Lajm18 Mar 2019

Vetëdorëzohet polici i akuzuar se punoi me kultivuesit e kanabisit në Vlorë

Ish-punonjësi i policisë Renaldo Avdyli i shpallur në kërkim policor në tetor 2016 si i implikuar në trafikun dhe kultivimin e kanabisit me grupin kriminal të Taulant Haxhiraj u vetëdorëzua.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Printo

Fotografi e një plantacioni me kanabis në Shqipërinë e veriut publikuar nga policia në gusht 2016. Foto: Policia e Shtetit.

Ish-punonjësi i policisë Renaldo Avdyli i shpallur fillimisht në kërkim policor në tetor 2016 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i implikuar në trafikun e drogës me grupin kriminal të Taulant Haxhiraj u vetëdorëzua të hënën në policinë e Vlorës.

Avdyli u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si pjesë e një grupi kriminal të cilin ai e kishte ndihmuar duke dekospiruar aksionet e policisë. Ai po ashtu u përfshi në një hetim të dytë në dosjen kundër vëllezërve Habilaj dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por ndaj tij nuk u ngrit akuzë pas këtij hetimi.

Megjithatë Gjykata e Krimeve të Rënda në seancë paraprake në nëntor 2017 vendosi të ndryshojë veprën penale për punonjësin e policisë.  Gjykata ndryshoi akuzën për Avdylajn duke e akuzuar atë vetëm për shpërdorim detyre. Ndërsa të akuzuarit e tjerë të kësaj dosje u gjykuan dhe u dënuan për krijim të grupit të strukturuar kriminal nga Gjykata e krimeve të Rënda në Tiranë, çështja për Avdylajn i cili u lehtësua nga akuzat iu dërgua në nëntor 2017 për kopetencë prokurorisë dhe Gjykatës së Vlorës.

Sipas prokurorisë Avdyli ish-oficer i policie në Vlorë dyshohej fillimisht se ishte pjesë e grupit kriminal që u godit në 2016. Atëherë policia arrestoi Taulant Haxhiraj, nga Vlora dhe bashkëpunëtorët e tij, dhe u kapën 7 mijë rrënjë kanabis. Prokuroria ngriti akuzë ndaj Avdylit si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal dhe kultivim të kanabisit, sëbashku me Haxhirajn, i dënuar në vitin 2018 me vendim të formës së prerë me 6 vjet burg, Shkëlqim Koçiaj i dënuar me 5 vjet e 4 muaj, Marius Barjami i dënuar për 5 vjet e 4 muaj, Xhovalin Baco i cili u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg.

Megjithëse prokuroria pretendonte në kërkesën për gjykim për të cilën BIRN raportoi në tetor 2017 se Avdyli kishte mbajtur komunikime të vazhdueshme me Haxhirajn dhe po ashtu kishte dekonpsiruar të paktën një aksion policie ndaj këtij grupi, gjykata vendosi që ai do të hetohej vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda në seancë paraprake zbuti akuzat ndaj Avdylit i cili deri të hënën ishte në arrati.