Lajm8 Aug 2016

Aksidenti te Landfilli i Sharrës, katër të arrestuar, në kërkim administratori Edurim Teqja

Policia ndaloi disa punonjës pas vdekjes së një 17 vjeçari, vdekje që po hetohet si aksident i rëndë në landfillin e Tiranës, ku një kompani private po kryen punime në marrëdhënie të paqarta ligjore me Bashkinë e Tiranës.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Landfilli i Sharrës | Foto nga : Gjergj Erebara

Landfilli i Sharrës | Foto nga : Gjergj Erebara

Katër punonjës të landfillit të Tiranës u arrestuan ndërsa administratori i një kompanie private që punon në landfill u shpall në kërkim pas vdekjes së një 17 vjeçari punonjës i paregjistruar i landfillit u gjet i vdekur me plagë të rënda në trup mesditën e së dielës, bëri të ditur policia.

“Arrestimi i tyre i bë sepse në orën 14:30, tek Landfilldi i Sharrës, në grumbullin e mbeturinave, është gjetur kufoma e shtetasit A . Gj, 17 vjeç ,banues në Kombinat, i cili ishte punonjës sezonal në Landfillid,  i pa regjistruar tek firma “3K SH.P.K” dhe dyshohet se është aksidentuar për vdekje nga një mjet tip “Eskavator me kova”, gjatë punës në Landfill,” thuhet një njoftimin e policisë. Pavarësisht se emri i kompanisë në deklaratën e policisë jepet si “3K” me administrator me inicialet E.T, 48 vjeç, banues në Peqin, kompania rezulton në fakt se e ka emrin “3R” dhe prej muajsh kryen aktivitet në landfillin e Sharrës për riciklimin e mbetjeve në marrëdhënie të paqarta ligjore me Bashkinë e Tiranës, e cila është zyrtarisht pronare e landfillit dhe e mbetjeve me vlerë ekonomike që mund të riciklohen.

Një investigim i BIRN zbuloi se pas një fushate të ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës gjatë muajve të fundit kundër ricikluesve të varfër, të cilët në përgjithësi i përkasin komunitetit rom, fshihen në fakt interesa private ne vlerë prej miliona eurosh. (Lexo investigimin këtu).

Sipas policisë, Besnik Braha, 53 vjeç, banues në Tiranë, me detyre përgjegjës firme, Edmond  Kollari, 40 vjeç, banues në Tiranë, drejtues eskavator, Dëfrim Hakrama, 44 vjeç  banues në Tiranë, përgjegjes turni dhe Bujar Daja, 45 vjeç, banues në Kavajë, përgjegjës i punonjësve, u arrestuan pas zbulimit të kufomës së punonjësit shtatëmbëdhjetëvjeçar A . Gj. Të arrestuarit sipas policisë akuzohen për “Shkelje te rregullave te mbrojtjes ne punë” parashikuar nga neni 289 i K.P për shtetasit Besnik Braha, Dëfrim Hakrama, Bujar Daja, E.T si dhe per veprat penale te “Shkelje te rregullave te mbrojtjes ne punë” dhe Drejtim mjeti në mënyrë jo te rregullt” parashikuar nga Nenet 289 & 291 të Kodit Penal për shtetasin Edmond Kollari, i cili është drejtuesi i eskavatorit, i papajisur me leje drejtimi përkatëse.

Policia nuk jep të dhëna për veprat penale që mund të rëndojnë mbi administratorin e firmës, i cili është shpallur në kërkim.