Nuk ka asnjë mundësi që të gjithëve t’u pëlqejë dasma jote; do të keni të paktën një grindavec që do të gjejë diçka për të cilën mund të ankohet. Nuk ka problem – të paktën nuk je ti personi që po ankohet!
Planifikimi i një dasme nuk është edhe aq qejf megjithëse ne shtiremi sikur është. Kalon ditë dhe javë duke bërë gjithçka që duhet që ëndrrat të të bëhen realitet, por në të vërtetë shpesh bie dakord për atë që të ofrohet. Nëse ngjan naive (dhe gjithashtu e sjellshme), ata do të përfitojnë prej teje, do të rrjepin dhe do të bëjnë gjithçka duke i rënë shkurt.
Shumica e tregtarëve janë të sjellshëm dhe gjithçka shkon vaj deri në çastin kur i jepni kërkesat tuaja. Fillojnë “nuk e bëjmë dot këtë” dhe kështu me radhë. Ata do të thonë se ngjyrat që ke përzgjedhur janë “qesharake” dhe “askush nuk e ka bërë këtë” dhe papritur fillojnë të justifikojnë përse diçka nuk do të bëhet apo nuk është e përfshirë në paketë, megjithëse të kanë bërë kastile të mendosh se gjithçka ishte në rregull.
Nuk mund ta parandaloni të gjithë këtë, por të paktën mund të përgatiteni dhe të siguroheni që të bëni pyetjet e duhura (nëse nuk po përdorni një planifikues dasmash, por po e organizoni të gjithën vetë, si unë).
E di që shumicën e herëve gjërat funksionojnë shumë mirë në fund dhe unë vazhdoj ta ngushëlloj veten, në përpjekje për ta besuar ëktë. Nga ana tjetër, i gjithë shqetësimi mund të jetë edhe fitimprurës: mund të humbni ca kilogramë ndërsa ata luajnë me nervat tuaja, kështu dieta bëhet më e lehtë.
Gjithsesi, të kthehemi aty ku e lashë, jo të gjithë do ta pëlqejnë dasmën tuaj. Qindra gjëra mund të shkojnë gabim por në një farë mënyre besoj se gjithçka mund të rregullohet sipas rastit, përveç muzikës. Muzika na mori mëse një muaj për ta vendosur.
Kisha idetë e mia, ai të tijat dhe filluam të telefononim njerëzit. Morëm rreth gjashtë oferta dhe pyetëm për eksperiencat e njerëzve me to. Së fundmi, u përpoqëm të bëjmë një zgjedhje mes dy bandave. Sigurisht, një ishte e preferuara ime dhe tjetra e preferuara e tij.
Ndryshimi në çmim midis të dyjave ishte shumë i madh. Do të mendoni se do ta kishit marrë vendimin më të lehtë, por jo në rastin tonë. Banda ime ishte më e shtrenjtë. Isha e bindur se ata mund të bënin çdo gjë që ne donim dhe e kisha dëgjuar nga të gjithë se ishin të shkëlqyer në dasma. Por çmimi…
Për bandën e tij nuk kisha dëgjuar kurrë, ndaj shkuam ta dëgjonim një mbrëmje në një bar. Ishin mirë dhe ndërsa isha ulur atje, mendova: “më mirë të zgjedh këtë bandë dhe më pas të ankohem për ta gjatë gjithë jetës sesa të zgjidhet banda ime dhe të më vrasin në natën e dasmës sepse dolën keq”. Kështu që isha dakord me vendimin.
Epo, mendova se isha ok, por pastaj kuptova se duhej të përfshihesha më shumë në muzikë; mund të kesh ushqimin perfekt, dekorimin fantastik, mund të jesh po aq e bukur sa një mëkat, por nëse muzika nuk është mirë, dasma jote është një dështim. Ndaj i kërkova kryetarit të bandës një listë këngësh.
“Pse? Mos u shqetëso; do të shkojë shumë mirë”.
“Epo, nuk dua të shqetësohem, por e dua listë”.
“Nuk ka nevojë… dëgjo”, ai bën një pushim psikologjik: “Kjo nuk është dasma jonë e parë, e di!”
“Epo, është si të thuash, dasma ime e parë dhe dua ta bëj siç duhet”, u përpoqa të thosha me shaka.
“Në rregull, pa problem. Do të ta sjell listën”.
Disa javë më vonë patëm të njëjtën bisedë. Seriozisht, të njëjtën! Dhe pastaj, disa javë më pas, të njëjtën bisedë, por nën mosbesimin e tij të qartë se i kishin kërkuar një marrëzi! E pashë që ishte çasti të jepja një argument tjetër, me shpresën se do të mjaftonte ta bindja atë; e kam fjalën, nëse është një menaxher profesionist i bandës, apo çfarëdo qoftë.
Ndaj i them: “Dëgjo, a do të ketë ndonjë këngë për nënën e nuses, babain e nuses, vëllain e nuses dhe të tilla?”
“Sigurisht, përse jo, mjafton të kërkosh dhe ne do t’i luajmë”.
“Epo,” tani e bëra unë ndalesën psikologjike: “Ata janë të gjithë të vdekur, ndaj nuk mendoj se këngë të tilla do të vlerësoheshin. E kupton tani pse më duhet lista?”
Në rregull, thotë ai, do ta organizojë të hënën tjetër. Kanë kaluar tre të hëna. Ende nuk e kam listën.
Nuk e kam idenë nëse këta njerëz e kuptojnë se çfarë këngësh dua apo jo në dasmën time. A më kuptojnë? Çfarë problemi ka lista?
Nëse do të ishim në një vend tjetër në botë, do ta kisha marrë së pari listën dhe pastaj do të zgjidhja cilën bandë të zgjidhja. Nëse do të ishim gjetkë, do të bënte gjithçka që ta kënaqte gruan që do të martohej.
Por jo, ne jemi në Ballkan dhe përshkrimi i repertorit është: “E ke parasysh, ne luajmë muzikën që pëlqejnë njerëzit”, ose “do të shkojë gjithçka mirë”, ose “mos u shqetëso, e di pikërisht atë që do”.
Ata nuk e dinë. Ai nuk e di. Ata nuk na njohin dhe nuk kanë bërë kurrë një festë për neve. Nuk ia kanë idenë!
Pra, çfarë të bëj? Të mos e vras shumë mendjen dhe të mos më interesojë? Apo duhet të mos e vras mendjen dhe të shpresoj? Apo duhet ta kërkoj këtë listë deri në ditën e fundit? Apo ndoshta duhet të anuloj këtë bandë dhe të marr një tjetër?
Klikoni këtu për të lexuar: Dasma ime ballkanase prej të rriture (1), Dasma ime ballkanase prej të rriture (2), Dasma ime ballkanase prej të rriture (3); Dasma ime ballkanase prej të rriture (4), Dasma ime ballkanase prej të rriture (5), Dasma ime ballkanase prej të rriture (6), Dasma ime ballkanase prej të rriture (7), Dasma ime ballkanase prej të rriture (8),