Zgjedhjet e ardhshme në Hollandë, Francë dhe Gjermani do të zhvillohen në atë që ndoshta është klima politike më e ethshme që nga krijimi i Bashkimit Europian. Rendi liberal demokratik i pasluftës është nën kërcënim gjithkund, por veçanërisht në Europë, ku ka nevojë urgjente për një alternativë ndaj populizmit.
Zgjedhjet e ardhshme në Hollandë, Francë dhe Gjermani do të zhvillohen në atë që ndoshta është klima politike më e ethshme që nga krijimi i Bashkimit Europian. Rendi liberal demokratik i pasluftës është nën kërcënim gjithkund, por veçanërisht në Europë, ku BE-ja përballet me sfida të shumta, përfshirë një Rusi gjithnjë e më shumë agresive, kërcënimin e vazhdueshëm nga terrorizmi, distancimin e njerëzve nga demokracia dhe rritjen e pakët ekonomike.
Pas referendumit Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e SHBA-së për president, pyetja me të cilën përballet Europa është e qartë: A do të ushtrojnë forcat nacionaliste dhe populiste të njëjtin lloj ndikimi në vendet kyçe të BE-së?
Në Hollandë, Geert Wilders dhe Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë raportohen shumë të forta në sondazhet për zgjedhjet e muajit të ardhshëm. Wilders miraton urdhërin ekzekutiv të Trump për ndalimin e hyrjes në SHBA të çdokujt nga shtatë vende me shumicë myslimane. Njësoj si kryestrategu i Trump Stephen Bannon, Wilders e sheh botën përmes prizmit të një racizmi dhe ai beson se është angazhuar në një luftë për shpëtimin e civilizimit Perëndimor nga Islami.
Asnjë parti tjetër parlamentare hollandeze nuk e ndan këtë mendim kështu që një qeveri e udhëhequr nga Wilders është ende larg si mundësi. Ndërsa kryeministri aktual Mark Rutte po mban terrenin i fortë, Wilders ka gjasa që do të humbasë.
Ndërkohë, në Francë, udhëheqësja e Frontit Nacional të ekstremit të djathtë Marine Le Pen është aktualisht më përpara në sondazhet për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të zhvillohen me dy raunde në prill dhe maj. Le Pen ka premtuar të zhvillojë një referendum për anëtarësinë e Francës në eurozonë, pavarësisht paralajmërimeve nga Banka e Francës që thotë se dalja nga bashkimi monetar mund të rrisë borxhin kombëtar të Francës me 30 miliardë euro në vit. Ajo ka shprehur gjithashtu dëshirën që të çmontojë disa komponentë themelorë të integrimit Europian, të tilla si lëvizja e lirë e qytetarëve të Europës.
Në referendumin Brexit të Mbretërisë së Bashkuar dhe në zgjedhjet presidenciale në SHBA, votuesit nga zonat e mëdha metropolitane mbështetën në shumicë opsionin e “qëndrimit në BE’ dhe atë të Hillary Clinton respektivisht. Ne ka gjasa do të shohim një tipar të ngjashëm edhe në zgjedhjet franceze. Por ndërsa votuesit më të moshuar kanë ushqyer nacionalizmin e rishfaqur britanik dhe amerikan, Le Pen i detyrohet shumë mbështetjes së kohortave më të reja – një shenjë shqetësuese për përmasat në të cilat segmente të rëndësishme të elektoratit fracez ndjehen të mënjanuar nga demokracia.
Një fitore e Le Pen pa dyshim mund ta destabilizojë Europën politikisht dhe ekonomikisht. Me demonët e rrezikshëm nacionalistë të së shkuarës së Europës të çliruar edhe një herë, BE-ja siç e njohim ne sot mund të disintegrohet lehtë. Por ata që besojnë në demokracinë liberale, në sundimin e ligjit dhe në integrimin Europian kanë ende kohë që të mobilizohen rreth kandidatit alternativ, – i cili ka gjasa do të triumfojë në balotazhin me Le Pen, dhe, shpresohet, do të sjellë reformat e domosdoshme për të mbajtur rolin proaktiv të Francës në Europë.
Në zgjedhjet e Gjermanisë më vonë këtë vit, ekstremi i djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka pak gjasa të konkurrojë bindshëm për postin e kancelarit, pavarësisht se çfarë mbështetjeje mund të marrin nga Rusia. Por kancelari i ardhshëm, qoftë Martin Schulz i socialdemokratëve, apo ende Angela Merkel – do të duhet të udhëheqë një koalicion botëror të atyre që kanë vullnetin për të mbrojtur çfarë ka mbetur nga rendi i pasluftës. Përpjekje të tilla duhet të përfshijnë Kanadanë, Australinë dhe aleatët e Perëndimit në Azi, por duhet të fillojnë duke rikthyer rregullin në shtëpinë e Europës.
Europianët së fundmi festuan 25 vjetorin e Traktatit të Mastrihtit, i cili shënoi pikën e kthesës në historinë e integrimit Europian. Siç kemi mësuar përgjatë viteve, fuqitë e Europës janë të pamjaftueshme për të përballuar sfidat me të cilat përballet Europa. Gjermania duhet të ndihmojë për të ndrequr situatën duke ofruar vizionin e një Europe me më shumë vetëbesim dhe bindje – një e tillë që mund të kapërcejë ndasitë e brendshme, të kujdeset për sigurinë e vet dhe të menaxhojë në mënyrë të qëndrueshme migrimin.
Nëse lëvizje të reja shfaqen për t’u përballur me forcat e nacionalizmit dhe populizmit, kjo nuk do të jetë e paarritshme. E ndërsa ish kryetari i partisë së Indipendencës në Mbretërinë e Bashkuar, Nigel Farage, bashkë me Wilders, Le Pen dhe të tjerët si ta vijojnë të pozojnë si qen guximtarë anti-estabilishment, ky maskim po bie me kalimin e kohës, pikërisht për shkak të suksesit që ata kanë arritur – dhe, në rastin e UKIP, për shkak të skandaleve financiare.
Nëse udhëheqësit nacionalistë të ekstremit të djathtë vijnë në pushtet në disa vende të mëdha Perëndimore, ata shpejt do të zbulojnë se bërja e premtimeve populiste është një punë më e lehtë se sa mbajtja e premtimeve – siç po zbulon aktualisht Trump me fillesat kaotike alarmuese të administratës së tij.
Trump, mbështetësit e Brexit dhe homologët e tyre gjithkund tjetër janë ende në pikën kur duhet të tregojnë se ata me të vërtetë mund të japin mirëqenie për të gjithë, ndërkohë që duhet të mbrojnë sistemin botëror të qeverisjes duke u sjellë në mënyrë kompetente dhe profesionale në skenën botërore.
Duhet të jetë e qartë se, në një botë të globalizuar ku shtetet kombe individuale janë gjithnjë e më të pafuqishme, asnjë lloj përzjerje marramendëse e populizmit nacionalist nuk mund të japë ndryshimin të cilin njerëzit po kërkojnë. Për fat të mirë, demokracia liberale vijon të përbëjë një alternativë progresive dhe një fitore nga Merkel apo Schulz në Gjermani, pas distafës së Le Pen në francë, mund të paralajmërojë shfaqjen e një kundërofensive botërore.
Ndërkohë, lëvizjet e reja pro-Europiane të qendrës sakaq janë shfaqur në të gjithë Europën, nga
Noëoczesna (Modern) në Poloni në Ciudadanos (Qytetarët) në Spanjë. Këto parti nuk përhapin gënjeshtra dhe nuk ia detyrojnë suksesin e tyre propagandës së sponsorizuar nga Rusia apo trolleve të medias sociale.
Tashmë që disa populistë kanë ardhur në pushtet, liberalët kanë përgjegjësinë për t’i mbajtur ata përgjegjës dhe për të ofruar një vizion alternativ. Nënçmimi i njerëzve të votuan për Brexit, Trump dhe ekulvalentët e tyre në Europë nuk është një strategji e shëndetshme. Demagogët e rinj botërorë duhet të gjykohen nga veprat dhe mposhten me të vërteta, me arsye dhe me respekt për demokracinë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Europe’s Critical Elections