Komiteti disiplinor i UEFA-s më 25 tetor do të vendosë për sanksionet kundër Rumanisë pasi tifozët e saj përdorën thirrje dhe slogane raciste kundër hungarezëve, kosovarëve dhe refugjatëve dhe ndezën fishekzjarrë në fushë një ndeshje të luajtur ditën e dielë.
UEFA të hënën akuzoi Federatën e Futbollit të Rumanisë për thirrje dhe banderola raciste në një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Serbisë që u zhvillua të dielën në Bukuresht.
UEFA thotë se “sjellja raciste” e tifozëve përfshinte thirrje kundër Hungarisë fqinje, banderola që i lidhnin refugjatët me terrorizmin dhe gjithashtu një video të postuar në rrjetet sociale ku shfaqen tifozë duke brohoritur në mbështetje të pretendimeve të Serbisë mbi Kosovën, si dhe pretendimet e Rumanisë mbi Moldavinë fqinje.
Tifozët gjithashtu pushtuan fushën dhe ndezën fishekzjarrë në stadiumin kombëtar në Bukuresht.
Paneli disiplinor i organizatës europiane të futbollit është planifikuar të vendosë mbi akuzat më 25 tetor, pasi Rumania do të përballet me Lituaninë në Ligën e Kombeve më 17 nëntor.
Federata e futbollit e Rumanisë është dënuar më parë për racizmin dhe sjelljen jo të mirë të tifozëve në të dy ndeshje të ekipit kombëtar dhe të klubeve të ndryshme të futbollit.
Në qershor të vitit 2015, komisioni disiplinor i UEFA-s e gjobiti federatën rumune me 10,000 euro dhe nuk lejoi disa tifozë të hynin në stadium pas sjelljes raciste nga tifozët gjatë një ndeshjeje mes ekipit kombëtar dhe Ishujve Faroe më parë atë vit.
Në vitin 2011, UEFA e gjobiti Rumaninë pasi tifozët shpalosën një banderolë në mbështetje të kriminelit serb të luftës Ratko Mlladiç në një ndeshje kualifikuese të Kampionatit Europian 2012 në Bukuresht kundër Bosnjës.
Federata e Rumanisë nuk ka komentuar për njoftimin e UEFA-s dhe nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN-it për një përgjigje deri në kohën e publikimit të lajmit.