Lajm5 Aug 2021

Turqi: Mijëra njerëz evakuohen ndërsa zjarret arrijnë në një termocentral

Anijet turke u desh të evakuonin mijëra banorë pasi flakët mbërritën në një termocentral pranë bregdetit, duke krijuar rrezikun e shpërthimeve dhe çlirimit të gazrave helmues.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Njerëzit duke u evakuar nga anijet e marinës turke. Foto: Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë.

Fshatrat në zonat përreth dhe një qytet i tërë u evakuuan me anije pasi zjarret e mëdha në qarkun bregdetar të Milas në rajonin e Egjeut të Turqisë mbërritën në termocentralin Kemerkoy të mërkurën në mbrëmje, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të zjarrfikësve për ta ndalur atë.

“Flakët kanë hyrë në termocentral”, tha kryetari i bashkisë së Milas, Muhammet Tokat, të mërkurën në mbrëmje në Tëitter, duke shtuar se stafi ishte evakuuar.

Autoritetet lokale thanë të enjten se flakët tani ishin nën kontroll, por ekspertët paralajmëruan për përhapjen e gazrave të dëmshëm në atmosferë si rezultat i qymyrit brenda në termocentral.

“Pretendohet se në termocentral ka 40,000 tonë stok qymyr. Nëse kjo është e vërtetë, ai paraqet një rrezik shumë serioz për ndotjen e ajrit dhe për pasojë për shëndetin e njerëzve në rajon”, shkroi në Tëitter një ish-nënsekretar në Ministrinë e Mjedisit, profesor Mustafa Ozturk.

Ai u bëri thirrje njerëzve të mos largohen nga shtëpitë e tyre dhe të mbajnë dritaret e mbyllura. “Ndotësit që do të vijnë nga djegia arbitrare e qymyrit janë ndotësit PM10, SO2, CO, NO2. Këta ndotës janë shumë të rrezikshëm për shëndetin”, shkroi ai.

Vendasit u evakuuan për shkak të kërcënimit të shpërthimeve dhe gazrave helmues.

“Ndërsa zjarret në pyje në rrethin Milas të Muglës iu afrua termocentralit në rajon, qytetarët tanë që u mblodhën në mol po evakuohen në rajone të sigurta me anije që i përkasin Forcave tona Detare”, tha Ministria e Mbrojtjes në Tëitter, duke ndarë fotot e evakuimit.

Rajonet jugore dhe jugperëndimore të Turqisë, përveç brigjeve të Egjeut dhe Mesdheut, janë goditur rëndë nga qindra zjarre pyjore të ndezura që nga java e kaluar.

Deri të enjten, më shumë se 170 zjarre konsideroheshin nën kontroll, por 15 zjarre të tjerë ishin ende jashtë kontrollit, duke kërcënuar kafshët e egra, pyjet, fermat dhe shtëpitë e njerëzve në Antalia, Mugla, Aydin, Denizli, Hatay dhe Isparta.

Tetë persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë lënduar nga flakët, ndërsa dhjetëra mijëra bagëti dhe kafshë të egra kanë ngordhur në flakë, pa përmendur zona të mëdha pyjore që janë djegur.

Dhjetëra fshatra dhe lagje janë shkatërruar plotësisht ndërsa disa të tjera, si dhe qytete të tëra në Antalia, Aydin dhe Mugla, u desh të evakuoheshin për shkak të kërcënimit.

Thatësira dhe valët jashtëzakonisht ekstreme të të nxehtit për shkak të ndryshimeve klimatike janë arsyet kryesore të pranuara për zjarret që kanë prekur Turqinë, Greqinë dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Megjithatë, ekspertët gjithashtu besojnë se rezultatet shkatërruese të zjarreve në Turqi janë edhe pasojë e faktit që qeveria e ka keqmenaxhuar krizën dhe për shkak të mungesës së avionëve të zjarrfikësve.