Revolta politike kundër “elitave të estabilishmentit” në shumë demokraci Perëndimore përgjatë vitit të fundit ka bërë që shumë vetë ta shpallin globalizimin një forcë në tërheqje. Por mund të jetë e parakohshme të dalësh një konkluzione të tilla drastike.
Në shumë demokraci Perëndimore, ky është një vit revolte kundër elitës. Suksesi i fushatës për të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian, kapja e papritur e Partisë Republikane Amerikane nga Donald Trump dhe sukseset e partive populiste në Gjermani e vende të tjera janë bërë që shumë njerëz të fillojnë të mendojnë se bota po ecën drejt fundit të një epoke. Siç e cilësoi kolumnisti i Financial TImes Philip Stephens, “rendi aktual botëror – rregullat liberale – të bazuara në sistemin e themeluar në vitin 1945 dhe të zgjeruar pas fundit të Luftës së Ftohtë – është vënë aktualisht nën një presion të paprecedent. Globalizimi është një forcë në tërheqje.”
Në fakt, mund të jetë e parakohshme të dalësh në një konkluzion të tillë.
Disa ekonomistë ia atribuojnë lulëzimin aktual të populizmit “hiper-globalizimit” të viteve 1990, me liberalizimin e flukseve financiare ndërkombëtare dhe krijimin e Organizatës Botërore të Tregtisë – në veçanti anëtarësimit të Kinës në OBSH në vitin 2001. Sipas një studimi, importet kineze kanë eliminuar gati 1 milionë vende pune në manifakturë në Shtetet e Bashkuara mes viteve 1999 dhe 2011; duke përfshirë edhe furnizuesit e industritë e lidhura me to, humbjet arrijnë në 2.4 milionë vende pune.
Siç argumenton nobelisti i ekonomisë Angus Deaton, “çmenduria qëndron në faktin se kundërshtarët e globalizimit harrojnë se 1 miliardë njerëz janë nxjerrë nga varfëria në përgjithësi pikërisht për shkak të globalizimit.” Megjithatë, ai shton se ekonomistët kanë një përgjegjësi morale që të mos i injorojnë ata që kanë mbetur pas. Rritja e ngadaltë dhe pabarazia në rritje i shtojnë benzinë zjarrit politik.
Por ne duhet të mos nxitojmë duke ia atribuuar populizmin vetëm stresit ekonomik. Votuesit polakë zgjodhën një qeveri populiste pavarësisht se kanë përfituar nga një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Europë ndërsa Kanadaja duket se qe imune në vitin 2016 nga fryma antiestabilishment që ka mbërthyer fqinjin e vet jugor.
Në një studim të kujdesshëm mbi rritjen e mbështetjes për partitë populiste në Europë, shkencëtarët politikë Ronald Inglehart nga Universiteti i Miçiganit dhe Pippa Norris nga Harvardi zbuluan se pasiguritë ekonomike të krijuara nga ndryshimet në forcat punëtore në shoqëritë postindustriale shpjegojnë më pak se sa reagimi kulturor. Me fjalë të tjera, mbështetja për populizmin është një reagim nga ato që qenë dikur sektori dominues në popullsi, ndaj ndryshimeve në vlerat që cënojnë statusin e tyre. “Revolucioni i heshtur i viteve 1970 duket se ka përhapur zemërim dhe kundërrevolucion sot,” thonë Inglehart dhe Norris.
Në SHBA, sondazhet tregojnë se mbështetësit e Trump janë më së shumti të moshhuar dhe meshkuj të bardhë më pak të arsimuar. Të rinjtë, gratë dhe minoritetet janë të nënpërfaqësuar në koalicionin e tij. Më shumë se 40 për qind e elektoratit mbështet Trump, por ndërsa norma kombëtare e papunësisë është e ulët, vetëm një pjesë e vogël e kësaj mbështetjeje mund të shpjegohet me argumentin e vështirësive ekonomike.
Përkundrazi, edhe në Amerikë ka më shumë rigjallërim të populizmit se sa ka vështirësi ekonomike. Një sondazh i YouGov i komisionuar nga The Economist zbuloi një pakënaqësi të madhe racore mes mbështetësve të Trump, i cili përdori çështjen e “lindjes” (duke vënë në pikëpyetje vërtetësinë e certifikatës së lindjes së Barack Obama, presidenti i parë me ngjyrë i Amerikës) e ncihmoi atë që të hynte në rrugën e fushatës aktuale. Dhe kundërshtimi ndaj imigrimit, përfshirë idenë e ndërtimit të një muri dhe detyrimit të Meksikës për të paguar për të, qe një dërrasë e hershme në platformën e tij nativiste.
Megjithatë, një vrojtim i kohëve të fundit nga Peë tregon rritje të ndjenjave pro imigrimit në SHBA, ku 51 për qind e maxhorenëve thonë se të sapoardhurit e fuqizojnë vendin ndërsa 41 për qind mendojnë se ata janë një barrë, një ulje kjo nga 50 për qind që e mendonin kështu në mes të vitit 2010, kur efektet e Recesionit të Madh vijonin të ndjeheshin thellë. Nga ana tjetër, në Europë, flukset e papritura të refugjatëve politikë dhe ekonomikë nga Lindja e Mesme dhe Afrika kanë pasur një efekt më të fortë politikë, ku shumë ekspertë spekulojnë se Brexit qe më shumë e lidhur me migrimin në Britani se sa qe e lidhur me burrokracinë e Brukselit.
Antipatia ndaj elitave mund të shkaktohen si nga pakënaqësitë ekonomike ashtu edhe nga pakënaqësitë kulturore. Neë York Times identifikoi një tregues madhor në rajonet që mbështesin Trump: një maxhorancë popullate të bardhish që i përkasin klasës punëtore, jetët e të cilëve qenë prekur negativisht përgjatë dekadave në të cilat ekonomia e SHBA-së mbylli kapacitetet në manifakturë. Por edhe nëse nuk do të kishte pasur globalizim ekonomik, ndryshimi kulturor dhe demografik mund të kishte krijuar një shkallë populizmi.
Por është një mbivlerësim të thuash se në zgjedhjet e vitit 2016, theksimi i tendencave izolacioniste do të shënojë edhe fundin e epokës së globalizimit. Në të vërtetë, elitat politike që mbështesin globalizimin dhe ekonominë e hapur do të duhet të tregojnë se do të trajtojnë pabarazinë ekonomike dhe të përshtasin ndihmat për ata që kanë pësuar dëme nga ndryshimi. Politikat që stimulojnë rritjen, të tilla si infrastruktura dhe investimet, do të jenë gjithashtu të rëndësishme.
Europa mund të jetë ndryshe për shkak të rezistencës së theksuar ndaj imigrimit, por do të qe gabim që të lexohej me tepri ndryshimet afatgjata të opinionit publik amerikan duke e parë vetëm nga këndvështrimi i retorikës së nxehtë të zgjedhjeve të këtij viti. Ndërsa perspektiva e arritjes së marrëveshjeve të reja të komplikuara të tregtisë është dëmtuar nga kjo, revolucioni në informacion e ka fuqizuar zinxhirin botëror të furnizimeve dhe, ndryshe nga vitet 1930, (apo edhe viteve 1980), nuk kemi ende të bëjmë me një rikthim te proteksionizmi.
Në fakt, ekonomia e SHBA-së ka rritur varësinë e saj nga tregtia ndërkombëtare. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, nga viti 1995 deri më 2015, tregtia e mallrave si përqindje e PBB-së është rritur me 4.8 për qind. Për më tepër, në epokën e internetit, ekonomia transnacionale dixhitale ka dhënë një kontribut në rritje të shpejtë në ekonomi.
Më 2014, SHBA-të eksportuan 400 miliardë dollarë në shërbime të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit – pothuajse gjysma e eksporteve totale të shërbimeve të SHBA-së. Dhe sondazhet e publikuara muajin e kaluar nga Këshilli i Çikagos për Marrëdhëniet me Jashtë zbuloi se 65 për qind e amerikanëve e shohin globalizimin si gjë më së shumti të mirë për SHBA-në ndërsa 59 për qind thonë se tregtia ndërkombëtare është gjithashtu e mirë për vendin. Mbështetja për këto është më e fuqishme mes të rinjve.
Kështu, ndërsa viti 2016 mund të shihet si viti i populizmit në politikë, termi “izolacionizëm” nuk përbën një përshkrim të saktë të sjelljeve aktuale të Amerikës përballë botës. Në të vërtetë, në disa aspekte thelbësore – konkretisht, në temat e imigrimit dhe tregtisë – retorika e Trump duket se është në kundërshtim me ndjesitë e votuesve.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Putting the Populist Revolt in Its Place