Zyrtari i lartë amerikan Matthew Palmer i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të premten të përfitojnë nga një “mundësi historike” për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së tyre prej një dekade.
Zv/ndihmësi i sekretarit të shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer, i bëri thirrje të premten Serbisë dhe Kosovës të mos humbasin “mundësinë historike” për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së tyre dhjetë vjeçare dhe u kërkoi atyre që të gjejnë një zgjidhje që do t’i nxirrte të dyja palët “fitimtare”.
“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë nuk fiton askush,” tha ai gjatë një diskutimi në Forumin e Sigurisë së Beogradit, njoftoi agjencia e lajmeve Beta.
Palmer theksoi gjithashtu se SHBA-ja nuk po përkrah një rezultat specifik të dialogut Beograd-Prishtinë, duke thënë: “Ne i inkurajojmë palët të gjejnë një rrugë përpara dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme që të dyja palët do ta pranojnë.”
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi ende e kundërshton. Megjithatë, parakushti kryesor i BE-së për ofertën e Serbisë për anëtarësim në BE është që ajo të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.
Palmer tha të premten se SHBA-ja është gati të dëgjojë dhe të ndihmojë, por se ai nuk mund të flasë për detajet dhe shkëmbimin e mundshëm të territorit, sepse sipas tij nuk është bërë asnjë plan.
Ai gjithashtu deklaroi se një “konflikt i ngrirë” nuk është një zgjidhje për mosmarrëveshjen, duke e quajtur atë një “rrezik për stabilitetin rajonal”.