Lajm29 Aug 2018

Wikipedia kroate ndryshon sërish artikullin për kampin Jasenovaç

Wikipedia kroate ka ndryshuar sërish artikullin për kampin e përqendrimit të luftës së dytë botërore në Jasenovaç, duke e quajtur atë një kamp "grumbullimi" dhe "pune", cilësime që shkojnë kundër fakteve historike të vdekjeve të ardhura nga kampi i përqendrimit.

Autor: Sven Milekic BIRN Zagreb
Printo

Memoriali Lule në Zonën Përkujtimore të Jasenovaçit. Foto: Flickr/Tomislav Medak

Ndryshime të reja u bënë në gusht në artikullin e Wikipedia-s në Kroaci lidhur me kampin e përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore në Jasenovaç, duke sfiduar më tej konsensusin historik për krimet që u kryen atje.

Lista e emrave të Memorialit të Jasenovaçit thotë se 83.145 serbë, romë, hebrenj dhe antifashistë u vranë nga lëvizja fashiste kroate e Ustashëve midis viteve 1941 dhe 1945.

Ustasha qeverisi në të ashtuquajturin shtet të pavarur të Kroacisë, NDH, në vitet 1941-1945 nën mbrojtjen naziste.

BIRN shkroi më herët se Wikipedia kroate iu referua në mënyrë polemike Jasenovaçit duke e konsideruar atë vetëm si një kamp “grumbullimi” ose “sabirni logor” në kroatisht, ndërsa të gjitha versionet në gjuhë të tjera i referoheshin atij si një kamp përqendrimi ose vdekjeje.

Tani, megjithatë, artikulli është ndryshuar sërish, duke hequr citimin si “kamp vdekjeje” dhe duke e quajtur atë “kamp pune”.

Më herët, disa administratorë kroatë të Wikipedias e mbrojtën përdorimin e termit “kamp mbledhjeje”, me argumentin se ky ishte termi që administrata e kampeve të Ustashëve kishte përdorur.

Ndërsa ndryshimet e mëparshme sfidonin kërkimet e Memorialit të Jasenovaçit për viktimat, tani i jep një vend të shquar Igor Vukiçit, një ish-gazetari dhe sekretarit të Shoqatës për Hulumtime të Kampit të Jasenovaç, një shoqatë që shumë historianë e shohin si revizioniste.

Shoqata pretendon se Ustasha drejtoi një kamp pune për armiqtë e regjimit fashist dhe këmbëngul se kampi u kthye në kamp vdekje vetëm kur komunistët morën pushtetin në vitin 1945.

Ai thotë se ata burgosën atje anëtarët e regjimit Ustash dhe forcat e Rojës Kryesore Kroate deri në 1948, dhe pastaj të dyshuarit si stalinistë, pas ndarjes së vitit 1948 me BRSS, deri në vitin 1951.

Vukiçic pretendon se mbase vetëm 1,500 njerëz vdiqën nga shkaqe të ndryshme në kamp gjatë periudhës së ustashëve- edhe pse asnjë hulumtim serioz akademik nuk i mbështet këto pretendime.

Përditësimi i ri i artikullit citon me gjerësisht librin e ri të Vukiçit, Kampi i Punës Jasenovaç, i cili ka marrë lavdërim nga Milan Ivkosiç në gazetën Vecernji list në një kritikë të titulluar “Jasenovaçi i pastruar nga ideologjia, paragjykimi dhe falsifikimi komunist”, i cili ka tërhequr reagime negative nga ekspertët e Holokaustit.

Përditësimi citon librin e Vukiçit duke thënë se “askush nuk u internua në kamp për shkak të prejardhjes kombëtare apo fetare, por si kundërshtarë politikë të Shtetit të Pavarur të Kroacisë”.

Kur u formua në 1941, NDH-ja shpejt paraqiti ligje racore të stilit nazist, të cilat shënjestronin hebrenjtë, romët dhe serbët. Serbët përbënin një përqindje të madhe të popullsisë së NDH, e cila përfshinte Bosnje-Hercegovinën e sotme.

Përditësimi i artikullit në Wikipedia tani citon gjithashtu një studiues slloven Roman Leljak, i cili pretendon se arkivat ushtarake jugosllave në Beograd flasin vetëm për 1.654 viktima. Megjithatë, Leljaku nuk merret në konsideratë nga historianët aktualë.

Përditësimi i jep shumë hapësirë ​​ekzistencës së pretenduar të një kampi komunist, për të cilin nuk ka prova shkencore.

Përveç artikullit për Jasenovaçin, Wikipedia kroate përmban artikuj të tjerë që shumica e historianëve i quajnë shumë problematike dhe të pasakta.

Në artikullin për qytetin polak të Gdanskut, u hoq së fundmi një fjali që pohonte se polakët kryen gjenocid kundër gjermanëve të Polonisë përpara se Gjermania naziste ta pushtonte vendin në vitin 1939.

Fondacioni Wikimedia Foundation – themelues dhe pronar i Wikipedia – nuk i është përgjigjur pyetjeve të BIRN për këto dhe çështje të tjera.