërcënimet – qëndrimet anti-europiane dhe sulmet ndaj sundimit të ligjit – që Macron i ka theksuar kaq mirë. Edhe pse polakët janë ndër njerëzit më pro-europianë në BE, Jaroslaë Kaczynski, kreu i PiS dhe kreu de facto i qeverisë polake, po helmon lidhjet tona me BE-në. Qeveria aktuale e ka margjinalizuar Poloninë deri në një masë të tillë brenda BE-së, sqë zëri i saj ka pak rëndësi. Kjo është arsyeja pse çdo politikan i ndjeshëm polak e sheh kthimin e vendit tonë në një pozitë të respektuar dhe aktive brenda strukturave europiane si një interes vital për sigurinë kombëtare.

Kjo nuk do të ndodhë nëse nuk e mundim PiS-in këtë vit. Nëse PiS fiton një mandat të dytë në pushtet, Kaczynski mund të administrojë dozat përfundimtare të helmit të tij ksenofob, duke nënshtruar tërësisht gjyqësorin dhe mediat e Polonisë sipas tekave të partisë së tij. A mund të mbetet në BE një vend pa një sistem gjyqësor të pavarur? Nuk e besoj.

Një qeveri e re polake e udhëhequr nga Koalicioni Europian do të kërkojë të marrë pjesë në iniciativat e Macronit për të reformuar BE-në. Ne jemi dakord me të se BE-ja mund të konkurrojë me fuqitë e tjera globale në mënyra që asnjë shtet i vetëm anëtar nuk mund ta bëjë. Ne gjithashtu pajtohemi që BE-ja duhet të forcojë kufijtë e saj të jashtëm, të mbrojë proceset demokratike nga manipulimet e jashtme dhe të investojë në kërkime dhe inovacione në një nivel të ngjashëm me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.

Për më tepër, shtetet anëtare individuale dhe BE-ja si tërësi duhet të fillojnë të koordinojnë politikat ekonomike, të mbrojtjes dhe të arsimit. Mangësitë tona aktuale në këtë fushë u japin aktorëve të huaj një avantazh dhe rrisin rrezikun që ata të marrin përsipër degët e mëtejshme të industrisë europiane.

Por nuk më bind sugjerimi Macronit se krijimi i agjencive të reja të BE-së është mënyra më e mirë për të trajtuar këto çështje. BE-ja tashmë ka më shumë se 30. Më shumë agjenci do të thotë më shumë burokraci – një rezultat që nuk ka gjasa të frymëzojë shumë entuziazëm për Europën. Një zgjidhje më e thjeshtë do të ishte forcimi i institucioneve ekzistuese të BE-së dhe garantimi që ata të marrin fonde të mjaftueshme.

Macron ka të drejtë që “progresi dhe liria do të thotë të mund të jetosh me punën tënde.” Por çdo përpjekje administrative për të barazuar kostot e punës së BE-së do të çonte në humbje të vendeve të punës në Poloni dhe vende të tjera në Europën Qendrore dhe do të zvogëlonte hyrjet e kapitalit që ndihmojnë për të rritur pagat dhe lejojnë rajonin të arrijë deri në vendet më të pasura. Prodhimi do të vazhdonte të linte vendet e BE-së që nuk janë mjaft konkurruese, por do të shkonte në pjesë të tjera të botës, jo në Europën Qendrore.

Megjithatë, Macron ka të drejtë që thekson rëndësinë e politikës europiane të mbrojtjes dhe sigurisë. Nëse fitojmë pushtet në Poloni, Koalicioni Evropian synon të nisë një debat strategjik midis liderëve të BE-së për të zhvilluar masa efikase institucionale dhe për të zgjeruar burimet e mbrojtjes të BE-së. BE-ja ka nevojë për një buxhet të fuqishëm të mbrojtjes dhe koordinimin e prodhimit brenda industrisë së mbrojtjes të Europës për të garantuar që ne të mund të realizojmë misionet që ndërmarrim.

Këtu BE-ja duhet të tregojë më shumë iniciativa lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm me NATO-n. Ajo duhet të synojë të ripohojë lidhjet transatlantike dhe të forcojë lidhjet operacionale midis aftësive ushtarake të dy organizatave. Çelësi i suksesit tonë të përbashkët është kapaciteti mbrojtës – transatlantik kudo që është e mundur dhe europiane kur është e nevojshme.

Nuk duhet të harrojmë as detyrën e rëndësishme të kompletimit të integrimit europian.

Le t’i mirëpresim vendet e Ballkanit Perëndimor kur ato të jenë gati. Dhe le të respektojmë aspiratat europiane të Ukrainës, e cila është me rëndësi të madhe strategjike për Poloninë dhe BE-në. Solidariteti europian duhet të arrijë deri në qytetet ukrainase – në të kundërt, Europa nuk do të jetë kurrë një tërësi e sigurt.

Tridhjetë vjet më parë, polakët mposhtën ndasitë e tyre të brendshme dhe refuzuan me forcë komunizmin dhe nënshtrimin ndaj Bashkimit Sovjetik. Kjo përfundimisht çoi në rënien e Murit të Berlinit dhe fundin e komunizmit në Europë. Sot, të gjendur përballë një qeverie populiste që dëshiron të na ndajë, ne duhet të mbetemi të bashkuar në kauzën e demokracisë dhe në refuzimin tonë për autoritarizmin e paligjshëm, siç ishim në vitin 1989.

Thirrja e Macronit për rinovim europian ka ardhur në kohën e duhur. Ne jemi të vendosur ta kthejmë Poloninë në vendin që i takon në Europën demokratike dhe jemi gati të ndërmarrim detyrën tonë të përbashkët për reformimin e BE-së.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Bringing Poland Back to Europe