Interviste3 Dec 2018

Theodor Meron: Arritjet e Gjykatës së Hagës “të jashtëzakonshme”

Ndërsa Theodor Meron i afrohet fundit të mandatit të tij si kryetar i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, ai tha për BIRN se gjykata e krimeve e OKB-së “ndryshoi thellësisht mënyrën se si ne mendojmë për llogaridhënien” për krimet më të rënda.

Autor: Lamija Grebo BIRN Sarajevë
Printo

Theodor Meron. Foto: ICTY.

Theodor Meron tha në një intervistë për BIRN ndërsa i afrohet fundit të mandatit të tij në detyrë në Hagë se ai është “jashtëzakonisht krenar” për arritjet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe pasardhësin e saj, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare – sidomos për kontributin e tyre në të drejtën ndërkombëtare penale dhe humanitare.

“Sipas mendimit tim, ajo që Gjykata ka arritur gjatë viteve ka qenë e jashtëzakonshme,” tha Meron në përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të BIRN-it.

Ai u shpreh se arritjet e ICTY-së ishin akoma më të rëndësishme sesa gjyqet që ajo ka mbajtur dhe kriminelët e luftës që ka sjellë para drejtësisë.

“Në hapësirën e vetëm disa viteve, ajo ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si ne mendojmë për përgjegjësinë dhe rëndësinë e sigurimit se ata që dyshohet se kanë kryer disa nga krimet më të këqija të imagjinueshme, të mbahen përgjegjës përpara gjykatave të drejta dhe të paanshme,” tha ai.

“Në të njëjtën kohë, ICTY ka rishikuar me rigorozitet dhe metodikisht, ka shpjeguar dhe ka zbatuar dispozitat kyçe të së drejtës ndërkombëtare, duke rritur kuptueshmërinë e ligjit dhe, shpresoj, zbatimin e tij në zonat e konfliktit në mbarë botën dhe në gjykatat kombëtare, përfshirë këtu edhe vendet e ish-Jugosllavisë,” shtoi ai.

Disa nga vendimet e ICTY-së – lirimet nga akuzat të gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave Momcilo Perisiç dhe gjeneralët e Ushtrisë Kroate Ante Gotovina dhe Mladen Markaç – kanë shkaktuar trazira në Ballkan. Meron pranoi se “nuk ka qenë gjithmonë një rrugë e lehtë” dhe se gjykata është përballur me kritika ndaj vendimeve të diskutueshme.

“Megjithatë, unë jam i bindur se gjykimet e Gjykatës së Hagës, si dhe ato të bëra nga Mekanizmi dhe gjykata simotër e ICTY-së, ICTR (Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën), do t’i qëndrojnë provës së kohës dhe jam i sigurt se, një shekull nga tani, komuniteti global do t’i shohë me pozitivitet gjykimet e bëra nga këto institucione pioniere dhe do të njohë kontributin e paçmuar që këto gjykime kanë bërë për fillimin e një epoke përgjegjësie dhe respektimi për sundimin e ligjit,” tha ai.

Gjykata e OKB-së gjithashtu është kritikuar se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar pajtimin. Por Meron tha se ishte e rëndësishme të mbani mend kufizimet në mandatin e saj, duke theksuar se “gjykimet e vetëm një gjykate nuk mund të shërojnë plagët e thella të shkaktuara nga krime siç janë ato që u kryen në Srebrenicë”.

“Në vend të kësaj, shpesh u përket anëtarëve të komuniteteve më të ndikuara nga një krim – liderëve civilë dhe fetarë, prindërve dhe mësuesve, si dhe individëve – të gjejnë forcën dhe mjetet për të rindërtuar komunitetet e tyre,” tha ai.

 “Personat përgjegjës do ta mbajnë këtë stigmë”

Meron tha se gjatë karrierës së tij 17-vjeçare si gjyqtar ndërkombëtar, dy vendime ishin të rëndësishme – vendimi që dënoi gjeneralin serb të Bosnjës Radislav Krstiç dhe vendimi në gjyqin e ushtarëve serbë të Bosnjës Dragoljub Kunaraç, Zoran Vukoviç dhe Radomir Kovaç të cilët u dënuan për përdhunim.

Vendimi i Dhomës së Apelit në vitin 2004 në rastin e Krstiçit, i kryesuar nga Meroni, përcaktoi masakrat e Srebrenicës si një akt gjenocidi.

“Ata që janë përgjegjës do ta mbajnë këtë stigmë dhe ajo do të shërbejë si një paralajmërim për ata që mund të parashikojnë në të ardhme kryerjen e një akti të tillë të tmerrshëm,” tha vendimi.

Duke gjetur Kunaraçin, Vukoviçin dhe Kovaçin fajtor, ICTY-ja vendosi se “përdhunimi është një krim sipas të drejtës zakonore ndërkombëtare, sqaroi se nuk ka kërkesë për ‘rezistencë’ ndaj viktimave sipas përkufizimit të zakonshëm të ligjit ndërkombëtar të përdhunimit dhe pohoi se krimet e skllavërimit dhe torturës mund të bazoheshin në aktet themelore të dhunës seksuale”, shpjegoi Meron.

“Nëpërmjet jurisprudencës së tyre, ICTY dhe ICTR kanë bërë të qartë se krimet e natyrës seksuale nuk janë vetëm një efekt anësor oportunist i luftës – as nuk janë krime të një shkalle më të vogël se aktet e tjera të tmerrshme të dhunës që ndodhin gjatë një konflikti të armatosur. Përkundrazi, aktet e dhunës seksuale mund të jenë dhe shpesh janë një instrument lufte,” shtoi ai.

Viti i fundit i Meronit në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare është shoqëruar nga disa polemika.

Në shtator, gjyqtari i Hagës Jean-Claude Antonetti, pranoi kërkesën e mbrojtësit të Ratko Mladiç për të hequr Meronin, Karmel Agiusin dhe Daqun Liun nga procesi i apelit në gjyqin e ish-kreut ushtarak serb të Bosnjës.

Antonetti shkroi në vendimin e tij se Meroni, Agiusi dhe Liu “dukeshin të njëanshëm”, sepse kishin nxjerrë përfundime të caktuara lidhur me Mlladiçin në raste të tjera në Hagë.

Meroni më pas u largua nga apeli i Radovan Karaxhiçit kundër dënimit të tij për gjenocid dhe krime lufte, pasi mbrojtja e ish-liderit politik serb të Bosnjës gjithashtu e akuzoi atë për njëanshmëri.

Ai ka qenë i sinqertë gjatë muajve të tij të fundit në detyrë; në një vizitë të kohëve të fundit në Beograd, ai e kundërshtoi kryeministren serbe Ana Brnabiç për mohimin nga ana e saj se masakrat e Srebrenicës përbënin një akt gjenocidi.

“Qeveria e Serbisë nuk zgjidh gjë duke kundërshtuar gjykimet e një gjykate të madhe penale ndërkombëtare,” i tha Meron Brnabiçit.

Lindur në 1930 në Poloni, vitet e hershme të Meronit u shënuan nga shkatërrimi i Luftës së Dytë Botërore – një përvojë që ai thotë se ka formuar gjithë karrierën e tij që atëherë.

“Edhe pse karriera ime ka ndjekur një rrugë të pathyer, tema e vazhdueshme ka qenë një përpjekje për t’u ballafaquar me kaosin dhe dhimbjen e luftës. Lufta më shkatërroi fëmijërinë dhe më dha një dëshirë për arsim dhe një dëshirë për ta përdorur ligjin për t’i dhënë fund mizorive,” shpjegoi ai.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës për mundësitë që kam pasur gjatë gjithë jetës time dhe sidomos për faktin që pata mundësitë e jashtëzakonshme për të marrë drejtimin e institucioneve që kanë shërbyer si pionierë të kësaj epoke llogaridhënieje,” shtoi ai.