Lajm8 Aug 2019

Vrasje ‘mafioze’ në Vlorë, viktima e dytë brenda 4 ditëve

Një tjetër atentat me armë zjarri është regjistruar në bashkinë Selenicë, duke shënjuar vrasjen e dytë në rrethin e Vlorës gjatë katër ditëve të fundit.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Printo

Dilaver Tozaj, 47 vjeç, i vrarë me armë zjarri në Selenicë. Foto: Jerola Ziaj

Në orët e mbrëmjes së të mërkurës është ekzekutuar pranë banesës së tij në Selenicë, Dilaver Tozaj, 47 vjeç. Viktima kishte ndërruar emrin dhe mbiemrin dhe njihej edhe si Nikola Ikonomi. Tozaj është gjetur nga kalimtarët e rastit në rrugë i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plumbave që kishte marrë në kokë dhe kraharor.

Policia ka gjetur në vendngjarje 7 gëzhoja pistolete, ndërsa mbi trupin e të ndjerit ishin derdhur 5 plumba.

Dilaver Tozaj ose Nikola Ikonomi rezulton i dënuar më parë për trafik narkotikësh nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 6 vite e 8 muaj burgim. Ndërkohë, policia ka shoqëruar 15 persona gjatë natës që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por ende nuk ka një pistë apo emra konkretë të autorit të dyshuar.

Policia mendon se ekzekutimi mund të jetë kryer nga një person i vetëm, i cili e ka njohur mirë zonën dhe ka studiuar lëvizjet e viktimës. Gjithashtu, autori mendohet të jetë një person i sprovuar, duke patur parasysh se e ka qëlluar viktimën në kokë dhe kraharor, vrasje këto tipike mafioze.

Mësohet se viktima, përpara se të ekzekutohej, është telefonuar nga ekzekutori dhe i është kërkuar të dilte në rrugë, përpara banesës.

E kaluara e viktimës është pista kryesore që po ndjek policia për të zbardhur vrasjen e radhës në këtë rreth.

Katër ditë më parë, në zonën e ish-kabinave të plazhit të vjetër u qëlluan me armë babë e bir, duke mbetur i vdekur Arben Beqiraj dhe plagosur djali i tij. Për këtë ngjarje, ndonëse janë identifikuar autorët e dyshuar, nuk është ndaluar asnjë prej tyre.