Obeziteti, mosushqyerja dhe ndryshimet klimatike janë kërcënimet më të mëdha për popullsinë e botës, tha të dielën një komision i lartë, duke bërë thirrje për një plan të detyrueshëm dhe triliona dollarë për të shmangur rreziqet.
Një fond prej një miliard dollarësh dhe strategji veprimi që synojnë politikën dhe prodhimin e ushqimit nevojiten urgjentisht për të mbështetur shëndetin, mjedisin dhe mirëqenien ekonomike, tha raporti nga Lancet Comission on Obesity, një panel ekspertësh në bujqësi, ekonomi, të drejtat e njeriut dhe fusha të tjera.
Tre problemet e obezitetit, mosushqyerjes dhe ndryshimeve klimatike janë të ndërthurura me metodat e prodhimit bujqësor, transportit, dizajnit urban dhe përdorimit të tokës dhe do të dëmtojnë rëndë popullsinë dhe planetin, tha komisioni.
“Ajo që ne po bëjmë tani është e paqëndrueshme,” tha William Dietz, autor i studimit dhe ekspert i shëndetit publik në Universitetin George Washington.
“E vetmja gjë që mund të shpresojmë është që të përhapet një lloj ndjenje urgjence,” tha ai në një konferencë me gazetarë. “Koha në dispozicionin tonë po mbaron.”
Subvencionet qeveritare prej 500 miliardë dollarësh për industrinë e mishit, të bulmetit dhe të ushqimit në mbarë botën duhet të zhvendosen në një bujqësi të qëndrueshme dhe të shëndetshme dhe 5 trilionë dollarë në subvencionet e karburanteve fosile duhet të kalojnë për energjinë e rinovueshme dhe transportin e qëndrueshëm, tha komisioni.
Të tre rreziqet globale janë të lidhura me shkaqe të tilla si prodhimi masiv i ushqimit të përpunuar, ushqimi pa vlera ushqyese që shkakton jo vetëm obezitet, kequshqyerja, si edhe emetimet e mëdha të gazrave serrë që kontribuojnë në ndryshimet klimatike, tha raporti.
Prodhimi bujqësor dhe shpërndarja e tij kontribuojnë në rritjen e temperaturave globale, thatësirës dhe motit ekstrem, tha ai.
Organizata Ndërkombëtare e Ushqimit dhe Bujqësisë ka thënë se bujqësia, pylltaria dhe përdorimet e tjera të tokës janë përgjegjëse për një të katërtën e emisioneve të gazrave serrë që ngrohin planetin.
Problemet janë përkeqësuar nga mosveprimi nga ana e politikbërësve, ndikimi nga kompanitë ushqimore që kërkojnë fitime mbi politikën publike dhe mungesa e kërkesës për ndryshim nga publiku, tha raporti.
Për ta ilustruar këtë, thuhet se në vitin 2016, kompanitë që bënë pije të mbushura me sheqer shpenzuan pothuajse 50 milionë dollarë për të lobuar kundër nismave të qeverisë amerikane për të reduktuar konsumin e pijeve që mendohet të kontribuojnë në kequshqyerje dhe obezitet.
“Me fuqinë e tregut vjen fuqia e industrisë, tha Tim Lobstein, një autor i komisionit dhe drejtor politike në Federatën Botërore të Obezitetit, një grup profesional britanik.
“Edhe qeveritë e gatshme mundohen shumë për të vënë në zbatim politika kundër presionit të industrisë,” tha ai.
Rreth 4 milionë vdekje çdo vit janë të lidhura me obezitetin dhe rreth 815 milionë njerëz janë të nën ushqyer, tha komisioni.
Komisioni tha se një marrëveshje e detyrueshme ndërkombëtare, e ngjashme me atë të arritur për ngrohjen globale në vitin 2015, është e nevojshme për të trajtuar dhe përmirësuar prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit.
Tre vjet më parë, rreth 200 kombe u mblodhën në Paris për të rënë dakord mbi një pakt, aspektet e të cilit janë ligjërisht të detyrueshme, për të ulur emetimet e gazrave serrë për të luftuar ngrohjen globale.
Marrë me autorizim nga Weforum.org. These are the three biggest threats facing humankind today