Analize29 Sep 2021

Të ringjallim multilateralizmin

Konsultimi global i Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar tregoi se shumica dërrmuese e njerëzve duan më shumë bashkëpunim ndërkombëtar për të adresuar probleme si pandemitë dhe ndryshimet klimatike. Për të përmbushur këtë kërkesë, liderët botërorë duhet të angazhohen për forcimin e institucioneve shumëpalëshe, duke filluar me vetë OKB-në.

Autor: Jacinda Ardern, Cyril Ramaphosa, Macky Sall, Carlos Alvarado Quesada, Stefan Löfven, Pedro Sánchez Project Syndicate Madrid
Printo

Flamuri i OKB-së. Foto: Artur Widak/NurPhoto via Getty Images

Vitin e kaluar, Kombet e Bashkuara zhvilluan një konsultim mbarëbotëror ku u përfshinë më shumë se një milion njerëz nga 193 vende. Reagimet treguan disa fakte të rëndësishme. Dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së këtë vit duhet të përgjigjet duke forcuar multilateralizmin e bazuar në rregulla.

Si fillim, konsultimi zbuloi se pritjet dhe shpresat e grave, burrave, vajzave dhe djemve në botë janë jashtëzakonisht të ngjashme. Njerëzit duan qasje më të mirë në kujdesin shëndetësor bazë, higjienë publike dhe arsim. Ata gjithashtu duan të shohin më shumë solidaritet me ata që janë prekur më shumë nga pandemia dhe me ata që jetojnë në varfëri. Shqetësimi kryesor i të anketuarve në planin afatgjatë është kriza e ndryshimeve klimatike dhe përshpejtimi i humbjes së biodiversitetit. Pothuajse 90% e pjesëmarrësve pajtohen se bashkëpunimi global është jetik për t’u përballur me sfidat e ditëve të sotme, dhe shumica besojnë se pandemia e ka bërë bashkëpunimin ndërkombëtar edhe më urgjent. Sidomos inkurajues është fakti se të rinjtë në mbarë botën duan qartazi më shumë bashkëpunim ndërkombëtar.

Konsultimi i vitit të kaluar ishte një thirrje për veprim. Tani, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka publikuar Axhendën Tonë të Përbashkët, e cila vijon me Deklaratën Politike IN74 të miratuar nga të gjithë krerët e shteteve dhe qeveritë anëtare të OKB-së një vit më parë. Axhenda e re përcakton një plan të guximshëm se si mund të përballojmë sfidat e sotme dhe të nesërme.

Kërcënimi i një shkatërrimi duhet të shihet si një mundësi për një ndërtim. Kjo është arsyeja pse ne po angazhohemi të rrisim mbështetjen e vendeve tona për përpjekjet e sekretarit të përgjithshëm për ta bërë realitet axhendën ambicioze të OKB-së.

Pandemia COVID-19, me të cilën ne po luftojmë ende në nivel global, ka përcjellë mesazhin se jetojmë në një botë të ndërlidhur dhe të ndërvarur. Për më tepër, gjatë muajve të fundit, kemi parë një numër rekord njerëzish të prekur nga valët e të nxehtit, përmbytjet shkatërruese dhe disa nga zjarret më të mëdhenj në historinë e kohëve të fundit, duke konfirmuar edhe një herë kërcënimin e pashembullt të paraqitur nga ndryshimi i klimës sonë.

OKB-ja është zemra e sistemit ndërkombëtar. Fakti që bota u mblodh 76 vjet më parë për të krijuar një organizatë për “të arritur bashkëpunimin ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare” është e jashtëzakonshme në vetvete. Por edhe i habitshëm është fakti se kjo organizatë, pavarësisht sfidave dhe mangësive të saj, ka duruar. Ajo ka treguar se rruga drejt një të ardhmeje më të mirë, më paqësore dhe të qëndrueshme kalon nëpërmjet bashkëpunimit, jo nëpërmjet konkurrencës me shumë zero.

Megjithatë, organizatat ndërkombëtare të botës u krijuan kryesisht për të zgjidhur sfidat ndër-shtetërore, jo problemet që tejkalojnë kufijtë, siç janë krizat financiare, pandemitë, terrorizmi, rrjetet e krimit, kërcënimet ndaj oqeaneve tanë ose ndryshimet klimatike. Prandaj, ne duhet të modernizojmë institucionet tona shumëpalëshe, duke i bërë ato të përshtatshme për qëllimin dhe më të mirëpajisura për t’u marrë me sfidat globale dhe ndër-breznore me të cilat përballemi.

Duke vërejtur dallimet e mëdha midis botës së brezit themelues të OKB-së dhe botës së ditëve të sotme, ne vendosëm vitin e kaluar të impenjohemi për t’i dhënë një impuls të ri reformimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të vazhdojmë punën për rivitalizimin e Asamblesë së Përgjithshme dhe për të forcuar Këshillin Ekonomik dhe Social. Në përputhje me Deklaratën e Përbashkët që nënshkruam më 10 nëntor 2020 në Madrid, ne shohim tre fusha veprimi që duhet të theksohen për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për përforcimin e multilateralizmit.

Së pari, kemi nevojë për një angazhim të përtërirë për bashkëpunim ndërkombëtar. Organizatat shumëpalëshe duhet të pajisen me mjetet dhe mandatin për të bërë ndryshimin në terren. Bashkëpunimi midis OKB-së, organizatave rajonale dhe institucioneve financiare ndërkombëtare duhet të përmirësohet si në nivel politikash ashtu edhe në atë operacional. Sistemi shumëpalësh duhet të jetë më i hapur dhe gjithëpërfshirës për t’i dhënë të rinjve, shoqërisë civile, sektorit privat, botës akademike dhe të tjerëve një vend në tryezë.

Ne tashmë e bëjmë këtë në praktikë. Në Asamblenë e Përgjithshme të këtij viti, ne kemi organizuar eventin virtual “Delivering the UN Common Agenda: Action to Achieve Equality and Inclusion” në bashkëpunim me nismën Pathfinders for Peaceful, Just, and Inclusive Societies. Ne synojmë të garantojmë që të gjithë zërat të dëgjohen.

Së dyti, ne duhet të veprojmë sipas axhendës me hapa të guximshëm të sekretarit të përgjithshëm, për të ringjallur dhe forcuar kapacitetin tonë për të trajtuar varfërinë dhe pabarazinë; të sigurojë përfshirje, pjesëmarrje të barabartë dhe drejtësië; adresimin e krizës klimatike dhe përshpejtimin e humbjes së biodiversitetit; dhe të pajisemi me mjetet e nevojshme për kërcënimet e ardhshme të pandemisë.

Ne kemi mësuar nga kriza e COVID-19 se kemi nevojë të forcojmë aftësinë tonë kolektive për të parashikuar, parandaluar dhe menaxhuar rreziqe komplekse siç janë shpërthimet e sëmundjeve, luftërat e reja, sulmet kibernetike, fatkeqësitë mjedisore ose ngjarje të tjera të paparashikuara. Prandaj, ne mirëpresim sugjerimet e sekretarit të përgjithshëm se si të forcohet parashikimi global dhe kapaciteti i menaxhimit të rrezikut, përfshirë propozimin për një “Platformë të re Emergjente” globale.

Së fundmi, mirëpresim propozimin për një Samit për të Ardhmen në vitin 2023 dhe duhet ta shfrytëzojmë atë mundësi për të rritur përpjekjet tona për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar. Në botën e sotme, me kaq shumë probleme që zhurmojnë përtej kufijve dhe brezave, ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për të krijuar një sistem shumëpalësh më të shpejtë, efikas dhe llogaridhënës që ofron për të gjithë qytetarët dhe na mundëson të përballojmë sfidat globale me të cilat përballemi.

Ne duam të jemi në krye të kësaj përpjekjeje. Së bashku, ne mund dhe duhet ta ringjallim multilateralizmin e bazuar në rregulla, me një OKB më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse në thelbin e tij. Kjo është detyra e madhe politike e kohës sonë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Reinvigorating Multilateralism