Lajm14 Sep 2015

Kreu i Apelit të Tiranës paditet për “pastrimin” e 1.7 milionë eurove pasuri

ILDKPKI paditi Alaudin Malajn se ka fshehur burimin e pasurisë së tij, përmes krijimit të një skeme biznesesh ndërtimi në emër të familjarëve. Si u shumëfishua pasuria e tij në 10 vjet.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Alaudin Malaj (majtas) dhe deklarata e tij e pasurisë për vitin 2014

Alaudin Malaj (majtas) dhe deklarata e tij e pasurisë për vitin 2014

Në vitin 2003, pasuria e deklaruar e Alaudin Malajt, asokohe gjyqtar i Apelit të Vlorës ishte 60 mijë euro. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, pasuria e tij ngjitet në shifrat e 1.7 milionë eurove, vlerë që sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është e pajustifikuar.

ILDKPKI deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se Alaudin Malaj, aktualisht kryetar i Gjykatës së Apelit është kallëzuar në Prokurori për fshehje pasurie, deklarime të rreme të interesave private dhe dyshime për pastrim parash në vlerën e 1.7 milionë eurove.

I kontaktuar nga BIRN, Malaj refuzoi të komentonte kallëzimin për pasurinë e tij.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive ka kërkuar një hetim të plotë e të gjithanshëm për Malajn, pasi ka dyshime për “injektim parash të pista nga i dyshuari”. Sipas ILDKPKI, Malaj ka krijuar një skemë biznesesh ndërtimi në emër të familjarëve të tij, përmes së cilës dyshohet se bënte kalimin e aseteve, vlerave monetare dhe aksioneve nëpërmjet kontratave fiktive të huave dhe dhurimit. Më pas, sipas ILDKPKI, këto vlera shiteshin dhe riinvestoheshin në aktivitete brenda dhe jashtë vendit.

Paralelisht me kallëzimin penal, ILDKPKI tha se do të njoftojë edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe ministrin përkatës për marrjen e masave disiplinore ndaj kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Pasuria e Malajt

BIRN disponon deklaratat e pasurisë që kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë ka dorëzuar në 10 vite, prej nga rezulton se paralelisht me ngjitjen në karrierë, Malaj ka shtuar edhe pasurinë e vet.

Për vitin 2004, Malaj deklaronte se kishte blerë me kredi një makinë 16 mijë euroshe dhe kishte marrë 7 mijë euro të tjera borxh, ndërkohë që vilte të ardhura mujore nga një apartament i dhënë me qira. Nga viti 2004 e deri në 2010, deklaratat e pasurisë së Malajt nuk kanë pësuar luhatje të mëdha.

Deklaratat e pasurisë që BIRN disponon tregojnë megjithatë se në vitin 2010, bashkëshortja e Malajt largohet nga “Posta shqiptare” ku punonte prej vitesh dhe rezulton administratore dhe aksionere në dy kompani ndërtimi; “Rigers Construction” sh.p.k dhe “Algan” shpk. Në të njëjtin vit, familja Malaj ka shtuar pasurinë me një apartament 100 mijë eurosh në Tiranë dhe një tjetër në Golem, të blerë për 35 mijë euro.

Të ardhurat nga kontratat e qirasë për pasuritë e patundshme janë shtuar përgjatë këtyre viteve, ndërsa në vitin 2013, bashkëshortja e gjyqtarit ka deklaruar se ka marrë dhuratë dy apartamente të reja nga vjehrri i saj. Aktet e dhurimit për të dy apartamentet në Tiranë mbajnë datën 29.03.2012.

Deklarata e fundit e pasurisë së Malajt që BIRN disponon mban datën 29 mars 2014. Në të rreshtohen kreditë, të ardhurat nga apartamentet e dhëna me qera, një zyrë e re e blerë në Tiranë dhe katër kontrata detyrimesh në vlerën e më shumë se 47 mijë eurosh. Në kallëzimin e saj, ILDKP vlerëson se kjo pasuri ka shkuar në 1.7 milionë euro.

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Malaj nuk është gjyqtari i parë i kallëzuar nga ILDKP për fshehje të burimit të të ardhurave. Bashkë me Malajn, Inspektoriati i Lartë i Pasurive ka kallëzuar 11 gjyqtarë për fshehje pasurie, por pjesa më e madhe e hetimeve u pushuan nga Prokuroria.

Njëri prej gjyqtarëve me çështje të pushuar është edhe kolegu i Malajt në Apel, Gjin Gjoni. Çështja e tij u mbyll nga Prokuroria, me argumentin se ishin djegur afatet hetimore.

Gjyqtarët milionerë të Apelit

një investigim të mëparshëm, BIRN ka hulumtuar pasuritë e 25 gjyqtarëve të Apelit të Tiranës, përgjatë 10 viteve të deklarimit të tyre. Të dhënat e përftuara treguan se ata ishin përfshirë në miliona euro transaksione financiare në pasuri të patundshme, aksione kompanish apo blerje makinash luksi.

BIRN analizoi rreth 250 deklarata pasurish, prej së cilave rezultoi se gjyqtarët kanë xhiruar 5 milionë euro transaksione në blerje dhe shitje pasurish të patundshme. Dy prej gjyqtarëve të kësaj gjykate deklaruan se zotëronin nga një pallat secili.

BIRN zbuloi gjithashtu se në 8 vjet, gjyqtarët e Apelit të Tiranës apo të afërmit e tyre shpenzuan 840 mijë euro për makina. Vetëm katër nga 25 gjyqtarët e Apelit nuk deklarojnë se kanë në pronësi makinë.

Bashkëshortet luajnë rol kyç në pasurimin e një pjese të gjyqtarëve, deklarimet e të cilëve u morën në shqyrtim. Në të paktën 8 deklarime rezulton se pasuritë e bashkëshorteve janë disa herë më të mëdha se ato të gjyqtarëve.

Në tre raste, bashkëshortet e gjyqtarëve zotërojnë aksione kompanish ndërtimi, duke shumëfishuar të ardhurat e familjes. Në deklarata theksohet gjithashtu se bashkëshortet marrin dhurata në toka apo para nga të afërmit e tyre.

Një zyrtar i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave i tha BIRN në kushtet e anonomatit se familjarët përdoreshin prej gjyqtarëve në skema të dyshuara si pastrim parash të padeklaruara.

“Kemi evidentuar raste kur familjarë të afërt të gjyqtarëve janë përfshirë në skema të pastrimit të parave kryesisht nëpërmjet kompanive të ndërtimit. Në pjesën më të madhe të rasteve, familjarët e gjyqtarëve zotërojnë kuota minimale, 10 apo 15 përqind në këto kompani”, tha ai.