Investigim15 Mar 2021

Zëvendësuesi polak për Konventën e Stambollit mund të ndalojë abortin dhe martesat gej

Alternativa e propozuar nga qeveria e Polonisë ndaj Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës kundër Grave dhe Dhunën në Familje, për të cilën Varshava i ka kërkuar mbështetje në Evropën Lindore, mund të ndalojë abortin dhe martesat gej, zbuloi BIRN.

Autor: Claudia Ciobanu BIRN Varshavë
Printo

Protestë për të drejtat e grave në Poloni më 8 mars 2018. Foto kortezi: Grzegorz Żukowski/Flickr

Para se parlamenti të votojë këtë javë për një projektligj që kërkon nga Presidenti i Polonisë tërheqjen e vendit nga Konventa e Stambollit, BIRN zbuloi se qeveria e krahut të djathtë ka vendosur sakaq se cili duhet të jetë traktati alternativ që ndalon abortet dhe martesat homoseksuale dhe e ka informuar për këtë vizion edhe shtetet e veta fqinje duke kërkuar bashkimin me përpjekjen e saj.

Në letrën që Polonia i dërgoi fqinjëve, një kopje e së cilës rrodhi te BIRN dhe po publikohet këtu për herë të parë, Ministria e Drejtësisë së Polonisë ka parashtruar një alternativë ndaj Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës Kundër Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur më së shumti si Konventa e Stambollit. Letra i është dërguar së paku katër qeverive të rajonit, Kroacisë, Çekisë, Slovakisë dhe Slovenisë.

Alternativa e propozuar është në formën e një traktati, i cili duhet të japë “mbështetje të veçantë” për “mbrojtjen e jetës së një fëmije të konceptuar”, gjë që kuptohet se ka për objektiv dhënien fund të aborteve; gjithashtu propozimi kërkon që “koncepti i martesës të mbetet i rezervuar ekskluzivisht për marrëdhënien mes një gruaje dhe një burri”.

“Në kërkim të arritjes së objektivave të deklaruara më sipër dhe duke marrë parasysh kërcënimin e vazhdueshëm ndaj familjes, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Polonisë propozon që të hartohet një konventë dhe t’i drejtohet ndoshta një grupi më të gjerë në forumin ndërkombëtar,” shkruhet në letër.

Idetë e parashtruara në letrën ministrore duket se janë deri në një farë mase një përmbledhje e një dokumenti të konventës ndërkombëtare të të drejtave të familjes përgatitur nga Instituti Ordo Iuris për Kulturë Ligjore në bashkëpunim me Marek Jurek, një ish europarlamentar polak nga Konkresi Social Kristian.

Dhe këto dy grupe ultra-konservatore ishin ato që hartuan projektligjin që mblodhi 150 mijë firmat e nevojshme për të nisur një iniciativë qytetare për t’u tërhequr nga Konventa e Stambollit, ligj që Sejm, dhoma e ulët e parlamentit të Polonisë, do ta marrë në shqyrtim këtë javë.

Në një deklaratë për BIRN, Marcin Romanowski, nënsekretar shteti në Ministrinë e Drejtësisë, mohoi që propozimet e organizatave joqeveritare që sipas tij “ndajnë vlera të përbashkëta mbi të mirën dhe familjen,” janë të lidhura me aktivitetet e ministrisë.

“Në kohën tonë, mbrojtja e familjes kërkon, sipas opinionit tim, jo vetëm rregullime kombëtare por edhe zgjidhje ndërkombëtare të zhvilluara nga një grup më i madh vendesh Europiane. Kjo është arsyeja se pse ne kemi ftuar ministritë e drejtësisë në vendet e Evropës qendrore dhe lindore që të marrin pjesë vullnetarisht në krijimin e një traktati ndërkombëtar mbi të drejtat e familjes,” tha Romanowski në një deklaratë të dërguar me email.

Jo mënyra e duhur për të trajtuar një traktat

Konventa e Stambollit, të cilën Polonia e ratifikoi më vitin 2015 dhe që tashmë është firmosur dhe ratifikuar nga 45 vende por jo nga Bashkimi Europian, vlerëson se pabarazitë historike mes burrave dhe grave janë shkaku i dhunës ndaj gruas ndërsa e përkufizon gjininë si “role të ndërtuara nga shoqëria”.

Për këto arsye, ultra-konservatorët në Poloni si dhe në Evropën Qendrore dhe Juglindore e kanë sulmuar atë prej vitesh, duke argumentuar se ai do të shkatërrojë “familjen tradicionale” (d.m.th., familjen heteroseksuale me fëmijë) duke imponuar të ashtuquajturën “ideologji gjinore” – një term i krijuar nga këto grupe që duket se në përgjithësi shënjestron të drejtat LGBT dhe të drejtat riprodhuese.

Vitin e kaluar, Ministri i Drejtësisë së Polonisë, Zbigniew Ziobro, një katolik i vijës së ashpër, partia e të cilit Polonia e Bashkuar është anëtar i vogël i koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), dorëzoi një kërkesë zyrtare te Ministria për Familjen, Punën dhe Politikat Shoqërore, kërkesë që synon fillimin e procesit të tërheqjes së vendit nga Konventa e Stambollit, e cila besohet se po dëmton familjen dhe kulturën polake.

Kryeministri Mateusz Morawiecki, pavarësisht se e ka kritikuar publikisht Konventën e Stambollit, në fund vendosi ta lërë mënjanë problemin duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese në korrik një vlerësim për ligjshmërinë e Konventës. Gjykata Kushtetuese konsiderohet si e kontrolluar nga PiS.

Duke parë pavendosmërinë e kampit të qeverisë, aktivistët e vijës së ashpër përdorën iniciativën qytetare në parlament si një mënyrë për t’i përshpejtuar gjërat. Sipas Kushtetutës së Polonisë, presidenti ka për detyrë të tërheqë vendin nga traktatet ndërkombëtare, por ai ka nevojë për miratim parlamentar për këtë.

Projektligji i kërkon Presidentit Andrzej Duda të tërheqë Poloninë nga Konventa e Stambollit dhe të krijojë një organ këshillimor, i cili, përgjatë tri viteve, të fillojë një proces të gjerë “për zhvillimin e parimeve themelore të një konvente ndërkombëtare për të drejtat e familjes,” i cili duhet të zëvendësojë Konventën e Stambollit.

Gjithsesi, siç mund të shihet nga letra që sakaq i është dërguar qeverive konservatore në rajon, qeveria e Polonisë ka hedhur sakaq vijat e përgjithshme të konventës alternative, që ngjajnë shumë me konventën e të drejtave të familjes të hartuar në formë drafti nga Ordo Iuris dhe Kongresi Kristian Shoqëror, dokument që ka qenë publik tashmë prej shumë vitesh.

Të intervistuar nga BIRN, përfaqësues të Ordo Iuris dhe të Kongresit Kristian-Shoqëror, pretenduan se versioni i Ordo Iuris është parë me interes nga anëtarë të qeverive të Hungarisë dhe Slovakisë.

Si letra e ministrisë, ashtu edhe drafti i Ordo Iuris e përshkruajnë gjendjen aktuale si një të tillë ku familja është “e kërcënuar” dhe ka nevojë për mbrojtje shtesë. Të dyja dokumentet hedhin poshtë idenë se shkaku kryesor i dhunës në familje është pabarazia strukturore mes burrit dhe gruas, siç thuhet në Konventën e Stambollit.

Në vend të kësaj, letra e ministrisë shkruan: “Një nga kërcënimet bashkëkohore ndaj dhunës në familje shkaktohet nga faktorë patologjikë, të tillë si alkooli dhe droga, varësia nga seksi apo vulgarizimi dhe seksualizimi i gjithëpranishëm i imazhit të gruas në median masive.”

Në mënyrë të ngjashme, një përfaqësues i Ordo Iuris deklaroi në një intervistë për BIRN se në draftin e tyre, shkaqet e dhunës nuk janë strukturore por “patologjike”, të tilla si alkooli, pornografia, atomizimi i shoqërisë, shkëputja e lidhjeve familjare dhe seksualizimi i grave në hapësirën publike.

Sa i përket veprimeve të rekomanduara për mbrojtjen e familjes, letra e ministrisë ndjek në përgjithësi vijën e draftit të Ordo Iuris, ndërsa shtrëngon gjuhën dhe lë disa parime më të mjegullta: ajo thekson autonominë e familjes në marrëdhëniet me shtetin, përfshirë në lidhje me vendimet mbi arsimimin; te lista e “të drejtave të familjes” përfshihet “liria e mendimit, ndërgjegjes dhe religjionit, liria e shprehjes, liria ekonomike, përdorimi i pashqetësuar i pronësi private dhe e drejta për të mbrojtur jetën private dhe jetën e familjes”; pastaj vijojnë të drejtat e fëmijëve ku këmbëngulet se “fëmija” ka të drejta që nga konceptimi; ajo propozon më tutje dënime civile dhe penale që shtetet duhet të përdorin për t’u siguruar që këto të drejta do të respektohen.

Interesante është që në këtë seksion të mëvonë, letra e ministrisë prezanton konceptin e “krimeve kundër familjes”. Ndërsa shembujt e dhënë për krime të tilla në letër përfshijnë dhunën psikologjike dhe fiziologjike, dhunën seksuale dhe martesën e detyruar, teksti specifikon se lista nuk është e plotë dhe pyet nëse veprime të tjera si aborti apo martesa gej mund të shtohen në një fazë të më vonë.

Përgatitja e terrenit

“Nuk na befason fakti që po shohim këtë letër, duke marrë parasysh se PiS është angazhuar në një kryqëzatë kundër të drejtave të njeriut përgjatë gjashtë viteve të fundit,” deklaroi Marcelina Zawisza, deputete e Razem, një parti e krahut të majtë, pasi dëgjoi fragmente nga letra. “Ata në mënyrë të vazhduar kanë përsëritur se shkatërrimi i modelit të familjes tradicionale është shkaku i dhunës në familje dhe se të drejtat e personave LGBT janë duke kërcënuar familjet.”

“Unë nuk arrij ta kuptoj fare këtë: e si mundet që nëse dikush do dikë, kjo të përbëjë kërcënim për mua?” shtoi ajo.

Zawisza tha se partia e saj u përpoq të marrë akses te letra si përmes kërkesës për të drejtë informimi ashtu edhe duke dërguar deputetë personalisht te Ministria e Punëve të Jashtme për ta kërkuar, por nuk pati sukses.

“Mund të themi se qeveria nuk dëshironte ta reklamonte letrën për shkak se ata e dinë përmbajtjen e saj, ose së paku pjesë të saj, të cilat jo vetëm do të shkaktojnë debat në shoqërinë polake, por do të shkaktojnë protesta të forta nga lëvizjet e grave, lëvizjet LGBT+ dhe të gjithë ata që janë të shqetësuar mbi të drejtat e njeriut,” tha ajo.

Deputetja mendon se iniciativa qytetare që ka gjasa do të votohet këtë javë nga Sejm, mund të jetë pjesë e një strategjie të partisë në pushtet. “Në këtë kohë, nuk ka mbështetje të mjaftueshme publike, kështu që mund të mos ndodhë,” tha Zawisza në lidhje me projektligjin. “Por roli i projektligjit është që të krijojë lajme false në mjedisin publik, të mbjellë farat e dyshimit sikur Konventa e Stambollit ka rëndësi dhe të promovojë qëndrime negative kundër saj.”

“Morawiecki e dërgoi Konventën e Stambollit në Gjykatën Kushtetuese për dy arsye: për të shtyrë çështjen për më vonë dhe për të larë duart e politikanëve, për shkak se në fund është gjykata që vendos,” shpjegoi ajo.

Ndërsa iniciativa qytetare mund të mos miratohet tani shpejt, debati i krijuar do të kontribuojë në rritjen e qëndrimeve armiqësore ndaj Konventës së Stambollit, gjë që do t’i mundësojë Gjykatës Kushtetuese ta shpallë antikushtetuese.

“E njëjta gjë ndodhi me abortin,” tha Zawisza.

Nga ana e tij, Romanowski te Ministria e Drejtësisë i tha BIRN se “njësitë kërkimore në varësi të ministrisë së tij”, të tilla si Instituti për Drejtësi dhe Qendra Europiane për Kërkime Politike te Shkolla e Lartë e Drejtësisë, janë duke kryer analiza të problemeve të ndryshme. “Shpresoj që së shpejti ata do të marrin një rol aktiv në diskutimet në rang ekspertësh mbi temë e nevojës për mbrojtje më të plotë ndërkombëtare të familjes nga ideologjitë bashkëkohore,” tha ai në deklaratë.