Ndërsa gjykimi nuk është befasues, pasi problemet midis Kroacisë dhe Serbisë ishin kryesisht politike, ai duhet të hapë diskutime mbi atë që shtetet janë të detyruara të bëjnë për viktimat e krimit.
Për habinë e askujt, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka hedhur poshtë një kërkesë të ngritur nga Kroacia në vitin 1999, ku akuzon Serbinë për gjenocid, dhe një pretendim nga Serbia të ngritur në vitin 2010, e cila akuzon Kroacinë për të njëjtën gjë. Kështu përfundojnë 16 vjet pozicionim strategjik rreth çështjeve me interes të ndërsjellë për qytetarët e të dy vendeve, në të cilat qeveritë e tyre kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje, por nuk kanë arritur as të fitojnë.
Ky vendim pritej, sepse ishte e qartë se të dyja pretendimeve u mungonin meritat. Askush nuk është dënuar apo akuzuar për gjenocid për ndonjë incident në luftën e viteve 1991-1995 në Kroaci dhe ndërsa ka prova të qarta të krimeve në shkallë të gjerë, asnjë nuk arriti nivelin e të qenit “kryer me qëllim për të shkatërruar, në tërësi ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar,” siç specifikohet në Konventën e Gjenocidit.
Në shkallën që Kroacia dhe Serbia u përballën me një problem ligjor, ky ishte edhe një problem i i brendshëm. Të dy shtetet duhej të përmbushnin detyrimin e tyre për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar njerëzit që kanë kryer krime, të zëvendësuar mohim dhe refuzimin me ndëshkim dhe përmbushje të nevojave të viktimave.
Në përgjithësi, problemet me të cilat u përballë Kroacia dhe Serbia nuk ishin ligjore që kërkonin të zgjidheshin nga një gjykatë. Ato ishin probleme politike që kërkojnë negociata dhe marrëveshje mes përfaqësuesve të dy qeverive përkatëse. Për pasojë, çështja nuk u prit me shpresa të mëdha ose edhe me shumë seriozitet nga shumica e vëzhguesve, qoftë këta në drejtësi apo politikë.
Pyetjet e ngritura, pa përgjigje
Në një nivel ky është turp. Nëse marrim parasysh se jurisprudenca në gjenocid është e shkurtër dhe jo shumë e gjerë – dënimi i parë në bazë të Konventës së Gjenocidit është dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ruandën, kundër Jean-Paul Akayesu në vitin 1998 – një numër i rëndësishëm pyetjesh mbeten pa përgjigje, në një rast kur një vendim i ligjshëm dhe një çështje e mirëpërgatitur mund të hedhin pak dritë mbi gjendjen.
Së pari, një nga pjesët më çorientuese në Nenin dy të Konventës së Gjenocidit, ku krimi i gjenocidit përcaktohet dhe perifrazohet “shkatërrim në tërësi ose pjesërisht”. Sa e madhe është një pjesë? Ekziston konsensus që gjenocidet që ndodhën në një shkallë shumë të madhe, si ai në Ruanda dhe gjenocidet naziste, e arrijnë këtë prag. Në këto gjenocide përfshihej një numër i madh viktimash dhe përmasa të mëdha të popullsive të grupeve të vëna nën shënjestër.
Në të njëjtën kohë (vetëm nëse vendimet në çështjet e Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit ndryshojnë) ligji ndërkombëtar njeh vetëm një gjenocid në luftës në Bosnje dhe bëhet fjalë për atë të Srebrenicës me rreth 8000 viktima. Vendimi nxjerr shumë konkluzione që vërtetojnë faktet, por përcaktojnë se shkalla apo qëllimi i tyre nuk është vërtetuar në mënyrë të mjaftueshme për të justifikuar arritjen në përfundimin se ka qenë gjenocid. Janë të nevojshme standarde konkrete për të vendosur kufijtë për përkufizimin e gjenocidit.
Së dyti, të gjitha vendimet ekzistuese për gjenocid janë dhënë nga gjykatat kundër individëve. Ky në fakt është i vetmi lloj vendimi që mund të japin këto gjykata, duke qenë se vetëm individët mund të gjykohen para tyre. Por këto të dhëna kanë shumë pak kuptim. Gjenocid nuk është një krim i planifikuar, i organizuar apo kryer nga një individ. Shkalla dhe qëllimi tij kërkojnë një shtet, ose të paktën një institucion që i ngjan një shteti. Palët në këtë rast po ftonin GJND-në të vendoste mbi përgjegjësinë e shteteve për gjenocid dhe të vendoste se ç’lloj provash janë të nevojshme për të treguar “përpjekje” politike dhe jo individuale. Kjo është një tjetër fushë ku vendimet ligjore do të ishin të dobishme, por këto lloje vendimesh do të duhet të merren në një çështje më substanciale.
Së treti, kjo ngre pyetjen se në çfarë lloji çështjesh gjykatat ndërkombëtare janë të gatshme apo të afta për të marrë vendime. Ligji ndërkombëtar e fillon historinë e tij nga një bazë e ngushtë, i përkushtuar për rregullimin e aktiviteteve si dërgesat. Kalimi i tij në çështje politike dhe ato të të drejtës humanitare vjen vonë, dhe në pjesën më të madhe të rasteve është marrë me ngurrim. Si në çështjen e mëparshme të ngritur nga Bosnja dhe Hercegovina për gjenocid, në këtë rast GJND-ja nuk shkoi përtej konkluzioneve të marra tashmë çështje të ngjashme nga GJND-ja. Çështje të këtij lloji testojnë kapacitetin e gjykatave ndërkombëtare për të bërë zbulime të pavarura dhe për vendosjen e standardeve të pavarura në të drejtën ndërkombëtare, dhe deri tani tendenca e gjykatave ndërkombëtare ka qenë të deklarojnë se ato do të parapëlqenin që ky kapacitet të kufizohej.
Së katërti, edhe pse GJND-ja nuk është në gjendje të vendosë gjoba – autoriteti i saj është i kufizuar në përcaktimin nëse një shtet ka shkelur një marrëveshje ndërkombëtare – vendimi fton në diskutime në lidhje me atë që shtetet janë të detyruar të bëjnë për viktimat e krimeve. Ndërsa është e vështirë t’i përgjigjesh pyetjes se cili do të ishte një dënim i duhur për gjenocid, është e arsyeshme dhe e nevojshme të marrin në konsideratë se si duhet të përgjigjen shtetet. Në këtë rast, reagimi i GJND-së ishte i kufizuar. Ajo vuri në dukje paaftësinë e prokurorive në të dyja shtetet dhe i ftoi të dy shtetet të zgjidhin problemet e personave të zhdukur. Ky është një fillim modest, por thekson faktin se shtetet e kanë për detyrim t’i përgjigjen nevojave të viktimave, pavarësisht nëse ata janë viktima gjenocidi apo të një krimi tjetër.
Pritshmëri jo reale
Konsiderata të tilla nuk duket të kenë qenë në mendjet e politikanëve, të cilët e çuan para çështjen. Më saktë, ata dukej se parashikonin rezultate politike që GJND-ja nuk ishte gjasa t’i merrte. Orsat Miljenić, Ministri i Drejtësisë në Kroaci, ka shprehur pritshmërinë e tij se “ne do të tregojmë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në Kroaci, krimet e kryera kundër popullit tonë, cilët sulmuan cilin dhe do t’ia kalojmë përgjegjësinë shtetit tonë fqinj”. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, parashikoi se gjyqi “do të t’i japë më në fund një përgjigje pyetjes së kush është kriminel më i madh”.
Është e qartë se gjykata asnjëherë nuk ka qenë e aftë të marrë vendime në lidhje me se kush ka qenë më i lig, siç sugjeron Daçiç, apo të vendosë se cili shtet ka kryer agresion, kur nuk është kjo akuza e bërë, siç sugjeron Miljeniç. Madje, nuk ishte e arsyeshme të prisje rezultate të tilla në një gjyq ku gjykatësve u kërkohet të vendosin nëse secili nga shtetet kishte shkelur Konventën e Gjenocidit (dhe ku përgjigja që ishte e qartë për të gjithë para kohe, ishte se asnjëri nuk e kishte shkelur Konventën).
Pra, kjo çështje eci kaq para? Para së gjithash, sepse politikanët nuk mund të binin dakord për ta tërhequr atë. Kjo na tregon diçka rreth grupeve të ndryshme që kanë zaptuar pozicionet e lidershipit politik në të dy vendet që nga viti 1999, kur u ngrit për herë të parë padia fillestare. Por mund të ketë pasur arsye të tjera që shtetet të kërkonin të vendosej për gjenocid, sado në mospërputhje me faktet mund të ketë qenë ky qëllim.
Kjo çështje ndoshta tregon diçka rreth evolucionit dhe valencës së termit “gjenocid”. Kur Raphael Lemkin shpiku termin, ai donte të mbushte një zbrazëti që do të përshkruante akte kaq tronditëse për ndërgjegjen, saqë termat ekzistues ligjorë – si për shembull “krime kundër njerëzimit”, të shpikura njëzet vjet më parë për të njëjtin qëllim – dukeshin të paafta për t’i shpjegonin ato.
Ekzistenca e një krimi maksimal bën çfarëdolloj krimi tjetër të zvogëlohet në krahasim me të. Për pasojë, gjenocidi ka marrë një vlerë politike për një numër të aktorësh në skenën politike. Bashkangjitja e gjenocidit një sëre ngjarjesh funksionon si pretekst për të kërkuar njohje dhe si justifikim për ndonjë akt të marrë në kundërshtim me të. Kjo është arsyeja pse kemi parë më shumë vëmendje për klasifikimin sesa për parandalimin e krimit – klasifikimi i shërben interesave të një publiku më të fuqishëm.
Çfarë duhet të bëjnë politikanët
GJND-ja u kufizuar nga statuti i saj për dhënien e një gjykimi mbi çdo krim tjetër përveçse për shkeljet e Konventës së Gjenocidit, dhe duke qenë se nuk gjeti asnjë shkelje të Konventës, ajo nuk pranoi asnjë nga pretendimet e palëve. Megjithatë, teksti i gjykimit ku paraqiten provat është tepër interesante. Gjykatësit kryesisht konfirmojnë faktet e vrasjeve, sulmeve ndaj civilëve, migrimin e detyruar dhe krime të tjera, dhe theksojnë se këto krime janë të pakundërshtueshme. Qëllimi i përgjithshëm është të konfirmojë atë që vëzhguesit tashmë e dimë: se asnjë nga shtetet nuk ka përmbushur detyrën e tij për të ndjekur penalisht krimet e kryera kundër civilëve ose për të kompensuar njerëzve që u prekur nga ato.
Si rezultat mund të themi se qëllimi politik i asnjërit nga shtetet nuk u arrit me vendimin e gjyqit. Asnjë nga shtetet nuk deklaroi që kundërshtari i tij kishte kryer gjenocid dhe të dyja palëve iu dorëzuan vërtetime gjyqësore për krime të mëdha. Pra, në këtë kuptim, vendimi mund të mendohet se ofroi një fund të përshtatshëm për një luftë të kushtueshme, të ulët dhe të pakuptimtë. Nuk ka përfitime për publikun apo për politikanët. Në vend të kësaj ka pasoja që shtetet janë të detyruar t’i trajtojnë me marrëveshje të përbashkëta, një punë që ata kanë vërtetuar se janë të paaftë ta bëjnë.
Kjo çështje do të mbahet mend kryesisht se i solli fitime të mëdha financiare një grupi të vogël avokatësh, të cilët kaluan vite në një aktivitet që nuk i shërbeu asnjë interesi publik në asnjë shtet. Me një numër shumë më të madh fjalësh, gjykatësit u thanë atyre se shtetet nuk duhet të presin që një gjykatë të zgjidhë mosmarrëveshjet e tyre që janë politike e jo ligjore. Edhe pse ka shumë mundësi të mos e bëjnë, fundi i kësaj maratone është një çast i mirë që politikanët të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Çështja e pensioneve dhe pronës duhen rregulluar, fati i personave të zhdukur duhet të sqarohet, njerëzit që kanë kryer shkelje të ligjit duhet të ndiqen penalisht dhe rrjetet kriminale duhet të ekspozohen. Një çështje që vazhdon prej kohësh në gjykatën ndërkombëtare mund të ketë qenë preteksti për të mos vepruar vitet e fundit. Tani ai pretekst nuk ekziston më.