Partia Demokratike ka vendosur të çojë në Kuvend propozimet e saj për amendime kushtetuese duke iu përgjigjur kështu nismës për ndryshim të Kushtetutës nga Partia Socialiste për të shtyrë afatin e organeve të vetingut.
Demokratët iu rikthyen të hënën një propozimi të vitit 2018 për vetingun e politikanëve, si kundërpërgjigje ndaj kërkesës që Partia Socialiste dorëzoi në Kuvend për zgjatjen e afatit kushtetues të institucioneve të vetingut.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha njoftoi se grupi i tij parlamentar ka vendosur të dërgojë në Kuvend tre propozime për amendimin e Kushtetutës; zhbërjen e ndryshimeve të Kushtetutës për sistemin zgjedhor të miratura nga mazhoranca vjet në korrik, kalimin e politikanëve në veting dhe reformë të re territoriale.
Vetingu i politikanëve është një propozim i hershëm i opozitës, i kritikuar në vitin 2018 nga Komisioni Europan për Demokraci përmes Ligjit ose siç njihet ndryshe, Komisioni i Venecias. Basha tha se amandamentet e reja do të jenë në përputhje me opinionin e “Venecias”, duke lajmëruar se drafti do të depozitohet këtë javë në Kuvend.
“Venecia thotë se këtë proces duhet ta kryejë një njësi e posaçme e strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK, që të marrë përsipër një për në çdo deputet, kryetar bashkie, ministër apo kryeministër, krerët e institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, në raport me lidhjet e tyre apo të familjarëve të tyre me krimin,” tha Basha.
Të premten ishin socialistët që dorëzuan në Kuvend kërkesën për amendim të Kushtetutës duke kërkuar zgjatjen me 30 muaj të mandatit të institucioneve të vetingut. Çdo amendim kushtetues kërkon konsensus mes palëve në Kuvend dhe shumicë cilësuese.