Analize13 Dec 2014

Hilet më të zakonshme në raportimet nga energjia elektrike

Ndërsa lajmet janë të bollshme për rritje arkëtimesh dhe ulje humbjesh, disa ndodhi nga e shkuara mund të ndihmojnë për të dalluar propagandën nga realiteti.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Shtylle dritash ne Elbasan, Foto: Santacroce/Flickr

Shtylle dritash ne Elbasan, Foto: Santacroce/Flickr

Shqipëria ka një çerek shekulli që vuan probleme të thella në sektorin elektroenergjetik, ku përfshihen keqmenaxhimi, ose vjedhjet nga lartë dhe energjia e përdorur nga konsumatorë të paidentifikuar, dmth vjedhjet nga poshtë.

Qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë fushata të ndryshme përgjatë këtyre 20 viteve me pretendimin se do t’i japin fund kësaj situate dhe gjithmonë gjatë kësaj kohe ka pasur shumë hile statistikore.

Së fundmi, OSHEE po njofton pothuajse çdo ditë për suksese pas suksesesh, nëpër zyrat e OSHEE ka rradhë të pafundme ndërsa ministria e Energjisë mburret se ka ulur humbjet me mbi 15 për qind.

Vetë programi i Bankës Botërore për kredinë e saj të rradhës parashikon një rënie mbresëlënëse të nivelit të humbjeve joteknike (vjedhjeve) përgjatë pesë viteve të ardhshme, me synimin final që këto humbje të reduktohen në më pak se 2 për qind të totalit të energjisë në vitin 2019.

Nuk është e mundur të mësohet nëse reklama e fushatës së fundit bazohet në fakte reale apo në statistika të shpikura, por historia na mëson disa gjëra që mund të na i qartësojnë idetë. Më poshtë po jap disa ndodhi të së shkuarës që shërbejnë për të kuptuar se çfarë ndodh në sistemin elektroenergjetik.

Kush dreqin e di se sa janë humbjet?

Humbjet, teorikisht janë diferenca mes energjisë së hedhur në rrjet dhe energjisë së faturuar. Kjo do të thotë se kur hidhen 100 kWh në rrjet dhe faturohen 60, atëherë humbjet janë 40 për qind. Shumë e lehtë në teori. Por kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Në të shkuarën, kur ka patur fushata të tilla, faturistët janë vënë nën presion përmes “kuotave të faturimit” sipas zonave të mbulimit. Duke qenë se faturistëve u kërkohej të faturohej, këto të fundit e kanë patur të lehtë të faturonin njerëz që nuk e paguanin energjinë elektrike më shumë se sa ata që e paguanin. Kjo lloj metode krijon faturime, por jo të ardhura. Rrjedhimisht kur raportohet niveli i humbjeve, dmth raporti mes energjisë së hedhur në rrjet dhe energjisë së faturuar, nuk është kurrë e qartë se reduktimi i humbjeve përbën të ardhura shtesë apo thjeshtë faturime shtesë.

Metoda tjetër e përdorur në këto lloj rastesh është mbifaturimi i konsumit të energjisë nga institucionet publike. Është e thjeshtë, për shkak se nëpër institucionet publike askush nuk është seriozisht i interesuar për të parë sahatët, faturistët, nën presionin e drejtuesve, priren të lëshojnë fatura të fryra për shkolla apo institucione të tjera publike. Kjo qe një metodë që u përdor masivisht në vitin 2002, kur qeveria lëshoi njëkohësisht një urdhër për institucionet publike që të paguajnë faturën e energjisë para se të paguajnë rrogën. Në vitin 2014 Shqipëria është pak a shumë në të njëjtën situatë. Qeveria ka lëshuar një urdhër për institucionet publike. Nuk ka fakte që të sugjerojnë se kemi gjithashtu mbifaturim të institucione publike në këtë rast.

Afrofeja sjell “ulje humbjesh”

Një nga metodat e zakonshme të qeverive për të ulur humbjet është rikthimi i faturimeve afrofe të energjisë elektrike. Pikërisht kjo ndodhi këtë vit kur Enti Rregullator lejoi kompaninë e shpërndarjes për herë të parë në pesë vjet të lëshojë fatura afrofe për konsumatorët që nuk kanë matës apo kanë matës të dëmtuar. Kjo është shumë e lehtë. Në vend që të instalosh matësa apo të riparosh matësat e dëmtuar, i dërgon një faturë të majme 600 kWh në muaj. Në këtë rast raporton faturime dhe ulje humbjesh.

Faturime, jo arkëtime

Kur OSHEE raporton bilancin energjetik të vendit, ky bilanc flet për energji të hedhur në rrjet dhe energji të faturuar si dhe diferencën mes tyre. Por jo e gjithë energjia e faturuar konvertohet automatikisht në të ardhura. Përkundrazi, përgjatë viteve është parë se sa herë humbjet e raportuara reduktohen, aq herë energjia e arkëtuar ulet gjithashtu. DMTH duke qenë se indikatori kryesor i performancës së sistemit janë humbjet fizike dhe jo humbjet monetare, administratorët e kanë kollaj të fryjnë faturimet pa marrë parasysh nëse këto fatura do të arkëtohen ndonjëherë apo jo.

Fryrje e vetëkonsumit

OSHEE ka përdorur në të shkuarën, kur e ka patur emrin OSSH, një metodë të thjeshtë për “reduktimin e humbjeve”. Vetë OSHEE nëpër zyrat e saj konsumon energji elektrike. Në vitin 2008, OSHEE i faturoi vetes diku rreth 3 për qind të të gjithë energjisë së hedhur në rrjet zyrave të veta, duke i reduktuar humbjet në letër me 3 për qind. Kur OSSH u ble nga CEZ, kjo e fundit hyri në mosmarrëveshje me Entin Rregullator pasi i kërkoi që vetëkonsumi i OSSH të llogaritej disa herë më pak në bilanc nga sa qe raportuar. Në kushte teorike kjo duhej të konsiderohej si manipulim bilanci, por CEZ nuk qe e interesuar të denonconte ndokënd për këtë krim.

Fryrje e humbjeve teknike

Humbjet, dmth diferenca mes energjisë së hedhur në rrjet dhe energjisë së faturuar, ndahen në humbje teknike dhe joteknike. Humbjet teknike janë humbjet fizike të energjisë kur kjo e fundit kalon nëpër tela e pajisje të tjera ndërsa humbjet joteknike janë vjedhjet. Problemi është se ndonëse është e thjeshtë të dallohet konsumi i faturuar nga konsumi i pafaturuar, nuk është aspak e lehtë që nga ky konsum i pafaturuar të dallohet se çfarë është humbje teknike dhe çfarë është vjedhje. Dallimi është i madh për shkak se humbjet teknike janë pjesë e kostos së energjisë elektrike të paguar nga konsumatorët, ndërsa humbjet joteknike duhet të jenë pjesë që duhet të merret përsipër nga kompania e shpërndarjes. Gjatë viteve të fundit, me kërkesë të CEZ Shpërndarje, ka patur prirje që humbjet teknike të fryhen. Shumë ekspertë dyshojnë se vjedhjet e energjisë elektrike thjeshtë sa janë klasifikuar si humbje teknike me synimin për t’i fshehur.

Arkëtime të vjetra

Qeverive shqiptare i është nevojitur në tri raste të raportojë një bilanc të suksesshëm për sistemin elektroenergjetik dhe në të tri rastet, nevoja ka qenë marrja e kredive të Bankës Botërore. Këto raste kanë qenë në vitin 2002, kur një kredi e BB qe pezulluar që nga viti 1998, në vitin 2008, kur OSSH po pritej të privatizohej dhe tani. Natyrisht, pas kapërcimit të këtyre situatave, gjendja është kthyer në të njëjtin nivel si më parë.

Në të trija rastet, puna e parë që kanë bërë qeveritë është që të urdhërojnë institucionet publike të paguajnë detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike. Kjo, në shumë raste krijon përshtypjen e gabuar sikur arkëtimet janë rritur ndjeshëm, por se sa reale është kjo, shihet vite më vonë.

E gjitha kjo ngjan si sistemet e llogaridhënies së kooperativave të kohës së komunizmit. Qeveria nga Tirana përcaktonte kuota prodhimi, kuota se çfarë do të konsumohej nga vetë popullsia e kooperativës dhe kuota se çfarë do të dorëzohej në sistemin e grumbullimit të qeverisë. Kryetarët e kooperativave raportonin realizim plani 110 për qind, dorëzim të kuotës së kërkuar nga grumbullimi i qeverisë dhe teorikisht vetëkonsumin e popullsisë. Se sa qe konsumi real i popullsisë, kjo nuk merrej vesh. Por nëse ndokush ankohej, akuzohej për agjitacion e propagandë.