Lajm27 Mar 2019

Zgjaten me 3 muaj hetimet ndaj ish-kryeprokurorit Llalla

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla po hetohet për fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Ai ka kundërshtuar zgjatjen e afateve hetimore në gjykatë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, duke folur për gazetarët pas një seminari për luftën ndaj narkotikëve, | Foto nga : LSA

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të zgjasë me tre muaj të tjerë hetimet ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Një burim në organin e akuzës konfirmoi për BIRN shtyrjen e hetimeve dhe bëri me dije se Llalla ka kryer ankim në gjykatë kundër zgjatjes së hetimeve.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzën e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.

Akuza ndaj Llallës përfshin edhe veprat penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”. Në korrik 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorisë sekuestroi pronat e ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Një investigim i mëparshëm i BIRN tregoi se si Llalla transformoi një investim fillestar prej 16.3 milionë lekësh në prona me vlerë mbi 1 milionë euro përmes transaksioneve me një person të dënuar për vrasje, një biznesmen-fitues tenderi në Prokurori dhe një instruktor hipizmi i përdorur si sekser tokash. Së fundmi, Llalla ka punësuar dy lobistë nga Nju Jorku për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit që e shpalli “persona non-grata” në SHBA. Pas gati 1 viti e gjysmë pa punë dhe me asetet e tij të ngrira nga Prokuroria, mbetet e paqartë se me çfarë mjetesh financiare e ka siguruar ai shërbimin e studios ligjore amerikane ‘Sher Tremonte LLP’.