Lajm8 Nov 2019

Vetingu në polici shkarkon zyrtarin e parë

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit shkarkoi nga detyra shefin e zyrës së trajtimit të ankesave në ShÇBA Tiranë, Oltion Shehu – masa e parë disiplinore e të ashtuquajturit veting në polici.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Drejtori i Sektorit të Ankesave në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Oltion Shehu | Foto: LSA

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i përbërë nga  Ela Kerka kryesuese, Marjeta Gjela relatore dhe Ana Kapaj, anëtare, shpalli të premten vendimin për shkarkimin nga detyra të oficerit të policisë së shtetit, Oltion Shehu.

Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur më herët gjatë kësaj jave, Shehu hasi në vështirësi për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë e tij e përbërë nga një shtëpi dy-katëshe dhe një makinë, ndërsa u justifikua para trupës gjykuese me punën në sektorin informal të ekonomisë në profesione të ndryshme si punonjës bingoje, kamarier dhe menaxher hoteli.

Në fillim të seancës dëgjimore, relatorja e çështjes, Marjeta Gjela shpjegoi se Oltjon Shehu e kishte nisur karrierën e tij në Policinë e Shtetit vitin 2014 si drejtor i Zyrës së Inspektimit të Ankesave të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ShÇBA. Ajo tha se në fillim të këtij viti, Shehu kishte kërkuar dorëheqjen dhe kishte punuar për pak kohë si specialist e më pas ishte emëruar si shef i Zyrës së Ankesave në ShÇBA. Gjela pohoi se vlerësimi i Shehut është kryer në të tri kriteret, për pasurinë, vlerësimin e figurës dhe profesionalizimin.

Vendimi për shkarkimin nga detyra mund të ankimohet nga subjekti në Gjykatën Administrative Tiranë.