Himni ustash i dëgjuar në ndeshjen e të mërkurës, në të cilën mori pjesë edhe kryeministri dhe që mediat e injoruan, është rezultat i “normalizimit” afatgjatë i simboleve fashiste të cilësuara të jashtëligjshme.
Pas ndeshjes së të mërkurës midis Kroacisë dhe Izraelit në qytetin lindor të Osijekut, himni fashist “Za dom spremni” (“Gati për atdheun”) u dëgjua përsëri në stadium.
Mbështetës të shtetit kukull nazist të Luftës së Dytë Botërore, Shteti i Pavarur i Kroacisë, NDH – njësitë ustashe të të cilit morën pjesë në Holokaustit nazist dhe vranë dhjetëra mijëra hebrenj, serbë dhe romë – kënduan himnin famëkeq.
Megjithatë, edhe pse kryeministri Tihomir Oreskoviç ishte i pranishëm në ndeshje, ai nuk u përgjigj.
Qeveria u përgjigj vetëm një ditë më pas me një deklaratë të shkurtër për shtyp, në të cilën dënoi përdorimin e simboleve dhe sloganeve të regjimeve totalitare, pa përmendur në mënyrë të qartë ndeshjen apo ngjarjen aktuale.
Radiotelevizioni Kroat, HRT, i cili transmetoi ndeshjen, i injoroi gjithashtu thirrjet e tifozëve.
Gazeta e përditshme Jutarnji List publikoi një kryeartikull me titullin “Sllavonia (rajoni i Osijekut) përsëri nuk zhgënjeu” – duke raportuar shkurtimisht thirrjet në stadium.
Ognjen Kraus, president i komunitetit hebre në Zagreb, tha për BIRN se një sjellje e tillë ishte “rezultat i politikave në Kroaci”.
“Ajo që më shqetëson në veçanti se kjo ndodhi gjatë ndeshjes, pa tërhequr ndonjë reagim nga ata që ishin atje, të kryesuar nga organizatori (Federata Kroate e Futbollit, HNS) dhe kryeministri i cili thjesht ndenji ulur atje,” tha ai.
Kraus shtoi se nëse gjëra të tilla nuk trajtohen si duhet, “kjo lejon që të zhvillohet ustasho-filia”.
Ai përmendi rastin në të cilin zv/kryetari i Parlamentit dhe anëtari i shumicës qeverisëse, Ivan Tepes, mori pjesë në janar në një protestë me rreth 5,000 vetë kur “Za dom spremni” mund “të dëgjohej me zë të lartë dhe askush nuk reagoi”.
Përpara zgjedhjeve të fundit, nëntorin e kaluar, Tepes, kreu i Partisë Kroate të të Drejtave “Ante Starceviç”, tha se ai himn nuk duhet ndaluar, sepse disa ushtarë e përdorën atë gjatë luftës për pavarësi në vitet 1990.
Rreth 3,200 njerëz i bën peticion presidentes Kolinda Grabar Kitaroviç gushtin e kaluar që ta bënte atë himn një himn zyrtar për Ushtrinë Kroate.
Sanja Tabakovic Zoriciç, drejtoresha e Akademisë Shoah në komunitetin hebre, tha se ky ishte “një trend që kishte vite që zgjaste” dhe se reagimi i sistemit ishte i gabuar.
“Tani, kur ne kemi një shoqëri në të cilën askush nuk heziton të promovojë qëndrime pro-fashiste, nuk shoh ndonjë gjë të pazakonte te himni “Za dom spremni,” tha ajo.
Ajo tha se do të ishte habitur nëse politikanët e pranishëm në Osijek do të ishin larguar nga ndeshja, “si në shoqëritë e civilizuara”. Fakti që ata nuk e bënë këtë thjesht dëshmon se skandali “nuk i shqetëson ata”.
Vetëm rreth 8,500 nga 39,000 hebrenj i shpëtuan Holokaustit të kryer nga ustashët dhe Gjermania Naziste në territorin e NDH-së, e cila përfshinte pjesën më të madhe Kroacisë dhe Bosnjës së sotme.
Qeveria e re e Kroacisë, me mbështetjen e ministrit polemik të kulturës, Zlatko Hasanbegoviç, ndërkohë mori një vendim për të sponsorizuar një event që përkujton ustashët e vrarë në vitin 1945 në Bleiburg në Austri.
“Za dom spremni” është dëgjuar edhe më parë në ndeshjet e luajtura nga ekipi kombëtar kroat i futbollit.
Herën e fundit kjo ndodhi në ndeshjen me Norvegjinë në mars të vitit 2015. FIFA më vonë e penalizoi HNS-në me një gjobë prej 55,000 eurosh dhe urdhëroi një luajtjen e një ndeshjeje pa tifozë.
Në ndeshjen pa tifozë të luajtur në qytetin bregdetar të Splitit në qershor, në fushë u pa një kryq nazist svastika, pas së cilës ekipit kroat iu hoq një pikë, ndërsa HNS-ja u desh të paguante 100,000 euro dhe të luante dy ndeshje të tjera pa tifozë.
Tifozët kroatë të futbollit kanë përdorur në mënyrë provokuese svastikat më parë, duke formuar një të tillë me trupat e tyre në një ndeshje në Livorno në Itali, për shembull.
Në një ndeshje kundër Serbisë në mars të vitit 2013, tifozët kroatë thërrisnin “Vriteni serbin”, për të cilën HNS-ja mori një gjobë prej 42,000 eurosh.
Dario Brentin, nga Universiteti i Grazit në Austri, i cili studion sportin, nacionalizmin dhe politikat kujtuese në Kroaci, tha për BIRN se incidenti në ndeshjen me Izraelin ofronte “prova të procesit të banalizimit të simboleve totalitare, të shprehura duke kënduar “Za dom spremni”.
“Nuk jam i bindur se të gjithë njerëzit që e këndojnë atë nëpër ndeshje janë të gjithë simpatizantë të ustashëve dhe u besojnë ideve të ustashëve,” tha ai.
“Është një proces kompleks social që të çon në një situatë në të cilën kjo është krejtësisht e parëndësishme se çfarë kuptimi ka ose jo himni,” shtoi ai. Zakonisht shihet “si një shenjë akti patriotik”, theksoi ai.
Sipas Brentinit, fjalimi publik në Kroaci ka krijuar një situatë në të cilën ajo shihet “si një pjesë krejtësisht normale e sporteve rutinë”.
Ai vuri në dukje rastin e futbollistit kroat Josip Joe Simuniç në nëntor të vitit 2013.
Menjëherë pas një ndeshje futbolli me Islandën, Simuniç udhëhoqi rreth 20,000 tifozë teksa këndonin “Za dom spremni”.
Ai nuk u dënua nga menaxheri i tij ose nga HNS-ja për këtë, por vetëm nga një pjesë e medias, ndërkohë që publiku u nda në dy grupe – ata që e dënonin dhe ata që e mbështesnin.
Zyra e avokatit të qarkut më vonë e gjobiti atë me rreth 3,300 euro, të cilat më pas gjykata e magjistraturës i uli në 660 euro, për “Prishje të rendit publik”, por jo për gjuhë urrejtje.
Pas një procesi para organeve disiplinore, FIFA e dënoi Simuniç duke e pezulluar për dhjetë ndeshje, duke mos e lejuar atë të merrte pjesë në Kupën e tij të Fundit Botërore në Brazil në vitin 2014.
Brentin sugjeroi se edhe nëse lidershipi aktual i HNS-së do t’i bënte thirrje tifozëve të mos e mbështesnin në këtë mënyrë ekipin, “askush nuk do ta dëgjonte dhe kjo s’do të ndryshonte asgjë”, duke qenë se qëndrime të tilla mund “të ndryshohen vetëm nëpërmjet edukimit”.
“Sidomos në kulturën popullore, Marko Perkovic Thompson (këngëtari nacionalist që përdor himnin në këngët e tij) dhe të mbështesësh ekipin kombëtar të futbollit janë dy elemente sociale që e përjetësojnë “Za dom spremni” si një himn patriotik,” tha ai.
Brentin arriti në përfundimin se si mediat vendase ashtu edhe elitat politike qartazi shmangnin dënimin e incidenteve të tilla, sepse ata vijnë nga një “familje e ngjashme ideologjike”.
Përveç mos dënimit të himnit të Simuniçit, HNS-ja ka një marrëdhënie problematike me trashëgiminë e NDH-së. Ajo ka ende një shoqatë futbolli të NDH-së nga viti 1940 të listuar në faqen e saj të internetit si “Shoqata Kroate e Futbollit” dhe i trajton si zyrtare të dhënat e ndeshjeve nga vitet 1940, edhe pse Kushtetuta Kroate në mënyrë të qartë thekson se NDH-ja nuk është paraardhësja ligjore e republikës moderne kroate.