Opinion12 Oct 2017

Taksimi i pronave sipas vlerës, një fushë plot gropa

Me këshillën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria po përpiqet të ecë drejt taksimit të pronave sipas vlerës. Është një çudi që në një vend ku shteti nuk ka ofruar tituj pronësie për pjesën më të madhe të pronave, i njëjti shtet të kërkojë zbatimin e një takse të tillë, e cila mbart kosto të larta shoqërore për disa grupe dhe duket se është tërësisht jashtë realitetit shqiptar për një pjesë të madhe të popullsisë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Tirana nga Lapidari fotografuar më 7 maj 2016. Qendra e Tiranës supozohet se do të ketë edhe taksën më të lartë të pronës në Shqipëri.

Qeveria shqiptare po kërkon aktualisht të lëvizë nga taksa minimale e pronës me një çmim fiks për metër katror që zbaton aktualisht, te një taksë prone në përqindje me vlerën e pronës në treg. Zyrtarë të ndryshëm të qeverisë thonë se do të fillojnë zbatimin e kësaj takse nga 1 janari i vitit të ardhshëm, duke nisur nga Tirana, por askush nuk ka thënë deri tani se sa do të jetë kjo taksë.

Shqetësimet për këtë taksë nisën në vitin 2014, kur qeveria kërkoi asistencë teknike nga FMN se si mund ta bëjë realitet atë. Shkaku kryesor për një nismë të tillë është që taksa ekzistuese mbi pronën pothuajse nuk mblidhet fare nga bashkitë, të cilat kanë të drejtën ta mbledhin, por kanë paaftësinë, dembelllëkun dhe neglizhencën tipike për ta mbledhur.

FMN dërgoi në vitin 2014 një grup ekspertësh të vet, të cilët vlerësuan situatën dhe hartuan një program pune se si mund të bëhet realitet krijimi i një sistemi që nga njëra anë do të përcaktonte taksim mbi pronën sipas vlerës së pronës dhe nga ana tjetër, do të lehtësonte arkëtimin e kësaj takse nga ana e bashkive. [link studimi i FMN]

Studimi i FMN zbuloi pak a shumë gjëra që ne shqiptarët i dimë, probleme për të cilat do të flasim më vonë.

Taksa më pro-rritje nga të gjitha taksat

Studime të shumta nëpër botë kanë zbuluar se taksat mbi pronat janë zakonisht taksat që ndihmojnë më shumë rritjen ekonomike se sa çdo lloj takse tjetër. Arsyeja është e thjeshtë. Nëse pronari i një toke, një dyqani apo një apartamenti detyrohet të paguajë taksë për posedimin e pronës, atëherë ai apo ajo ka një incentivë për ta vënë këtë pronë në shfrytëzim, bashkë me kapitalin fizik që kjo pronë mbart. E thënë ndryshe, nëse një qytetar ka nën pronësi një copë tokë në fshat, të cilën nuk e përdor sepse nuk ka interes, në çastin që mbi këtë tokë vendoset taksë, pronari do të gjejë një mënyrë që toka të vihet në shfrytëzim, në mënyrë që së paku taksa e tokës të mos rëndojë mbi xhepin e tij drejtpërsëdrejti. E njëjta gjë me dyqanet apo apartamentet. Në nivel kombëtar, nëse sistemi i taksimit të pronës funksionon, shfrytëzimi i pronës si aset prodhues përmirësohet dhe bashkë me të, rritet edhe ekonomia. Në mungesë të taksës së pronës, shtetasi mund ta gjejë me leverdi thjeshtë të mbajë tokën apo apartamentin të papërdorur në pritje të një blerësi apo qiramarrësi që nuk mbërrin kurrë. Shqipëria efektivisht mund të ketë nevojë për një taksë mbi asetet fizike të papërdorura. Aktualisht, një numër i konsiderueshëm apartamentesh dhe tokash në të gjithë vendin janë jashtë tregut për shkak se pronarët e tyre nuk kanë ndonjë ngut për t’i vënë në punë. Ky është një tregues veçanërisht akut për tregun e apartamenteve, ku mijëra të tillë qëndrojnë të mbyllur si një kapital fizik i vdekur, nën pronësinë e firmave të ndërtimit, të bankave apo të individëve. Një taksë mbi to mund t’i nxisë pronarët që t’i nxjerrin në shitje përkundrejt çmimit që tregu është në gjendje të ofrojë.

E njëjta logjikë qëndron pas taksimit më të lartë të shtëpisë së dytë në krahasim me shtëpinë e parë. Duke detyruar pronarët të paguajnë taksë më të lartë për një shtëpi të dytë, ata detyrohen të vënë në punë pronën shtesë. (Gjithsesi, ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi se taksimi më i lartë për shtëpinë e dytë nuk do të zbatohet në Shqipëri).

Por kjo është teori. Realiteti shqiptar është krejt i ndryshëm.

Taksë po, shërbim shtetëror jo

Problemi i parë për vendosjen e një takse të tillë, problem që u vu re edhe nga ekspertët e FMN, është që një pjesë shumë e madhe e pronave në Shqipëri janë të paregjistruara. Shtëpi të vjetra nëpër fshatra apo nëpër qytete, në veçanti jashtë Tiranës, nuk janë regjistruar kurrë. Kur pronarët kanë interes ta shesin pronën e tyre, ata heqin të zitë e ullirit dhe shpesh paguajnë rryshfete të majme për të marrë titullin e pronësisë. Edhe nëpër qytetet e ndërtuara me shumicë gjatë dy dekadave të fundit, si Tirana, Durrësi apo Vlora, probleme të ndryshme, nga konfliktet e pronësisë te ndërtimet jashtë lejeve të ndërtimit apo thjeshtë mungesa e vullnetit të pronarëve kanë bërë që shumë apartamente të mos jenë pajisur me cerfitikatat e pronësisë. Pronat e paregjistruara vështirë se mund të taksohen dhe në këtë pikë, logjika pas taksës së pronës si nxitëse e përdorimit të pronës dhe rritjes ekonomike dështon në thelb. Dhe nëse qeveria vendos në ndonjë farë mënyre të taksojë edhe pronat për të cilat nuk ka prodhuar ende titullin final të pronësisë, taksimi kthehet në një barrë të palogjikshme mbi një pronë të cilën i zoti as nuk e shet dot dhe sërish duhet të paguajë taksë.

I njëjti problem është me një sasi të konsiderueshme pronash ende të palegalizuara. Por më e rëndësishmja, taksa mbi pronën vështirë se do të zgjidhë problemin e braktisjes së tokës bujqësore, tokë e cila, për shkak se nuk ka titull pronësie, as nuk mund të taksohet dhe as të vihet në punë.

Realiteti shqiptar është i ndryshëm

Në thelb, taksimi i pronës sipas vlerës është një koncept i drejtë. Një qytetar që ka një shtëpi të madhe duhet të paguajë një taksë pak më të lartë se sa një qytetar që ka një shtëpi të vogël. Problemi është se në Shqipëri, as madhësia dhe as pozicionimi i shtëpisë nëpër qytetet shqiptare nuk reflekton nivelin ekonomik të pronarit. Mund të qëllojë që të kesh një shtëpi në qendër të Tiranës me vlerë ekonomike të lartë dhe të jesh pensionist i varfër, ose i papunë. Ekspertët e FMN-së në raport sugjerojnë që shteti të ketë mekanizma lehtësues apo ndihmues për raste të tilla. Një mekanizëm i tillë i propozuar është që pensionistëve të mos u kërkohet pagesa e taksës, por fatura e taksës t’i bashkëngjitet pronës përkatëse dhe të bëhet e pagueshme në çastin që prona shitet. Por shteti shqiptar nuk është shumë i njohur për aftësi të tilla si identifikimi i pronarvëe që kanë para për të paguar pronën nga ata që nuk kanë.

Gjithashtu, një problem tjetër jo i vogël dhe që është ngushtësisht shqiptar është që gati gjysma e popullsisë shqiptare gjendet aktualisht në emigrim dhe i përdor shtëpitë e veta në Shqipëri ose për pushime, ose i mban për t’i përdorur kur të dalë në pension. Taksimi i këtyre shtëpive (në rast se janë të regjistruara) për vite dhe vite me rradhë deri sa pronari i tyre të kthehet nga emigrimi ngjan si një shaka e hidhur. Një shtet që nuk është në gjendje të sigurojë jetesë normale për shtetasit e vet, i takson këta edhe kur shtetasit rropaten në emigrim. Ideja e eficiensës ekonomike që duhet të krijohet nga taksimi në këtë rast nuk shërben për shkak se në Shqipëri nuk ka popullsi të mjaftueshme për të marrë me qira apo për të blerë të gjitha shtëpitë e mbyllura të emigrantëve. Në censusin e fundit të zhvilluar në vitin 2011, 30 për qind e banesave në Shqipëri qenë bosh. Që nga ajo kohë, supozohet se stoku i papërdorur i banesave të jetë rritur edhe më tej. Nëse i takson këto banesa, për shkak se ato janë të tepërta në një popullsi në rënie, ato nuk do të vihen në punë dhe taksa mund të bëhet thjeshtë një faturë e kripur për emigrantin kur ky i fundit të kthehet në atdhe. Imagjinoni një emigrant që kthehet pas njëzet vjetësh dhe gjen në shtëpi 20 vjet taksë prone të papaguar. Kjo mund të ngjajë teorike, por nuk është aspak e tillë. Në vitin 2011, sipas censusit, në Shqipëri kishte mbi 1 milionë njësi banimi dhe 742 mijë familje. Kuptohet që diferenca prej rreth 250-300 mijë njësish banimi janë bosh.

Problemi tjetër lidhet me numrin e lartë të shqiptarëve që përgjatë dy dekadave të fundit kanë lëvizur nga fshati në qytet. Detyrimisht këta shqiptarë do të duhet të paguajnë njëherësh taksë për shtëpinë e tyre, fjala vjen, në Tiranë dhe taksë për shtëpinë që kanë braktisur në fshat. Parimi i eficiensës ekonomike nuk vlen këtu pasi nuk mund të thuash se shtëpia në fshat ka vlerë tregtare. Në shumicën dërrmuese të fshatrave në Shqipëri prona ka vlerë të papërfillshme.

Taksimi ekzistues i ulët, kërkohet rritje

Shqiptarët janë të detyruar me ligj të paguajnë një taksë prone. Kjo është një taksë e vogël. P.sh, për një apartament të ndërtuar pas vitit 1993 në Tiranë, me sipërfaqe 100 m2, taksa e pronës është 30 lekë për m2 ose 3 mijë lekë. Nëse i njëjti apartament gjendet në Vlorë apo Elbasan, taksa vjetore është 12 lekë për m2 ose 1200 lekë dhe nëse gjendet në Kukës apo në Ballsh, taksa është 6 lekë për m2 ose 600 lekë në vit. [Lista e plotë e tarifave mund të gjendet këtu]

Pavarësisht se taksa aktualisht është e lirë, ajo nuk prodhon të ardhura për pushtetin vendor, autoritetin që ka për detyrë ta mbledhë këtë taksë. Sipas raportit të FMN, taksat mbi pronat janë kaq të ulëta sa ka gjasa sa bashkive nuk ia leverdis që t’i mbledhin ato. Me përjashtim të apartamenteve të reja në Tiranë, në pjesën tjetër të vendit bashkive mund të mos u rezultojë me leverdi që të kërkojnë nga çdo familje rreth 500 apo 1 mijë lekë taksë prone në vit. Pra argumentohet se bashkive mund t’i kushtojë më shtrenjtë ta mbledhë këtë taksë nga sa gjeneron të ardhura prej kësaj takse. Në këto nivele, as ideja e eficiensës ekonomike pas taksës së pronës vështirë se funksionon.

Zgjidhja që FMN propozon për këtë problem është e thjeshtë: rritja e taksës së pronës. Por nëse kjo taksë do të rritet dhe sa do të rritet, për momentin qeveria shqiptare nuk e thotë. Ajo që thotë qeveria është që taksa do të ndryshojë. Nga një taksë për metër katror në një taksë si përqindje e vlerës së pronës.

Por fakti që taksa është e ulët, nuk është arsyeja e vetme e mosmbledhjes së saj. Bashkitë shqiptare nuk marrin mundimin t’i dërgojnë faturë të taksës asnjë familjeje në të gjithë territorin e vendit, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim bashkitë e Tiranës apo Durrësit, ku taksa është relativisht e lartë dhe leverdia ekonomike për mbledhjen e saj është.

Kadastra fiskale që qeveria po përpiqet ta zhvillojë aktualisht konsiston në një variant elektronik të kadastrës fizike. Dixhitalizimi i kadastrave ka filluar prej kohësh, por dixhitalizimi nuk mund të zgjidhë më vete mungesën e regjistrimit fillestar apo problemet e pazgjidhura me legalizimet apo pronat bujqësore.

Në tërësi, taksa e ardhshme e pronës do të mësohet vetëm pasi qeveria të dorëzojë në Kuvendin e Shqipërisë paketën e projektligjeve fiskale që shoqëron buxhetin e shtetit, por raporti i FMN vëren se dëshira është që qeveritë e pushtetit vendor të mund të mbledhin deri në 1 për qind të PBB-së, e barazvlefshme kjo me rreth 100 milionë euro në vit. Aktualisht taksa e pronës që paguajnë shqiptarët (ajo pjesë e vogël që paguan) është në masën 20 milionë euro në vit në vitin më të mirë.

Bashkia e Tiranës do të dalë më e fituara nga ky ndryshim, gjithmonë në rast se arrin t’i mbledhë taksat e pronës. Me 194 mijë njësi banimi dhe 42 mijë njësi tregtare, Tirana zë gati një të pestën e stokut kombëtar të banesave dhe gati një të tretën e të gjitha njësive të biznesit.