Analize11 May 2018

Të drejtat e njeriut dhe fati i rendit liberal

Sipas teoristëve "realistë" të marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk mund të ruhet rendi global liberal kur dy nga tre fuqitë e mëdha - Rusia dhe Kina - janë anti-liberale. Por ka disa probleme me këtë arsyetim.

Autor: Joseph S. Nye, Jr. Project Syndicate Kembrixh
Printo

Foto gjatë një proteste në mbrojtje të grave të dhunuara në Tiranë. Foto: Loreta Cuka BIRN

Shumë ekspertë kanë shpallur vdekjen e rendit ndërkombëtar liberal post-1945, përfshirë regjimin e të drejtave të njeriut të krijuar më 1948 me anë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Kopertina e Foreign Policy së fundmi shfaqi një pëllumb të bardhë të gjakosur nga shigjetat e autoritarizmit.

Sipas teoristëve “realistë” të marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk mund të ruhet rendi global liberal kur dy nga tre fuqitë e mëdha – Rusia dhe Kina – janë anti-liberale. Duke shkruar për Foreign Affairs, Yascha Mounk dhe Roberto Stefan Foa argumentojnë se periudha kur demokracitë liberale perëndimore ishin fuqi kryesore të kulturës dhe botës ka ardhur drejt fundit. Brenda pesë viteve të ardhshme, “pjesa e të ardhurave globale që do të mbajnë vendet e konsideruara si “jo të lira” – si Kina, Rusia dhe Arabia Saudite – do ta tejkalojë normën e mbajtur nga demokracitë liberale perëndimore.

Ka disa probleme me këtë argument. Si fillim, mbështetet te një matje e quajtur barazia e fuqisë blerëse, që është e mirë në disa aspekte, por jo për të krahasuar ndikimin ndërkombëtar. Në normat aktuale të këmbimit, PBB-ja vjetore e Kinës është 12 trilionë dollarë dhe e Rusisë është 2.5 trilionë dollarë, krahasuar me ekonominë e SHBA 20 trilionë dollarë. Por e meta më e madhe është futja e vendeve të ndryshme si Kina dhe Rusina në një aks të autoritarizmit. Nuk ekziston sot një aks si famëkeqi Aks i Gjermanisë Naziste dhe aleatëve të saj në 1930.

Ndërsa Rusia dhe Kina janë të dyja autoritare dhe e shohin të dobishme të bashkohen kundër SHBA në organe ndërkombëtare si Këshilli i Sigurimit i OKB, ato kanë interesa shumë të ndryshme. Kina është një fuqi në rritje që është shumë e ndërthurur me ekonominë ndërkombëtare, përfshirë SHBA. Përkundrazi, Rusia është një vend në rënie me probleme serioze demografike dhe shëndeti publik, me energjinë që përbën dy të tretat e eksporteve të saj në vend të mallrave.

Vendet në rënie janë shpesh më të rrezikshme se ato në ngritje. Vladimir Putin ka qenë një takticien i zgjuar, duke kërkuar ta bëjë “Rusinë madhështore sërish” përmes ndërhyrjeve ushtarake në vendet fqinje dhe Siri dhe duke përdorur informacion të bazuar te kibernetika për të dëmtuar – me sukses të pjesshëm – demokracitë perëndimore. Një studim i transmetimeve ruse në Ukrainë zbuloi se ishte efektiv vetëm me minoritetin që ishte tashmë i orientuar drejt Rusisë, përmes të cilit ia doli të prodhojë polarizim dhe efekte shkatërrimtare për sistemin politik. Dhe rigjallërimi i informacionit të stilit të Luftës së Ftohtë ka bërë pak për të krijuar fuqi të butë për Rusinë.  Indeksi i Fuqisë së Butë me bazë në Londër e rendit Rusinë të 26 nga 30 vende. Rusia ka bërë pak sukses në kultivimin e aleatëve në Europën Lindore, por nuk është pjesë e një aksi të fuqishëm autoritar siç ekzistonte në vitet 1930.

Kina është ndryshe. E lajmëroi gatishmërinë e vet për të shpenzuar miliarda për të rritur fuqinë e butë. Në takimet në Davos në 2017 dhe Hainan në 2018, Xi Jinping e paraqiti Kinën si mbrojtëse të rendit aktual botëror, por një rend me tipare kineze në vend të atyre liberale. Kina nuk do të përëmbysë rendit aktual global, por do ta riformësojë atë për të rritur përfitimet e veta.

Ajo ka mjetet ekonomike për ta bërë këtë. Ajo jep akses në tregjet gjigante të saj për arsye politike. Norvegjia u ndëshkua pasi disidenti Liu Xiaobo mori çmimin Nobel për Paqen. Europiano-lindorët  u vlerësuan pasi nuk zbatuan rezolutat e Bashkimit Europian për të drejtat e njeriut. Dhe kompanitë nga Singapori dhe Koreja vuajtën pasi qeveritë e tyre u pozicionuan kundër Kinës. Iniciativa masive Rrip dhe Rrugë e qeverisë Kineze për të ndërtuar infrastrukturë tregtare përmes Euroazisë ofron mundësi të bollshme për të përdorur kontaktet e biznesit për rritje të ndikimi politik. Dhe Kina i ka kufizuar vazhdimisht të drejtat e njeriut në atdhe. Teksa fuqia kineze rritet, problemet e regjimit me të drejtat globale të njeriut do të rriten gjithashtu.

Por nuk duhet ta teprojmë me projektimin e fuqisë kineze. Nëse SHBA ruan aleancat e veta me Japoninë dhe Australinë demokratike dhe vazhdon të zhvillojë marrëdhënie të mira me Indinë, do të jetë superiore në Azi. Në balancën ushtarake globale, Kina mbetet pas dhe në kuptimin demografik, teknologjik, sistemin monetar dhe varësinë energjetike, SHBA është më mirë se Kina në dekadën e ardhshme. Në indeksin 30 e Fuqisë së Butë, Kina renditet e 25 ndërsa SHBA e treta.

Për më tepër, askush nuk e di se çfarë mbart e ardhmja për Kinën. Xi ka grisur kornizën institucionale të Deng Xiaoping për lidership pasardhës, por sa do të zgjasë autoriteti i Xi? Ndërkohë, për çështje si ndryshimi klimatik, pandemia, terrorizmi dhe stabiliteti financiar, të dyja si Kina autoritare dhe SHBA do të përfitojnë nga bashkëpunimi. Lajmi i mirë është se disa aspekte të rendit aktual ndërkombëtar do të rezistojnë; lajmi i keq është se mund të mos përfshijë elemente liberale të të drejtave të njeriut.

Regjimi i të drejtave të njeriut mund të përballet me mjedis më të ashpër, por nuk është e njëjta gjë si kolapsi. Një administratë e ardhshme amerikane mund të punojë më ngushtë me BE dhe vende të tjera me opinione të njejtë për të krijuar një grup drejtues për të drejtat e njeriut. Një G10, me përbërje të demokracive madhore botërore, mund të koordinojë vlerat krah G20 ekzistuese (që përfshin jo-demokraci si Kina, Rusia dhe Arabia Saudite), me fokus te çështjet ekonomike.

Të tjerët mund të ndihmojnë. Siç e thekson në librin e saj të ri Kathryn Sikkink, Provë për Shpresë, ndërsa mbështetja e SHBA për të drejtat e njeriut ka qenë e rëndësishme, SHBA nuk ka qenë gjithnjë shumë liberale gjatë Luftës së Ftohtë dhe origjina e regjimit në vitet 1940 i takon më shumë amerikanolatinëve dhe të tjerëve. Për më tepër, organizatat e drejtave transkombëtare kanë zhvilluar mbështetje të brendshme në disa vende.

Shkurt, duhet të shqetësohemi për sfidat e shumta ndaj demokracisë liberale gjatë ngërçit aktual që Samuel P. Huntington e quajti “vala e tretë” e demokratizimit. Por kjo nuk është arsye për të hequr dorë nga të drejtat e njeriut.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Human Rights and the Fate of the Liberal Order