Opinion18 Jan 2019

Vuçiçit i intereson pushteti, jo ulja e krimit

Plani i presidentit serb për të futur dënimin me burgim të përjetshëm për të drejtë lirimi me kusht nuk do të ulë numrin e krimeve dhe është një abuzim i rëndë i pushtetit të tij.

Autor: Danilo Curcic BIRN Beograd
Printo

Presidenti serb Aleksandër Vuçiçi. Foto: Beta/Milos Miskov

Pas mbledhjes së fundit të Këshillit për Sigurinë Kombëtare të Serbisë, presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi sanksione më të rrepta për një numër krimesh, duke filluar nga dhuna në familje deri tek trafikimi i drogës dhe vrasja.

Vuçiçi e shfrytëzoi mundësinë për t’u ankuar për politikën e butë penale në Serbi, kufizimet e procedurës penale aktuale dhe efikasitetin e gjykatave penale.

Ai paralajmëroi se politika e butë penale e Serbisë po pengonte luftën e gjatë të premtuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe uljes së nivelit të krimit.

Më e rëndësishmja, ai njoftoi futjen e dënimeve me burgim të përjetshëm në sistemin penal të Serbisë.

Kjo vjen pasi Fondacioni Tijana Juric mblodhi më shumë se 158,000 firma, duke kërkuar dënime me burgim të përjetshëm për vrasësit e fëmijëve, të miturve dhe grave shtatzëna, pa të drejtën për të kërkuar lirimin me kusht.

Ndërsa njoftoi këto ndryshime, presidenti Vuçiç gjithashtu deklaroi se nuk i interesonte se ç‘do të thoshin mbrojtësit e të drejtave të njeriut në lidhje me idenë e tij, sepse “kriminelët i kanë shkatërruar të gjitha të drejtat tona njerëzore me drogë dhe vrasje”.

Megjithatë, si gjithmonë, gjërat nuk janë aq të thjeshta sa deklaroi presidenti në konferencën e tij për shtyp të shtunën.

Nuk është e qartë se si presidenti ka arritur në përfundimin se dënimet më të rrepta do të ulnin numrin e krimeve.

Duke pasur parasysh këtë, Grupi i Punës i ngritur në fund të dhjetorit nga Ministria e Drejtësisë, i cili synon të vërë në zbatim kuptimin e presidentit për parandalimin e krimit, nuk do të ketë një detyrë të lehtë.

Nuk ka prova të forta se ndëshkimet më të ashpra, në fakt, ulin numrin e krimeve, siç kanë vënë në dukje disa nga anëtarët më të shquar të gjyqësorit.

Gjykata e Lartë e Serbisë. Foto: BIRN.

Fakti që Vuçiçi ka njoftuar ndryshime legjislative në çështjet penale është gjithashtu një tjetër provë që vërteton abuzimin e tij në pushtetin e tij kushtetues.

Kushtetuta e Serbisë nuk i jep presidentit autoritetin për të propozuar ligje dhe akte të tjera të përgjithshme në parlament.

Neni 123 i Kushtetutës së Serbisë thotë se kjo përgjegjësi i takon vetëm qeverisë.

Akoma më shqetësues është fakti se rezultati i këtij abuzimi të kompetencave të tij kushtetuese do të jetë futja e burgimit të përjetshëm pa të drejtë të kërkojë lirimin me kusht.

Fakti që presidenti thotë se nuk do të marrë parasysh se çfarë kanë për të thënë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, akademia dhe sistemi gjyqësor është një shkak për t’u shqetësuar akoma më shumë.

Neni i parë i Kushtetutës thotë se Serbia “bazohet në sundimin e ligjit dhe drejtësinë sociale, parimet e demokracisë civile, të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të pakicave dhe në përkushtimin ndaj parimeve dhe vlerave europiane”.

Por parimet dhe vlerat europiane janë të qarta kur bëhet fjalë për burgim të përjetshëm.

Ndryshe nga deklarata e ministres së drejtësisë, Nela Kuburoviç, një numër i madh i shteteve anëtare të Këshillit të Europës nuk vendosin fare dënime me burgim të përjetshëm.

Atje ku ekzistojnë këto dënime, duhet të krijohet një mekanizëm për shqyrtimin e dënimeve të përjetshme. Praktika e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut është e qartë në lidhje me këtë. Për të qenë në përputhje me nenin 3 të Konventës, palët shtetërore duhet të sigurojnë mundësinë e zvogëlimit të dënimeve me burgim të përjetshëm.

Në çështjen Vinter dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, Dhoma e Madhe e kësaj Gjykate konstatoi se kur një sistem ligjor vendas nuk ofron mundësinë e shqyrtimit të një dënimi të përjetshëm, ai nuk plotëson nenin 3 të Konventës, e cila ndalon torturimin dhe trajtimin çnjerëzor ose degradues të ndëshkimit.

Fondacioni Tijana Juric mblodhi më shumë se 158,000 firma për futjen e një dënimi që bie në kundërshtim me parimet kyçe të të drejtave të njeriut dhe sistemeve penale moderne.

Këto firma janë më shumë rezultat i një reagimi emocional ndaj vrasjes së Tijana Juric se sa një përfundim i arritur pas një diskutimi të duhur mbi dhunën dhe parandalimin e krimit në Serbi.

Një nga tiparet kryesore të sistemeve penale moderne është se dënimet nuk imponohen, caktohen apo zbatohen nga viktimat e krimeve apo të afërmit e tyre.

Nëse miratohen ndryshimet e planifikuara të presidentit, Serbia do të kthehet pas në kohërat para-moderne, kur viktimat e krimeve kishin fjalën e fundit për dënimet që duhet të caktoheshin mbi autorin që i kryente ato.

Mbështetja në pamje të parë e presidentit ndaj nismës së Fondacionit Tijana Juric nuk ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijëve, apo edhe me zvogëlimin e numrit të veprave penale.

Ajo thjesht na tregon se presidenti do të përdorë çdo mundësi për të treguar qëndrimin e tij gjasme të vendosur kundër korrupsionit dhe formave të tjera të krimeve dhe për të rritur pushtetin e tij politik në të njëjtën kohë.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.