Blog16 Aug 2018

Vuajtja njerëzore si një mjet politik

Miliona njerëz po vuajnë në mbarë botën pasojat e konflikteve të dhunshme, por edhe të krizave politike dhe ekonomike, ndërsa politikanët shpesh përdorin vuajtjet dhe vdekjet e njerëzve si mjete të nevojshme në luftën e tyre për të mbajtur pushtetin. Nëse përpjekjet për zgjidhje të konflikteve nuk shtohen, panorama globale e të zhvendosurve dhe popullatës që vazhdon të vuajë pritet të mbetet e errët.

Autor: Caroline Flintoft Weforum.org
Printo

Njerëzit në Jemen mbajnë arkivolin e një djali të vrarë nga sulmi ajror saudit, gjatë një funerali në Saada të Jemenit. 13 gusht 2018. Foto: (AP Photo/Hani Mohammed)

Nga Siria në Jemen, nga Sudani Jugor në Venezuelë, lufta dhe kriza politike po shkaktojnë vuajtje në një shkallë të paparë në një brez.

Që konflikti dhe kriza marrin shumë jetë njerëzish, kjo nuk është lajm, sigurisht. Megjithatë përhapja e vuajtjes sot është tronditëse. Numri i njerëzve të zhvendosur në shkallë globale nga konflikti dhe përndjekja ishte 65.5 milionë në fund të vitit 2016, numri më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shifrat e publikuara më herët këtë muaj tregojnë se pati 11.8 milionë zhvendosje të brendshme në vitin 2017, afërsisht dyfishi i 6.9 milionë të 2016.

Numri i njerëzve që po përballen me uri akute në shkallë globale për shkak të konfliktit dhe destabilitetit arriti thuajse 74 milionë në tetëmblëdhjetë shtete në vitin 2017. Trendi është i qartë: lufta dhe kriza po shkatërrojnë më shumë jetë dhe mjete jetese, duke çuar më shumë drejt urisë dhe po largon gjithnjë e më shumë njerëz nga shtëpitë e tyre.

Pra, çfarë po ndodh?

Dekada e shkuar ka parë një rritje në konflikt dhe në dhunë politike.

Por thellimi i vuajtjes njerëzore nuk vjen vetëm nga lufta dhe dhuna. Vjen gjithashtu nga mënyra se si shumë aktorë – përfshirë liderë, qeveri dhe grupe joqeveritare të armatosura – po ndjekin objektiva ushtarakë dhe politikë.

Shpesh, këta aktorë përfitojnë nga deprivimi njerëzor. Ndonjëherë, ata me vetëdije shkaktojnë dhunë te civilët, duke sulmuar, zhvendosur me dhunë apo duke kontrolluar popullatat, përfshirë duke përcaktuar se kur dhe si ata mund të kenë akses te ndihma. Në kohë të tjera, ata përdorin taktika ushtarake të rënda ose taktika politike pa i kushtuar rëndësi vuajtjes së madhe që po shkaktojnë.

Ky instrumentalizim ose shpërfillje për dëmin ndaj civilëve është qartazi i dukshëm në disa prej konflikteve më të këqija të sotme, nga Jemeni në Siri dhe Sudanin Jugor.

Një shpërfillje e tij është gjithashtu një tipar shqetësues i shumë krizave politike dhe socio-ekonomike që nuk rezultojnë në konflikt të armatosur, por që prodhojnë kriza të shkallës së gjerë humanitare, si Venezuela.

Jemeni dhe Siria

Njerëzit janë mbledhur në vendin e një sulmi ajror në Saada, Jemen. 10 gusht 2018. Foto: (AP Photo/Kareem al-Mrrany)

Jemeni është në buzë të luftës civile rajonale.

Protagonistët kryesorë kanë përdorur taktika që kanë një kosto të tmerrshme humanitare.

Të gjitha palët kanë acaruar një krizë humanitare në një shkallë të jashtëzakonshme: mbi 22 milionë jemenë, 75% e popullatës, kanë nevojë për ndihmë humanitare, ndërsa 8.4 milionë janë në prag të zisë së bukës.

Pasi humbi plotësisht portin Hodeida në përgjigje të një predhe huthi të qëlluar në Riyadh në nëntor 2017, koalicioni e hoqi pjesërisht bllokadën muajin e kaluar. Kjo lëvizje ka lehtësuar pak vuajtjet e Jemenit. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lajmëruar një kontribuim prej 1.5 miliardë dollarësh në përpjekje humanitare të OKB. Megjithatë ndihma ka një hendek që nuk mund të zëvendësojë importet tregtare.

Lufta në Siri ka parë gjithashtu një vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore si rezultat i veprimeve nga të gjitha palët, asnjëra me më shumë pasoja se ato të regjimit të presidentit Bashar al-Assad. Regjimi vazhdimisht ka përdorur taktika që dëmtojnë me qëllim civilët për përfitim politik dhe ushtarak. Strategjia bazë për marrjen e zonave të opozitës ka qenë të privohen nga burimet, t’i degradohet infrastruktura dhe të shënjestrohen civilët dhe rebelët, në mënyrë që ata që kundërshtojnë të ikin ose të nënshtrohen ndaj autoritetit të regjimit. Synimi është të dërgojë një mesazh të qartë për çmimin e rezistencës.

Taktikat përfshijnë kontrollimin nëse dhe si ndihmat humanitare arrijnë te civilët në nevojë, tani rreth 13.1 milionë në total – thuajse dy e treta e popullsisë që ka mbetur në vend dhe një proporcion prej mbi 50% e popullatës së paraluftës. Këto shifra përfshijnë mbi gjashtë milionë vetë që përballen me pasiguri akute të ushqimit dhe mbi dy milionë në zona të rrethuara apo të vështira për t’u arritur nga OKB.

Mbështetur nga fuqia ajrore ruse, forcat qeveritare kanë bombarduar civilë dhe infrastrukturë civile – përfshirë shkolla dhe spitale – në zona të mbajtura nga rebelët. Ata kanë përdorur gjithashtu armë kimike ndaj civilëve.

Grupet rebele kanë kryer masakrat e tyre dhe rrethimet e zonave civile, ndonëse jo në të njëjtën përmasë sa regjimi. Ndërkohë, Shteti Islamik (ISIS) ka përdorur armë kimike, pavarësisht se në shkallë më të vogël se regjimi dhe ka kryer ekzekutime masive në zonat që kontrollon.

Sudani Jugor dhe Venezuela

Në këtë foto të 17 korrikut 2016, populli i Venezuelës pret në radhë për të kaluar në Kolumbi. Rreth 23 milionë vendas janë larguar nga Venezuela kryesisht drejt Kolumbisë, Ekuadorit, Perusë dhe Brazilit deri më qershor 2018. Foto: (AP Photo/Ariana Cubillos, File)

Në Sudanin Jugor gjithashtu palët e luftës civile kanë përdorur taktika që shkaktojnë qëllimisht vuajtje te njerëzit ose që tregojnë konsideratë të pamjaftueshme për ndikimin te njerëzit.

Trupat qeveritare, forcat rebele dhe grupet e armatosura nga të gjitha palët kanë sulmuar vazhdimisht civilët ose përmes mësymjeve dhe rrafshimeve i kanë lënë ata pa mjetet e nevojshme të mbijetesës.

Grupet e armatosura shpesh përpiqen të çojnë ndihmën te popullatat që kontrollojnë, ndërsa kërkojnë ta ndalojnë si një ndëshkim apo kërkesë besnikërie te popullatat që i perceptojnë si ndihmëse të armikut të tyre. Qeveria vetë është përpjekur të ndalojë ndihmat te popullatat nën kontrollin rebel si mjet për t’i bërë presion të pranojnë paqen në kushtet e qeverisë (megjithëse grupet e ndihmës ia kanë dalë të negociojnë akses me kalimin e kohës).

Kërcënimi apo sulmet ndaj punonjësve të ndihmës është diçka e zakonshme. Incidente të tilla janë aspekte të një qasje më të gjerë të “tokës së djegur” luftimi që nuk kursen as operacionet e ndihmës, ndërtesat mjekësore, institucionet fetare apo shkollat.

Luftëtarët shpesh sillen si banditë dhe duke marrë parasysh krizën financiare, ndihmat humanitare janë ndër të paktat gjëra të disponueshme për t’u vjedhur. Në mungesë të ligjit, në formën e sulmeve ndaj dërgesave të ndihmës dhe bllokimeve të rrugës të ngritura nga agjencitë e zhvatjes, këto çojnë në nevojë për hedhje nga ajri të ushqimit, një metodë e shtrenjtë, që pakëson sasinë e disponueshme për civilët e uritur.

Kriza humanitare e Venezuelës buron jo nga lufta, por nga kriza politike dhe krimi zyrtar, siç ilustroi një raport i fundit nga Grupi i Krizës.

Me ekonominë në një rënie të lirë, qindra mijëra venezuelianë po largohen nga varfëria, uria dhe epidemitë e sëmundjeve vdekjeprurëse.

Megjithatë qeveria gjithnjë e më shtypëse e presidentit Nicolas Maduro rezulton reformat ekonomike, nga frika se mjete të tilla do të kërcënonin pushtetin e tij dhe burimet. Politikat ekonomike aktuale – përfshirë çmimet dhe kontrollin e valutës, subvencionet shtetërore dhe racionalizimin e ushqimit, si dhe shpronësimin e aseteve komerciale – i sjellin menjëherë përfitime regjimit, mbi të gjitha ushtrisë. Përmbysja e këtyre politikave do të kërcënonte këto interesa.

Fqinjët e Venezuelës janë lënë të përballen me pasojat. Kolumbia tani ka pritur rreth 800,000 venezuelianë, 450 mijë prej të cilëve besohet se qëndrojnë në vend pa letra banimi. Shumë, veçanërisht ata me fonde të limituara, po përqendrohen në qytetin kufitar të Kukutës, duke iu shtuar varfërisë, problemeve urbane dhe papunësisë që ekziston tashmë atje. Me grupet e armatosura kolumbiane që luftojnë për kontroll të rrugëve joshëse të trafikimit përgjatë kufirit, e gjitha kjo mund të vërë në rrezik procesin e brishtë të paqes në vend.

Tolerancë më e lartë për dhunën?

Një burrë ecën pranë një ndërtese të dëmtuar në qytetin Homs të Sirisë. 15 gusht 2018. Foto: (AP Photo/Sergei Grits)

Siç ilustrojnë dhe këto çështje, dëmtimi me vetëdije i civilëve ose përdorimi i taktikave në lidhje me vuajtjen e njerëzve janë shumë të përhapura aktualisht në panoramën aktuale të luftës dhe krizës.

Më shqetësues është fakti që palët shtetërore dhe aleatët e tyre thuajse me siguri mbajnë pjesën kryesore të fajit.

Është e vështirë të përgjithësosh arsyet e këtij trendi – me fjalë të tjera, të identifikosh rrymat gjeopolitike që furnizojnë përhapjen e përdorimit të taktikave të tilla që shënjestrojnë dhe dëmtojnë civilët. Konfliktet janë të ndryshme sikurse shtetet e përfshira. Është e debatueshme nëse palët kanë më shumë gjasa të përdorin këto taktika sot apo nëse përdorimi i tyre vazhdon për shkak të rritjes së konfliktit.

Dukshmëria më e lartë e taktikave të tilla, duke marrë parasysh mbulimin mediatik, mund të kontribuojnë gjithashtu. Por një grup faktorësh duket se kanë ndihmuar për të krijuar një mjedis lejues për abuzime të tilla.

E para ndjek natyrën e tejzgjatur të shumë konflikteve. Ndërsa sot shumë luftëra priren të jenë brenda shtetit, shumica përfshijnë fuqi të jashtme dhe një sër grupesh të armatosura jo-shtetërore.

Është e vështirë të gjendet një zgjidhje që i përshtatet interesave të palëve në luftë – nga fuqitë kryesore madhore apo rajonale të përfshira, te aktorët kombëtarë, komandantët vendas që mund të kenë akses direkt në rrjedhën e të ardhurave dhe autonomisë së konsiderueshme.

Dhuna shpesh përhapet nëpër pjesë të mëdha të vendit, duke lënë pak zona të paprekura dhe pak vende të sigurta për civilet. Lufta urbanizohet gjithnjë e më shumë, ku grupet e armatosura joshtetërore strehohen me popullatën e përgjithshme, që do të thotë se lufta sjell më shumë kosto civile.

Në disa raste, teksa lufta zvarritet, urrejtja dhe përçmimi në rritje, dëshira për t’u hakmarrë ndaj abuzimeve dhe në shumë raste, dëshira për të mbrojtur interesat financiare që sjell destabiliteti priren të rrisin stimujt nga të gjitha palët për më shumë forma brutale të dhunës apo taktika që rezultojnë në dëm më të madh civil.

Në luftëra të karakterizuara nga krime masive kundër njerëzimit nga fillimi, sjellja e palëve ndërluftuese zor se përmirësohet gjatë konfliktit. Palët shpesh tregojnë për ekstremet e kundërshtarëve të tyre për t’i çuar më tej ato të tyret.

Së dyti, rritja e tensionit gjeopolitik, përfshirë mes fuqive madhore, ka gjasa të ketë ndikuar. Fuqitë e mëdha priren të mos reagojnë shumë për veprimet e aleatëve të tyre, por ruajnë kritikat më të mëdha për armiqtë.

Së fundmi, është e vështirë t’i largohesh faktit se një dekadë e gjysmë pas 11 shtatorit, operacionet perëndimore kundër-terrorizmit kanë luajtur një rol, ndonëse është e vështirë të përcaktohet me saktësi. E drejtë ose jo – dhe padyshim në shërbim të interesave vetjake në shumë raste – liderët nëpër botë i kanë interpretuar këto veprime dhe militarizimin që priret të jetë një problem politik, si një sinjal se taktikat drakoniane janë më të lejueshme kundër armiqve të tyre.

Cilidoqoftë shkaku, përdorimi i vazhdueshëm i këtyre taktikave që shkakton vuajtje njerëzore – i llogaritur apo i ardhur prej neglizhencës – ai duhet të jetë një shkak për alarm.

Nuk është vetëm një shqetësim moral. Ndërsa taktika të tilla mund t’i shërbejnë interesave të ngutshme të disa liderëve, qeverive apo milicive, krizat e mëdha humanitare që ato provokojnë mund të jenë në vetvete burime destabiliteti dhe konflikti. Minimalisht ato sjellin më shumë pasiguri te lufta dhe krizat që janë tashmë të vështira për t’u zgjidhur.

Pa dyfishim të përpjekjeve për zgjidhje politike, nivelet e larta të zhvendosjeve sot, shkatërrimi i qyteteve, shtëpive dhe infrastrukturës, si dhe uria, trauma dhe mjerimi, kanë gjasa që të rriten.

 

Marrë me autorizim nga Weforum.org