Në Kroaci, disa peshkatarë kalojnë kohë duke u mësuar tregtinë e tyre turistëve, duke fituar para për të mbajtur gjallë një traditë që vazhdon prej shekujsh.
Sebastijan Raljeviçi doli me varkën e tij të vogël të peshkimit dhe nxori dy rrjeta nga ujërat e Kanalit Lavdara të Kroacisë në brigjet e Adriatikut dhe inspektoi përmbajtjen e tyre.
“Në rrjeta ka pak peshk,” tha ai. “Më duhen 50 euro në ditë për të mbijetuar dhe aktualisht zë peshk që në total arrin një vlerë prej 10 eurosh.”
Raljevic është i fundit në një linjë të gjatë peshkatarësh në familjen e tij në ujërat përreth parkut kombëtar Telascica në ishullin Dugi Otok. Por asnjë nga paraardhësit e tij nuk u përball me atë që përballet ai tani: mungesë peshku.
“Babai dhe gjyshi im merreshin vetëm me peshkim dhe ishin shumë mirë. Edhe unë e nisa duke u marrë vetëm me peshkim, por tani nuk mbijetoj dot vetëm me këtë gjë. Më duhet të bëj edhe ndonjë punë tjetër.”
Për fat të mirë për Raljeviçin, ai tani ka diçka tjetër, një projekt pionier i realizuar nga Fondi Botëror për Natyrën dhe FishMPABlue2, një projekt i bashkëfinancuar nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal për të përmirësuar qëndrueshmërinë e peshkimit në shkallë të vogël në ujërat e Mesdheut.
Raljeviç është një nga tre peshkatarët “kampionë” të projektit në Kroaci, të cilët nën këtë program, tani i kushtojnë një pjesë të javës së tyre të punës mësimit të turistëve se si të peshkojnë.
Duke qenë në gjendje të flasë rrjedhshëm pesë gjuhë të huaja, Raljeviç nuk ka më nevojë të hedhë në det dhjetë rrjeta në ditë, por vetëm dy dy. “Unë fitoj 10 euro në ditë nga peshkimi dhe 40 të tjera nduke bërë turizëm,” tha ai për BIRN. “Me turistët nuk kam nevojë të zë 100 kg peshk. Më mjafton të zë vetëm pesë kilogramë për drekë.”
Përfshirja e peshkatarëve në menaxhim
Padyshim që Mesdheu është deti me më shumë peshq në botë.
FishMPABlue 2 synon të mbrojë biodiversitetin e detit dhe ekosistemet ndërsa përmirëson qëndrueshmërinë e peshkimit në shkallë të vogël, duke u përqendruar në zonat e mbrojtura detare.
Turizmi i peshkimit është vetëm një nga një numër masash që po vihen në zbatim. Masa të tjera përfshijnë zona të tjera “të ndaluara”, përdorimin e rrjetave më selektive dhe bashkëpunim më të mirë midis peshkatarëve dhe Zonave të Mbrojtura Detare, MMP.
“Përvoja e përditshme e peshkatarëve me detin dhe peshkimin, e kombinuar me njohuri shkencore dhe një kuadër të mirë ligjor, është thelbësore për fatin e Detit Mesdhe,” tha Milena Ramov, menaxhere e Parkut Natyror Telascica.
“Përfshirja e plotë e peshkatarëve në menaxhimin e industrisë së peshkimit në zonat e mbrojtura do të sigurojë qëndrueshmërinë e burimeve detare në planin afatgjatë. Vetëm duke punuar së bashku, ne mund të marrim vendime të duhura dhe të shohim rezultate pozitive.”
Megjithatë, kur ata e nisën këtë tre vjet më parë, shumë ishin skeptikë.
“Në fillim nuk dinim çfarë të bënim,” tha menaxheri i projektit FishMPABlue 2, Danijel Kanski. “Në fillim,” tha ai, “peshkatarët “nuk donin të flisnin.”
Menaxheri i projektit Mosor Prvan tha se ata shkuan t’i shpjegonin personalisht tek çdo person qëllimet e tyre.
“U treguam tyre atë që po përpiqemi të arrijmë, por gjithashtu duke u kërkuar atyre të na tregonin problemet e tyre dhe të ulemi së bashku dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë në lidhje me këtë,” tha Prvan për BIRN.
“Nuk premtuam se do të zgjidhnim ndonjë gjë sepse ne nuk mund të premtojmë. Ne nuk jemi një shtet, por një OJQ dhe ne ndihmojmë. Por u premtuam atyre kohën dhe vëmendjen tonë.”
Tani janë 15 peshkatarë në bordin e bashkë-menaxhimit të Parkut Natyror Telascica. Aftësitë sociale ishin jetësore, tha Prvan – “mënyra se si u qasesh këtyre njerëzve, fiton besimin e tyre dhe në fund arrini në një marrëveshje të përbashkët për të bërë një ndryshim pozitiv. Kjo është historia e Telascicës.”
Sytë nga Shqipëria
Turizmi nuk është opsioni i vetëm që po shihet.
“Të jem i sinqertë, edhe ne tani po fillojmë ta kuptojmë këtë,” tha Prvan. “Nuk ka asnjë zgjidhje të vetme unike dhe ne nuk po përpiqemi t’i bëjmë peshkatarët të ndalojnë peshkimin,” tha ai.
“Ne dëshirojmë që tradita e peshkimit të ruhet, por nëse vazhdojmë të peshkojmë më shumë seç duhet dhe thjesht të merremi me peshkim, atëherë është e pamundur. Jo të gjithë duhet të merren me turizëm peshkimi. Nëse pesë nga 32 peshkatarë merren me turizëm peshkimi, atëherë pjesa tjetër mund të vazhdojë të peshkojë.”
FishMPABlue 2 thotë se tani po përpiqet ta zgjerojë projektin në Shqipëri duke identifikuar një vend pilot dhe duke punësuar një konsulent. Menaxheri i projektit Patrik Krstiniç tha se ata po studionin Parkun Detar Karaburun-Sazan, si dhe Vlorën dhe Porto Palermon.
Biologu shqiptar Niko Dumani ishte skeptik, megjithatë, në lidhje me përshtatshmërinë e Shqipërisë për një projekt të tillë.
“Nuk ka mbështetje për ruajtjen dhe përpunimin e kapacitetit të prodhimit,” tha ai. “Ka një nivel të ulët të ardhurash dhe varfërie. Anijet janë më shumë sesa 20 vjeçare, ata nuk kanë asnjë nxitje, asnjë mbështetje të shtetit për rinovimin e flotës dhe shumë anije janë jashtë shërbimit për shkak të mungesës së riparimeve dhe pjesëve të këmbimit.”
Krstiniç pranoi se peshkimi në Shqipëri ndryshonte në mënyrë të konsiderueshme nga ai në Kroaci.
“Në radhë të parë është natyrisht gjendja ekonomike e peshkatarëve. Në Kroaci, shumica e peshkatarëve kanë një lloj biznesi tjetër të përfshirë në turizëm. Ata nuk kanë problemet ekonomike të kolegëve të tyre në Shqipëri,” tha ai.
“Shumica e peshkatarëve që kam parë në Shqipëri janë shumë të varfër. Mund të shohësh varkat dhe pajisjet e tyre.”