Mes terrorizmit ndërkombëtar, të rinjtë në Europë radhisin si shqetësime kryesore ndryshimin klimatik dhe varfërinë ekonomike, një përqindje kjo më e lartë se te të rriturit.
Sondazhet kanë zbuluar se shumica e të rriturve në Europë mendojnë se terrorizmi ndërkombëtar është kërcënimi më i madh i kontinentit.
Megjithëse ky është një informacion i vlefshëm për atë që të rriturit mendojnë, pak dihet rreth asaj që fëmijët dhe të rinjtë perceptojnë si kërcënimin më të madh për jetën dhe demokracinë në Europë.
Stereotipat e të rinjve, veçanërisht të adoleshentëve, janë se ata nuk angazhohen në shoqëri dhe se nuk përqendrohen te çështjet kombëtare, e jo më ndërkombëtare. Por kjo nuk mund të jetë e vërtetë.
Pikëpamjet e të rinjve
Për katër vitet e fundit, grupi ynë i kërkimit, ËISERDEducation ka intervistuar nxënës në shkollat fillore dhe 8-vjeçare të Uellsit rreth aspekteve të jetës së tyre, arsimit dhe perceptimit të botës në tërësi. Në 2016, ne pyetëm rreth 700 studentë të moshave 13-18 vjeç se çfarë shikonin si problemin më të madh me të cilin përballet Europa sot, për të parë nëse perceptimet e tyre dallonin nga ato të të rriturve dhe gjithashtu se si ndryshonin pikëpamjet sipas moshës.
Nxënësve iu dhanë nëntë mundësi zgjedhjeje: ndryshimi klimatik, destabiliteti ekonomik, terrorizmi ndërkombëtar, varfëria, lufta, burimet energjetike, rritja e popullatës, përhapja e armëve bërthamore dhe sëmundjet infektive. Grafiku më poshtë tregon proporcionin e nxënësve që zgjodhën pesë opsionet kryesore. Ato të mbetura u grupuan si “tjetër”, u zgjodhën nga pak pjesëmarrës, nën 20% te të gjithë grupmoshat. Grafiku gjithashtu përjashton ata që u përgjigjën “nuk e di”.
Terrorizmi ndërkombëtar dominoi si problemi më i madh për Europën mes pjesëmarrësve tanë. Por duke parë në grupe të ndryshme të shkollës, u shfaq një imazh me më shumë nuanca.
Nxënësit e moshës 13 deri 14 vjeçare, në 44% të rasteve e konsiderojnë terrorizmin problemin më të madh, por kjo normë ra në 33% te nxënësit e 15-16 vjeç. Për nxënësit 17-18 vjeç përqindja që mendonte se terrorizmi ishte problemi kryesor ishte 20.
Për nxënësit më të mëdhenj në moshë, terrorizmi u zëvendësua nga destabiliteti ekonomik, si problemi më i madh me të cilët me të cilin përballej Europa – që mund të reflektojë faktin se punësimi dhe ekonomia po bëhen më të rëndësishme për ta teksa i afroheshin fundit të shkollës. Megjithatë, ndërsa destabiliteti ekonomik shqetësonte këtë grupmoshë, nxënësit 13-vjeçarë shqetësoheshin nga shumë probleme njëkohësisht. Ata shprehën se terrorizmi, ndryshimi klimatik dhe varfëria ishin problemet e tyre kryesore.
Nxënësit më të mëdhenj kishin gjithnjë e më shumë gjasa ta shihnin ndryshimin klimatik si problemin kryesor për Europën. Vetëm 12% e nxënësve 12-13 vjeç e shihnin ndryshimin klimatik si shqetësimin e tyre më të madh, por përqindja shkoi në 18 te nxënësit më të mëdhenj. Në fakt, kjo është pak më e ulët se shifra prej 20% e studentëve që e pa terrorizmin si problemin më të rëndësishëm.
Ndjesia e kërcënimit
Një arsye për një proporcion të tillë të lartë të nxënësve që mund ta kenë zgjedhur terrorizmin ndërkombëtar si problemin më të madh të Europës mund të jetë koha e kërkimit tonë. Nxënësit u pyetën në pranverë 2016, pak pas sulmeve në Paris. Në muajin pasues të sulmeve, linja e ndihmës për fëmijët Childline, raportoi një shtim të telefonatave nga të rinjtë në ankth për sulme të ngjashme në Britani. Kërkimi i mëparshëm zbuloi se njerëzit priren t’i japin prioritet sulmeve që janë fizike dhe afër tyre.
Sulmet terroriste mund të shihen si më shumë kërcënuese në përgjithësi sepse ato kanë autorë të qartë. Përkundrazi asnjë grup apo individ nuk mund të fajësohet për ndryshimin klimatik, duke e bërë atë një kërcënim më pak të lidhur. Sigurisht, ky është problem i madh duke marrë parasysh provat e shumta se ndryshimi klimatik po ndodh dhe se kërcënime të tilla si terrorizmi ndërkombëtar mund të lidhen me konflikte të nxitura nga ngrohja globale.
Në kontekstin e kërkimit të kërcënimeve në Europë – në të cilin terrorizmi ndërkombëtar shpesh del në krye të listës së shqetësimeve – zbulimi befasues nga kërkimi ynë është se norma e nxënësve që e shihnin ndryshimin klimatik si çështje të ngutshme, ishte më e lartë sesa ajo që u gjet te kërkimet e të rriturve.
Një sondazh i fundit nga YouGov zbuloi se britanikët ishin më pak të shqetësuarit në botë për ndryshimin klimatik, me vetë 12.8 për qind të popullatës që e shihnin si shqetësues. Duke marrë në konsideratë se 18 për qind e 17-18 vjeçarëve në studimin tonë të 2016 besonin se kjo ishte çështja më e ngutshme në Europë, ka shumë gjasa që ndryshimi klimatik të prioritizohet dhe sjellja ndaj tij të jetë më efektive në brezin e ardhshëm të të rriturve.
Marrë me autorizim nga Weforum.org