Analize19 May 2021

Turqia bëhet deponia e mbeturinave të Evropës

Turqia është bërë destinacioni numër një i mbeturinave, duke përfshirë mbeturinat plastike, nga Evropa, por ekspertët thonë se vendi zor se mund të riciklojë mbeturinat e veta, që do të thotë se mjedisi dhe shëndeti publik janë në rrezik.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Një vendgrumbullim plehrash në Adana në jug të Turqisë, ku janë hedhur dhe djegur në mënyrë të paligjshme mbeturina nga Evropa. Foto: Greenpeace / Caner Ozkan

Mbetjet plastike nga Evropa po hidhen në Turqi, sipas një raporti të botuar nga Greenpeace më 17 maj.

Provat fotografike dhe ato me video tregojnë se qese plastike dhe paketime nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania po hidhen dhe digjen në të gjithë Turqinë e jugut.

Sipas Greenpeace, rreth 241 kamionë me mbeturina plastike vijnë në Turqi çdo ditë nga e gjithë Evropa.

Eksportet e mbetjeve plastike vetëm nga Mbretëria e Bashkuar në Turqi u rritën me një faktor prej 18 midis vitit 2016 dhe 2020, nga 12,000 tonë në 210,000 ton, me Turqinë si destinacionin përfundimtar për gati 40 për qind të eksporteve të mbetjeve plastike të Mbretërisë së Bashkuar.

Ekspertët dhe grupet ndërkombëtare të mjedisit paralajmërojnë se këto mbeturina dhe mbeturina të tjera, veçanërisht plastike, po grumbullohen në Turqi dhe po digjen ose asgjësohen në mënyrë të paligjshme me pak kujdes për mjedisin ose ligjin.

“Siç tregojnë këto dëshmi të reja, mbetjet plastike që vijnë nga Evropa në Turqi janë një kërcënim mjedisor dhe jo një mundësi ekonomike”, tha Greenpeace. “Importet e pakontrolluara të mbetjeve plastike nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse shtojnë problemet ekzistuese në sistemin e riciklimit të Turqisë.”

Koray Dogan Urbarli, bashkë-zëdhënës i Partisë së Gjelbër Turke, tha se Turqia po haste vështirësi në riciklimin e mbeturinave të saj, jo më ato të vendeve të tjera.

“Turqia nuk e ka kapacitetin për të ricikluar ose për të asgjësuar mbeturinat e eksportuara”, tha ai për BIRN. “Si për ironi dhe në mënyrë absurde, Turqia nuk mund të riciklojë apo të asgjësojë si duhet mbeturinat e saj.”

Kërcënimi është më i madh në jug të Turqisë, tha ai, ndërsa qeset plastike nga supermarkete holandeze, gjermane dhe britanike mund të gjenden në Mesdhe.

“Kjo do të ketë një ndikim të pashembullt në mjedisin dhe shëndetin publik në Turqi.”

Turqia “po dështon në mënyrë spektakolare”

Ekipi i Greenpeace gjeti paketime plastike nga Mbretëria e Bashkuar, markash gjermane dhe globale ushqimesh dhe pijesh. Turqi. Foto: Greenpeace/Caner Ozkan

Në një raport më 16 prill, Bashkimi Evropian tashmë e kishte identifikuar Turqinë si destinacionin kryesor për mbeturinat e bllokut – rreth 11.4 milionë ton në 2019, ose tre herë më shumë sesa në 2004.

Destinacioni i dytë më i madh ishte India, e cila mori pothuajse 2.9 milionë ton mbeturina nga BE-ja në 2019, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (1.9 milionë ton), Zvicra (1.6 milionë ton) dhe Norvegjia (1.5 milionë ton).

Sipas Urbarli, kjo ndodhi për shkak të vendimit të Kinës për të mos pranuar më mbeturinat e Evropës.

“BE-ja gjithmonë i ka dërguar mbeturinat e saj në Turqi. Ky nuk është një trend i ri, por vendimi i Kinës në vitin 2018 për të mos blerë plehra evropiane dhe mbeturina të tjera e ndryshoi fatin e vendit”, tha ai për BIRN.

Në fakt, sipas të dhënave të BE-së, eksportet e mbeturinave të bllokut drejt Kinës kanë rënë nga një kulm prej 10.1 milionë ton që ishte në 2009 në 1.2 milion ton në 2019.

Në 2018, Kina njoftoi se nuk dëshironte më të ishte deponia e mbeturinave të botës dhe të riciklonte rreth gjysmën e produkteve plastike dhe të letrës në glob.

Turqia është bërë adresa e re dhe ekspertët janë të shqetësuar për këtë.

“Nëse Turqia dëshiron vërtet të jetë Kina e radhës në riciklimin e mbetjeve që po importon, ajo duhet të ndërtojë infrastrukturën për të ricikluar këto importe”, tha Gokce Sencan, një studiuese e politikave të ujit dhe mjedisit me bazë në SHBA.

“Por unë jam e shqetësuar se të gjitha mbeturinat që importohen nuk rregullohen siç duhet.”

“Nuk ka interes për krijimin e një industrie të fortë, fitimprurëse riciklimi në Turqi, siç bëri Kina në një farë mase para se të ndalonte importimin e mbeturinave në 2018.”

“Ky fiasko i importit të mbeturinave është një tjetër shembull që Turqia po përpiqet të imitojë politikat e vendeve të tjera dhe po dështon në mënyrë spektakolare, sepse politikëbërësit tanë hidhen në veprim para se të kuptojnë çështjen me të cilën po merren.”

Krizë mjedisore dhe e shëndetit publik

Mbetje plastike të Evropës që hidhen dhe digjen në Turqi. Foto: Greenpeace/Caner Ozkan

Urbarli i Partisë së Gjelbër Turke tha se qeveria turke dhe kompanitë turke kanë më shumë faj sesa Evropa.

“Turqia është më afër Evropës sesa vendet e tjera në Azi dhe kjo i bën këto mbeturina më të lira për kompanitë turke”, tha ai. “Detyra e riciklimit i takon komunave dhe autoritetet lokale shpesh ia delegojnë këtë kompanive private.”

“Ne nuk e dimë se si këto kompani i eksportojnë mbeturinat e Evropës, ku i ruajnë dhe si i asgjësojnë dhe riciklojnë ato, sepse nuk ka transparencë dhe mediat turke, për fat të keq, nuk e raportojnë këtë çështje si duhet për shkak të lidhjeve të tyre me biznesmenë dhe çështjeve që lidhen me pronësinë e një shumicë të mediave turke.”

Ministria Turke e Mjedisit dhe Urbanizimit ndërmori masa më 7 maj, duke njoftuar se kishte mbyllur 29 kompani dhe kishte vënë gjoba me vlerë 7.9 milion lira (750,000 euro) për 32 të tjera.

Ministri, Murat Kurum, u zotua se do të ulë importet e plehrave dhe do të rrisë kapacitetin e riciklimit të Turqisë.

Sencan tha se vetëm kjo nuk do të mjaftonte.

“Unë mendoj se qeveria po dështon në shumë fronte përsa i takon politikave mjedisore”, tha ajo. “Mungesa e ndonjë infrastrukture riciklimi është një shembull i kësaj. Një tjetër është mungesa e rregullores për industritë që thjesht mund t’i hedhin mbeturinat e tyre kudo pa asnjë pasojë, të ndotin lumenjtë tanë dhe të helmojnë burimet tona të ujit, si ajo që ka ndodhur në Ergene për vite me radhë.”

Mungesa e kujdesit për shëndetin publik “është për të ardhur keq”, tha ajo.

“Turqia duhet të ndalojë menjëherë importimin e mbeturinave sepse ne nuk kemi infrastrukturën e duhur për t’i përpunuar dhe ndarë ato. Ajo do të vazhdojë të grumbullojë mbeturina nëpër deponi, ose do t’i djegë ato, që do të ishte një rrezik serioz për shëndetin e njeriut”, tha Sencan.

Sipas Sencan dhe ekspertëve të tjerë, ndotja e tokës dhe burimeve ujore mund të ndikojë në produktivitetin bujqësor dhe potencialisht në cilësinë e ujit që del nga çezmat.

Plastika në këto mbeturina mund të shpërbëhet në mikroplastikë dhe të përfundojë në trupin e njeriut përmes ushqimit dhe ujit.

“Mungesa e mbrojtjes së mjedisit në Turqi është një krizë e shëndetit publik po aq sa është një krizë ekologjike dhe duhet t’i jepet përparësinë që meriton çdo krizë e shëndetit publik”, tha Sencan.

“Nëse nuk ndërmarrim masa urgjente, nëse nuk vendosim masa të forta për mbrojtjen e mjedisit dhe të rregullojmë ndotësit, banorët e Turqisë do t’i ndiejnë pasojat e ndotjes në shëndetin e tyre.”