Disa kanë bërë thirrje që Gjermania të pranojë rolin e saj si fuqia hegjemonike e Europës. Në vend të kësaj, Gjermania duhet të përqendrohet në forcimin e BE-së duke punuar për të krijuar kushtet e nevojshme për një politikë europiane të jashtme dhe të sigurisë shumë më të fortë dhe të bashkuar, një politikë që në mënyrë proaktive do ta përgatisë kontinentin të përballet me sfidat që i dalin para.
Kriza e tejzgjatur e borxheve të Greqisë dhe fluksi i vazhdueshëm i refugjatëve në Europë kanë ndezur një debat mbi rolin e Gjermanisë brenda Bashkimit Europian. A është bërë Gjermania një forcë hegjemonike në Europë? Nëse jo, a duhet ta marrë këtë rol, siç kanë sugjeruar disa komentatorë, në mënyrë që të parandalojë dështimin e projektit Europian?
Ideja e hegjemonisë gjermane – siç duhet të jetë e qartë për çdo student historie – është një ide që shpartallon vetveten. Në vend të kësaj, Gjermania duhet të marrë në Europë pozicionin e “Kryezyrtarit Lehtësues,” siç e quajti Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, duke u përqendruar në fuqizimin e BE-së duke punuar për të krijuar kushtet e nevojshme për një politikë me të vërtetë të përbashkët europiane për punët e jashtme dhe për sigurinë, një politikë që në mënyrë proaktive e përgatit kontinentin të përballet me sfidat që i dalin përpara. Duke vendosur të gjithë peshën e vet në këtë detyrë, Gjermania duhet jo vetëm që të promovojë ndikimin e Europës në botë; por duhet edhe të shfryjë diskutimet mbi hegjemoninë.
Më 2007, Traktati i Lisbonës qe bazuar në idenë që mirëqënia dhe siguria e BE-së varet nga fakti nëse vendet anëtare do të vështrojnë përtej interesave të veta mendjengushta dhe të veprojnë bashkarisht, në interes të përbashkët. Në mënyrë që të arrihet kjo, traktati krijoi poste, të tilla si Presidenti i Këshillit të Europës dhe Përfaqësuesi i LArtë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, mbajtësit e të cilëve mund të flasin dhe veprojnë në emër të të gjithë BE-së.
Siç e tha më herët ish kryeministri i Belgjikës Paul-Henri Spaak, “ka vetëm dy lloje shtetesh në Europë: shtete të vogla dhe shtete të vogla që nuk e kanë kuptuar ende që janë të vogla”. Për fat të keq, për momentin, ka shumë tepër vende anëtare të BE-së që bien në këtë kategorinë e dytë.
Postet e reja të themeluara nga Traktati i Lisbonës kanë ndihmuar BE-në të arrijë disa suksese të rëndësishme – më të dallueshmet janë bisedimet me Iranin dhe bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës. Por nuk ka pasur përpjekje të qëndrueshme për të fuqizuar këto poste. Shumë tepër shpesh, kur vjen puna për të diskutuar krizat në politikat e jashtme dhe sfidat strategjike, institucionet e BE-së kanë marrë një rol minor. Kriza e Ukrainës, ku Franca dhe Gjermania morën udhëheqësinë, është thjeshtë një shembull i kësaj.
Dhe megjithatë, edhe ndërsa euro-skepticizmi ka qenë në rritje nëpër të gjithë kontinentin, ka ende një mbështetje të gjithëpërhapur popullore për një politikë të jatshme të përbashkët dhe më të fuqishme për Europën. Në një artikull të kohëve të fundit në Financial Times, ish-ministri j jashtëm i Polonisë Radosłaë Sikorski vuri në pah se si mund të arrihet kjo gjë. Kur një çështje e politikës së jashtme shfaqet, vendet anëtare duhet të vlerësojnë nëse është më mirë që kjo çështje të trajtohet nga vendet anëtare apo duhet të trajtohet në nivel Europian.
Shumica dërrmuese e rasteve në të cilat veprimi i përbashkët është më i pëlqyeshëm, vendet anëtare do të duhet të japin mbështetje të plotë për BE-në. Për rrjedhojë, Presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini, dhe presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker mund të luajnë rol udhëheqës në politikën e jashtme Europiane.
Për fat të keq, kjo është shumë larg të qenit një praktikë e ndjekur prej kohësh. Anëtarët e BE-së kanë tendencën të ndjekin politika disonante, duke e dobësuar në vend që ta përforcojnë policionin global të Europës. Dhe ka ca gjëra që sunduesit e Kinës dhe Rusisë i shijojnë më shumë se gjithë të tjerat, atë të vendosjes së anëtarëve të BE-së kundër njëri-tjetrit.
Gjermania ka një mundësi për të siguruar një kundërpeshë ndaj kundërshtimeve tashmë të vjetra të Britanisë ndaj një politike të jashtme të unifikuar. Duke vendosur ndikimin e vet të konsiderueshëm në shërbim të një politike kohezive në punët e jashtme dhe të sigurisë, Gjermania mund të arrijë njëkohësisht dy objektiva kyçë: një BE më të fuqishme dhe më të aftë dhe një Gjermani më shumë Europiane.
Një pikë nisjeje e mirë është që të veprohet ndaj thirrjeve të shumta për integrimin më të ngushtë të forcave të armatosura të vendeve anëtare të BE-së. Gjermania duhet të vendosë peshën e vet pas idesë së “bashkimit dhe bashkëpërdorimit” të burimeve ushtarake, edhe nëse Mbretëria e Bashkuar vijon të jetë rezistente ndaj një përpjekjeje ë tillë. Në fund të fundit, koha kur vendet anëtare të BE-së shkonin në luftë të vetme ka përfunduar gati tri dekada më parë, me luftën e Ishujve Falkland.
“E mjera e vjetra Gjermani,” tha dikur Henry Kissinger. “Është tepër e madhe për Europën dhe tepër e vogël për botën.” Për fat të mirë, Gjermania ka një rrugëdalje për këtë kurth. Si një pjesë proaktive dhe konstruktive e BE-së, Gjermania është mjaftueshëm e madhe për botën dhe në të njëjtën kohë, jo tepër e madhe për fqinjët e vet.
Siç shkruan së fundmi Steinmeier dhe Ministri i Gjermanisë për Çështjet Ekonomike Sigmar Gabriel, “vetëm sëbashku dhe vetëm në nivel europian ne do të jemi në gjendje të gjejmë zgjidhje racionale.” Ata po shkruanin në lidhje me krizën e refugjatëve, por mund ta thoshin këtë gjë po kaq lehtë duke iu referuar vendit të Gjermanisë në BE-në e ditëve tona.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Germany’s Hegemony Trap