Lajm28 Jun 2017

U arrestuan për blerje votash, gjykata masë sigurie me arrest për dy anëtarët e LSI

Gjykatat në Shkodër dhe Korçë kanë vendosur masë sigurimi me arrest në shtëpi dhe arrest në burg për dy persona që u ndaluan të dielën gjatë votimeve me akuzë se po blinin vota. Avokatët thanë se të arrestuarit ishin të pafajshëm, por prokuroria thotë se ka prova dhe dëshmi që vërtetojnë fajësinë e të ndaluarve, njëri prej tyre përsëritës.

Autor: Elvis Nabolli, Dhorjela Çule BIRN Shkodër, Korçë
Printo

Paratë që iu kapën Izmir Bushajt në Shkodër

Gjykata e Korçës vendosi masë sigurie arrest me burg për Pajtim Myrtollarin, i cili u paraqit fiks pas 4 vjetësh në këtë gjykatë i akuzuar për blerje të votës. Myrtollari, i cili fitoi pafajësinë në Shkallën e Parë në Gjykatën e Korçës pas zgjedhjeve të vitit 2013, u arrestua sërish të dielën për të njëjtën akuzë ndërsa shërbente si koordinator i LSI në një nga lagjet e qytetit. Ndërkohë Gjykata e Shkodrës ishte më e butë me Izmir Bushaj i cili u la me masë sigurie arrest shtëpie, pasi kushuriri i tij po ashtu i arrestuar me akuzën se po e shiste votën ka dëshmuar sipas akuzës se 26-vjeçari me punë doganier në Vermosh, i kishte dhënë 60 mijë lekë për tre vota.

Avokatët mbrojtës i kanë cilësuar arrestimet të paligjshme dhe klientët e tyre të pafajshëm. Mbrojtësi i Myrtollarit i tha gjykatës se të gjitha akuzat ishin të pavërteta ndërs pretendoi se “prezenca e lekëve në automjet nuk është provë për akuzën që rëndon ndaj tij (Myrtollarit) pasi duke qenë koordinator ai kishte detyrimin që t’u çonte ushqim dhe ujë vëzhguesve dhe komisionerëve”.

Në Shkodër avokati Apollon Haxhi, i kontaktuar nga BIRN, nuk e pranoi akuzën për Izmir Bushaj, ndërsa shtoi se arrestimi ishte i paligjshëm, por të shtoi se përsa i përket masës së sigurisë ra dakort me kërkesën e prokurorisë.

Dy rastet e dyshuara për blerje të votës janë të parat që shkojnë në gjykatë pas zgjedhjeve, ndërsa përfaqësues të Partisë Demokratike që humbi zgjedhjet, thonë se fenomeni ishtë më i gjërë dhe akuzojnë për këtë kundërshtarët politikë.

Rasti i Shkodrës

Gjykata e shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë arrest në shtëpi me mbikqyrje elektronike për 26- vjeçarin Izmir Bushaj, me dëtyrë doganier në Vermosh, i cili akuzohet se shpërndante paratë me qëllim blerjen e votave  për LSI, një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare. Arrest në shtëpi është caktuar edhe për 30 vjeçarin Gëzim Bushaj, i afërm i doganierit cili dyshohet për “korrupsion pasiv në zgjedhje.”

Përpara trupi gjykues, 26 vjecari ka refuzuar të flasë ndërsa është përfaqësuar nga avokati mbrojtës Apollon Haxhi. Ky i fundit e ka cilësuar si të paligjshëm ndalimin e 26 vjeçarit. Ndërkohë prokuroria ka paraqitur një sërë provash përshfi këtu edhe dëshminë e 30-vjeçarit Gëzim Bushaj i cili pas arrestimit në flagrancë  nga policia ka deklaruar se 26 – vjeçari i kishte dhënë 6 000 lekë, që i janë gjetur në xhep, për t’i dhënë 3 vota Lëvizjes Socialiste për Integrim me 25 Qershor.

Sipas akuzës paratë që u janë sekuestruar të dy personave kanë të njëjtin numër serial.

Me këto prova prokurori i çështjes Ermir Lelcaj i ka kërkuar gjykatësit Tonin Sterkaj caktimin e masës së sigurisë arrest në shtëpi me mbikqyrje elektronike për dy të ndaluarit të cilët akuzohen për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “korrupsion pasiv në zgjedhje” të parashikuara nga nenet 328/a/b I kodit penal.

Gjykata pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve, e cilësoi të ligjshëm ndalimin, ndërsa caktoi masën e sigurisë që kërkoi prokurori dhe që është pranuar nga avokati. Po në Shkodër kryetari i Partisë Social Demokrate atje Përparim rraboshta po hetohet në gjendje të lirë pasi u ndalua duke shpërndarë pako me ushqime një ditë para ditës së zgjedhjeve. Rraboshta i cilësoi si dashakeqësi akuzat, ndërsa tha se ndihmat po shpërndaheshin për shtresat në nevojë me rastin e festës së Bajramit.

Rasti i Korçës

Ndërkohë Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ishte më e ashpër dhe caktoi masë sigurie me burg për 55-vjeçarin Pajtim Myrtollari, nga qyteti i Korçës. Gjykata ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Myrtollarit dhe ka marrë në konsideratë kërkesën e prokurorisë  e cila tha se Myrtollari ishte përsëritës. Pajtim Myrtollari, sipas organit të akuzës është arrestuar në kushtet e flagrancës “pasi në mjetin e tij së bashku me A.S kanë zhvilluar biseda të cilat cënojnë vullnetin e lirë të qytetarëve për të zgjedhur”. Sipas prokurorisë ai i ka premtuar një vend pune të riut A. S në këmbim të votës së tij dhe të njohurve të tij ç’ka përbën tentativën e parë për korrupsion ndërsa më tej organi i akuzës ka parashtruar edhe prova të tjera të cilat ngrenë dyshimet se 55-vjeçari ka ofruar edhe shuma monetare në këmbim të votës. “Në automjetin e tij personal janë gjetur lista zgjedhësish, numra kontakti si dhe shuma monetare prej 20 000 lekësh të cilat mendohet se do të përdoreshin në këmbim të votës përkundrejt subjektit politik të përfaqësuar prej tij (LSI)”, thuhet në akuzën e ngritur nga prokuroria. Kjo e fundit tha se Myrtollari ishte në ndjekje dhe se ka edhe rregjistrim të bisedave  që i cilësoi kompromentuese për Myrtollarin.

Ndërkohë mbrojtësi i të akuzuarit nuk ka pranuar asnjë nga akuzat. Sipas tij, shuma prej 20 000 lekësh e gjetur në automjet përdorej për të blerë ujë e ushqim për komisionerët. Avokati po ashtu e cilësoi precedentin e mëparshëm të klientit të tij si një element paragjykues që përdoret nga prokuroria duke ritheksuar se për cështjen e parë ai ka fituar pafajësinë.

Myrtollari u arrestua me të njëjtën akuzë në vitin 2013 së bashku me një person tjetër po për tentativë të blerjes së votës. Procesi atë kohë është mbyllur në favor të të akuzuarve duke u dhënë pafajësinë për shkak se provat e siguruara nga prokuroria janë konsideruar të pamjaftueshme. Prokuroria e apeloi çështjen, por ajo u mbyll pas amnistisë të dalë në atë kohë.  Në të dyja rastet 55-vjeçari ka pasur rolin e koordinatorit të forcës politike në lagjen 8 të qytetit të Korçës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *