Dy ekstremet gjeografike dhe elektorale të Shqipërisë japin surprizën e deritanishme në zgjedhjet për pushtetin vendor duke ofruar përmbysje të jashtëzakonshme të rezultateve të vitit 2013.
Adem Lala, ish ushtarak dhe ish kryetar i komunës Golaj në rrethin e Hasit do të drejtojë bashkinë e re Has në emër të Partisë Socialiste pasi mposhti me rezultat të thellë konkurrentin demokrat Elez Macci, në një përbysje zgjedhore të papritur. Lala, 48 vjecc, fitoi 53 për qind të votave të bashkisë së re. Rezultatet për votimin për partitë politike nuk qenë ende të disponueshme deri në orën 10 të 22 qershorit 2015.
Në bashkinë e re të Hasit, e cila përbëhet nga të gjitha njësitë vendore të Rrethit Has, të dielën votuan 9,202 qytetarë me pjesëmarrje 60.6 për qind. Rezultati sugjeron përmbysje dhe kalim të votave nga e djathta te e majta në krahasim me vitin 2013. Partia Demokratike me aleatin e vet historik, Partinë Republikane, patën fituar 54 për qind të votave në zgjedhjet e vitit 2013 në krahasim me 38 për qind të votave që patën fituar PS dhe LSI së bashku.
Në një intervistë për BIRN para zgjedhjeve, Lala pati thënë se shpresonte se mirëmenaxhimi i burimeve natyrore të Hasit do të mundësonte krijimin e vendeve të punës në këtë bashki,
Surpriza e dytë e madhe qe në Përmet, një zonë e konsideruar historikisht si thellësisht e majtë, ku Partia Socialiste i humbi zgjedhjet me kandidatin e saj Gilberto Jaçe dhe i humbi me rezultat shumë të thellë. Kandidati demokrat Niko Shupuli, një inxhinjer elektronik, rezulton se mori 60 për qind të votave deri në orën 10 të mëngjesit me 83 për qind të votave të numëruara. Në një intervistë para zgjedhjeve për BIRN, Shupuli deklaroi se e mendon të ardhmen e krahinës së Përmetit te agroturizmi dhe turizmi i natyrës.