Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Orest Sotën, i cili akuzohet për “drejtim të parregullt të automjetit”, “mosbindje ndaj policisë” dhe “fshehje të të ardhurave”.
Gjykata e Elbasanit vendosi të shtunën masën e sigurisë “arrest me burg” për 25-vjeçarin Orest Sota, i cili u ndalua më 1 nëntor në kushtet e flagrancës në afërsi të fshatit Balldren ndërsa policia gjeti në makinën e tij 835 mijë euro dhe dy patenta për drejtim mjeti lundrues të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas Gjykatës së Elbasanit, Sota do të qëndrojë në qeli deri në përfundimin e hetimeve të nisura ndaj tij për tre vepra penale, “drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “mosbindja ndaj urdhrit të policisë” dhe “fshehja e të ardhurave dhe pastrim të produkteve të veprës penale”.
Avokati i të akuzuarit Sota, Elis Kovaçi kërkoi masën e “detyrimit për paraqitje” të klientit të tij, por kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata. I kontaktuar pas seancës në gjykatë, Kovaçi tha se nuk kishte asnjë koment për mediat, duke u rezervuar të flasë për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Elbasanit.
Orest Sota është djali i biznesmenit Lefter Sota dhe administrator edhe vetë i dy kompanive të ndërtimit. Kompania e tij “Eco Construction & partners” sipas Qendrës Kombëtare të Bizneseve është themeluar në shkurt të vitit 2015 dhe sipas faqes së saj në internet, një ndër punët e para ka qenë rikonstruksioni i komisariatit nr.6 në zonën e Kombinatit në Tiranë.
Sota u arrestua në flagrancë në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, pasi nuk i është bindur thirrjes së policisë për të ndaluar. Sipas njoftimit për shtyp të policisë lokale, ai po e drejtonte makinën e tij Land Rover pa leje drejtimi.
Kontrolli i policisë zbuloi në makinën e tij rreth 865 mijë euro “cash”, por ngjarja mori bujë për shkak të gjetjes në të edhe të dy patentave të ish-ministrit Tahiri.
Tahiri është në hetim prej mesit të tetorit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi akuzohet për veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe korrupsionit pasiv-hetime që morën nxitje nga përmendja e emrit të tij në përgjimet e Moisi Habilajt nga antimafia italiane. Pas nisjes së hetimeve, Krimet e Rënda kërkuan në Kuvend autorizimin për arrestimin e Tahirit dhe kontrollit të shtëpisë së tij, por Partia Socialiste rrëzoi kërkesën për arrestim.
Në disa dalje publike, Tahiri i ka hedhur poshtë akuzat e prokurorisë. Në intevistën e tij në emisionin “Opinion” të datës 19 tetor, Tahiri mohoi gjithashtu të zotëronte ndonjë mjet lundrues.
Sipas raportimit të mediave, Orest Sota ka deklaruar në polici se paratë do t’i përdorte për të likujduar disa fatura të blerjes së hekurit në Elbasan. Sa i përket dy patentave për drejtim mjetesh lundruese të ish-ministrit Tahiri, Sota ka thënë se ato janë harruar në makinën e tij nga shoferi i ish-ministrit Tahiri, të cilin e kishte mik.
Arrestimi i Sotës u denoncua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i akuzoi drejtuesit e policisë, ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeministrin Rama se kishin ndikuar për të fshehur faktin e gjetjes së patentave të Tahirit në makinën e Sotës.
Të shtunën, Basha i ka ashpërsuar akuzat e tij, përmes një postimi në Facebook.
“E gjithë shuma prej 800 mijë euro është e Saimir Tahirit, ashtu si dy patentat për drejtim mjetesh lundrimi të tonazhit 20 deri 100 ton,” shkroi Basha duke iu referuar “burimeve të sigurta”.
“Orest Sota ka mohuar njohjen me Tahirin, ndërkohë që rezulton se me këtë makinë kanë lëvizur disa herë jashtë shtetit bashkë,” shtoi ai.
E vënë nën akuzë për fshejen e të dhënave të kësaj ngjarje nga opozita, Drejtori i Policisë së Elbasanit Altin Qato, në një konferencë për mediat tha se patentat nuk ishin përmendur pasi mbajtja e tyre nuk përbën vepër penale.
“Në makinën e Orest Sotës janë gjetur dy leje drejtimit të ish-ministrit Tahiri. Ne nuk e bëmë publike gjetjen e patentatve të ish-ministrit Tahiri, pasi nuk përbën vepër penale”, deklaroi Qato.