Deri më tani, kriza e refugjatëve është penguar nga politika. Viti 2017 është një vit që na ofron mundësinë të veprojmë për të zgjidhur krizën e refugjatëve, jo vetëm në vendet e tyre të destinacionit dhe politikat në jetën e tyre të përditshme, por që në burim.
Në vitin 2015, në skenën globale shpërtheu kriza e refugjatëve. Viti 2016 provoi se ajo nuk do të largohet. Tani 2017 përfaqëson një çast të zgjedhjes.
Refugjatët u diskutuan shumë në Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos një vit më parë. Pas debateve në panel, simuluan dhe të realitetit virtual, pjesëmarrësit u edukuan dhe fuqizuan për të bërë një diferencë. Thelbi ishte shumë i përshtatshëm me Davosin: si të kthehet një sfidë në një mundësi. Siç theksoi dhe Christine Lagarde: “Me politika të përshtatshme – veçanërisht integrimi efektiv në tregun e punës – potenciali nga refugajtët mund të trajtohet për të na sjellë të gjithëve përfitim”. Po atë muaj 73,000 refugjatë mbërritën në Europë, por shpresat ishin të mëdha se do të gjendeshin zgjidhje.
megjithatë, ndërsa 2016 pa një rënie të mbërritjes së refugajtëve në Greqi, në Mesdhe u regjistrua viti më vdekjeprurës; më shumë se 5000 persona humbën jetën, kryesisht rrugës për në Itali. Në shkallë globale, numri i refugjatëve dhe njerëzve të zhvendosur brenda për brenda arriti në 65 milionë për herë të parë, me 86% në vendet në zhvillim pa burime të përshatshme për t’i ndihmuar ata. Më shumë se gjysma nuk janë në kampe, por në qytete, ku kuptimi dhe përmbushja e nevojave të tyre është e dobët.
Dhe ndërsa nevojat e refugjatëve shtohen, po kështu ndodh edhe me reagimin e ashpër kundër këtyre refugjatëve dhe kundër pikëpamjes së Davos për ndihmën që ata duhet të marrin. Ditë përpara se Mbretëria e Bashkuar të votonte për t’u larguar nga BE-ja, Nigel Farage zbuloi posterin e tij të rremë ku shfaqeshin pikat kufitare nga Kroacia në Slloveni, me sloganin: “Pika e thyerjes: BE-ja na ka lënë në baltë të gjithëve”. Një ditë pas sulmit të Omar Mateen të lindur në SHBA ndaj klubit të natës Pulse në Orlando, të Floridës, Donald Trump deklaroi: “Duhet të ndalojmë valën e jashtëzakonshme të refugjatëve sirianë në Shtetet e Bashkuara – nuk e dimë se cilët janë, ata nuk kanë dokumente dhe ne nuk e dimë se çfarë po planifikojnë”. Në fakt, SHBA-ja ka pranuar rreth 18,000 refugjatë sirianë që kur lufta filloi, më pak se 0.4% të numrit total të refugjatëve sirianë dhe duhen 18 deri në 24 muaj për një kontroll të së shkuarës për çdo refugjat që hyn në SHBA.
Numri i refugjatëve duket se do të rritet ndërsa presioni politik dhe ekonomik mbi buxhetet e zhvillimit rrezikon të pakësojë ndihmën efektive për refugjatët – duke rezultuar në faktorë më të fortë “shtytës” për refugjatët. E djathta ekstreme po fiton besim, me aleatë në media, përpara zgjedhjeve të ngushta në Francë, Gjermani dhe Holandë. Refugjatët do të vazhdojnë ta gjejnë veten të sakrifikuar, teksa fushatat politike dhe ekonomike intensifikohen në Europë.
Ky vit, 2017, duhet të jetë viti në të cilin zgjidhjet për krizën globale të refugjatëve jo vetëm diskutohen, por edhe zbatohen. Unë ofroj katër politika zgjidhjeje:
Së pari, Europa duhet të trajtojë siç duhet refugjatët që janë tashmë në kontinent. Kjo përfshin më shumë se 60,000 refugjatë ende të mbetur në Greqi, ku Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit po i mbështet ata në dimrin e dytë që po kalojnë në tenda në dëborë dhe stuhi, pa siguri për të ardhmen. BE-ja duhet të fillojë të përmirësojë kushtet e jetesës në Greqi dhe Itali dhe të punojë shpejt me kërkesat e tyre për azil, bashkim familjar dhe zhvendosje. Gjermania dhe Suedia nuk mund të vazhdojnë të mbajnë barrën më të madhe në pritjen e refugjatëve; vende të tjera duhet të luajnë gjithashtu pjesën e tyre. Vende si Portugalia, që janë të gatshme të pranojnë më refugjatë, por që e kanë të vështirë nga burimet e pamjaftueshme të BE-së për të analizuar pretendimet e refugjatëve, duhet të aftësohen për të ndihmuar.
Së dyti, SHBA-ja duhet të vazhdojë traditën e saj të marrjes së refugjatëve. Pavarësisht pretendimeve për të kundërtën, mbetet më e vështirë për një refugjat të futet në SHBA sesa në çdo itinerar tjetër. Testet biometrike, intervistat e shumta dhe kontrollet e emrave të kryera nga të paktën katër departamente qeveritare nënkuptojnë se refugjatët janë popullata më e kontrolluar në vend. Europa gjithashtu duhet të kuptojë se krijimi i një itinerari të sigurt, legjitim dhe të besueshëm për më të pambrojturit është një pjesë thelbësore e çdo mase për të luftuar trafikimin.
Së treti, duhet një reformë në ndihmën humanitare. Kjo nënkupton fund për politikat afatshkurtra, që çojnë në neglizhim të shëndetit të refugjatëve, arsimit dhe mjeteve të tyre të jetesës. Me burimet e pakëta që shpërndahen edhe më hollësisht, kjo nënkupton një fiksim absolut për vlerën e parave dhe ndikim të lartë, që mbështesin programet që kanë provuar se funksionojnë. Marrëveshja e Madhe, për të cilën u ra dakord në Samitin Humanitar Botëror majin e shkuar, ku zotohen që rezultatet të përqendrohen te zbatimi i këtyre programeve është guida më e mirë. Dhe me shumicën e refugajtëve që nuk mund të kthehen në atdhe për disa vite dhe ndonjëherë dekada, sigurimi i vendeve të punës për ta dhe një arsim për fëmijët e tyre është thelbësor. Kjo nënkupton ndërtim të aspekteve ekonomike që mbështesin mikpritjen e refugjatëve me një marrëveshje të re për vendet në zhvillim si Jordania dhe Kenia, të cilat aktualisht po mbajnë një barrë joproporcionale të refugjatëve.
Së katërti, bota duhet të ketë parasysh se kur neglizhohen ruajtja dhe bërja e paqes, refugjatët vijnë si rezultat. Rastet e izoluara të suksesit në ndërtimin e paqes – në Ballkan, në Sierra Leone, në Timori Lindor – tregojnë se sa e vështirë është. Por 2016 nënkupton se përballja me këto pasoja të neglizhimit, nga menaxhimi i fluksit të refugjatëve në integrimin e tyre, është po aq e vështirë për vendet perëndimore. Kështu, investimi në diplomaci dhe burime për t’i dhënë fund apo për të parandaluar konfliktet – dhe për të ruajtur zbatimin e ligjeve ndërkombëtare humanitare kur konfliktet shtohen – mbetet thelbësor.
Kriza e refugjatëve është njëkohësisht një pasojë e një bote më të ndërlidhur dhe një shkak i revoltës kundër globalizimit. Ajo përfaqëson një sfidë në politika dhe një sfidë politike. Problemi që nga fillimi i konfliktit sirian është se bërja e politikave është penguar nga politika. Zgjedhja përpara nesh është mjaft e thjeshtë: të zgjidhen problemet në burim dhe të bëhen politika të përbashkëta ose të lihen problemet të pazgjidhura dhe të ketë valë të paligjshme njerëzish që gjejnë zgjidhje dytësore.
Zgjidhja kërkon lidership nga qeveritë, por bizneset dhe OJQ-të duhet gjithashtu të jenë inovative dhe qytetarët duhet të mobilizohen. Ky është argumenti që unë dua të shoh të bëhet në Davos këtë vit.
Marrë me autorizim nga Weforum.org