Qindra efektivë të Forcave të Armatosura dhe tre helikopterë nuk kanë arritur ta shuajnë zjarrin në gadishullin e Karaburunit, i cili rrezikoi të digjte fshatin Dukat dhe kërcënon parkun kombëtar të Llogarasë.
Rreth 500 efektivë të Forcvave të Armatosura janë angazhuar prej orëve të para të mëngjesit të së martës në një operacionin për shuarjen e flakëve në gadishullin e Karaburunit.
“Flakët kanë vijuar të jenë aktive përgjatë natës, duke u kthyer në rrezik për banorët e fshatit Dukat,” tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë për shtyp.
“Aksioni po vijon prej orësh nga toka dhe nga ajri për të vënën nën kontroll flakët, në mënyrë që ato të mos përparojnë drejt Parkut të Llogarasë,” shtoi deklarata.
Fshati Dukat, i cili shtrihet ne një grykë të thellë e të thyer në këmbët e maleve Paliskë e Qore në gadishullin e Karaburinit, prej ditësh kërcënohet nga zjarri.
Megjithatë, sipas banorëve situata u bë kritike gjatë natës së të hënës, kur flakët dogjën stanet dhe iu afruan fshatit, çfarë ka sjellë dhe ndërhyrjen e ushtrisë.
“Nga ora 01:30 ishte katastrofë,” tha një djalë nga Dukati, i cili tregon se gjatë natës janë dëgjuar thirrje për ndihmë nga stanet, por fatmirësisht barinjtë kanë arritur të zbresin në fshat.
“Kanë kërkuar ndihmë rreth mesnatës, stanet janë djegur, doli fshati dhe bagëtitë i sollën poshtë,” shtoi ai, ndërsa theksoi se banorët ndjehen të rrezikuar pasi zjarri i ka ardhur “në dyert e shtëpive.”
Sipas banorëve, flakët kanë arritur rreth 500 metra larg banesave në lagjen e fundit Dukat Fushë, rrëzë Karaburunit. Efektivë e ushtrisë në terren po punojnë me kazma e lopata për të shuar flakët. Ndërkohë, tre helikopterë hedhim ujë nga kovat e tyre bambi me ngjyrë portokalli, me një kapacitet 2000 litra ujë secila.
Në një deklaratë për mediat, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se janë dërguar forca me helikopterë për të ndarë kanalet, të cilat do të ndalojnë përhapjen e flakëve drej Llogarasë.
“Zjarri është 2 kilometra larg Llogarasë dhe situata është bërë më e vështirë,” pranoi Peleshi.
“Po punojmë që mos lejojmë përparimin e flakëve drejt Parkut Kombëtar, por era nuk na favorizon,” shtoi ai.
Më herët, drejtori i Emegjencave Civile, Haki Çako theksoi se kërkesat për ndihmë nga BE-ja kishin rënë në vesh të shurdhët për shkak se situata me zjarret është e vështirë në gjitha vendet fqinje.
“Kemi kontaktuar me qedrën e emergjencave civile në Bruksel, kemi kërkuar nga mekanizmi i mbrojtjes civile evropiane mbështetje, por për shkak të situatës së rënduar në të gjithë vendet e Ballkanit nuk kemi marrë përgjigje,” tha ai.
Aksioni i forcave të ushtrisë kundër zjarrit në Karaburun është ndalur disa herë për shkak të erës së fortë. Një zjarrfikës, i cili nuk pranoi të identifikohej me emër, u ankua se ishte e pamundur të menaxhohej situata në këtë mënyrë.
“Kemi ditë që kërkojmë helikopterët, sot është shumë vonë,” tha zjarrfikësi, i cili theksoi se ndërhyrja më eficente ka qënë për të mbrojtur fshatin Dukat nga flakët dhe si rrjedhojë shpresojnë të mos këtë evakuime për shkat të zjarrit. Ndryshe nga fshati, prognoza e tij për parkun e Llogarasë ishte më pesimiste.
“Vështirë të arrijmë të shpëtojmë parkun e Llogorasë,” shtoi ai.
Ndryshe nga Dukati, Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje për evakuimin e fshatrave të Lunxherisë në bashkinë e Gjirokastrës, ku është rregjistruar dhe viktima e parë si pasojë e vatrave të zjarrit që kanë pushtuar vendin.
“U bëjmë thirrje banorëve të jenë bashkëpunues me strukturat shtetërore për të zbatuar urdhrin e evakuimit,” tha Ministri Peleshi nëpërmjet një deklarate në median sociale.
Një pjesë e efektivëve të Forcave të Armatosura dhe punonjësve të Emergjencave Civile do të zhvendosen nga Dukati drejt njësisë Administrative Lunxhëri-Antigone, ku si pasojë e erës, situata është agravuar dhe zjarri është shumë pranë banesave.