Gjatë debateve të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë mbi kërkesën e opozitës për hetim ndërkombëtar për skandalin CEZ-DIA, Meta sulmoi BIRN, kompaninë e konsulencës ligjore “Clifford Chance”, median në tërësi, ish-drejtorin e CEZ Hejsek dhe E.M. një dëshmitar të çështjes, si dhe deklaroi se ka një operacion mafioz, politik, mediatik dhe financiar kundër tij.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-kryeministri Ilir Meta sulmoi të enjten një numër të madh institucionesh dhe njerëzish, duke i akuzuar se janë pjesë e një komploti kundër tij në lidhje me skandalin CEZ-DIA, për të cilin akuzohet se ka marrë ryshfet nga biznesmeni i arrestuar Kastriot Ismailaj.
Kuvendi i Shqipërisë debatoi të enjten për një propozim të Partisë Demokratike në opozitë për punësimin e prokurorëve të huaj për të hetuar dy ngjarje nga historia pesëvjeçare e privatizimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.
Propozimi i Partisë Demokratike u rrëzua me 54 vota kundër, 50 pro dhe 12 abstenime, në një votim ku disa deputetë nuk morën pjesë.
“Lidhur me këtë histori që na paska nisur nga një agjenci mjaft “serioze” si BIRN-i, dhe nga një studio ligjore që paska angazhuar qeveria aktuale dhe që sipas shpifësve rrit besueshmërinë lidhur me akuzat ndaj bashkëkryetarit të mazhorancës aktuale, mund t’ju them me bindje të plotë se gjithçka është fare e qartë. Çdo gjë ka qenë e studiuar mirë, por i gjithë operacioni është i mjerë, sepse bazohet vetëm mbi falsifikime,” deklaroi Meta. (Kliko këtu për të lexuar fjalën e plotë të Metës në Kuvend, e zbardhur nga zyra e tij e shtypit).
Sulmi ndaj BIRN vjen pas tri investigimeve të publikuara gjatë muajve të fundit në lidhje me aferën CEZ-DIA, Skemat mashtruese të mbledhjes së borxheve i kushtuan miliona euro shqiptarëve, Akuza në arbitrazh: Ilir Meta mori ryshfet nga biznesmeni i arrestuar për mashtrim, dhe Dëshmia e ish-shefit të CEZ: Ismailaj u rekomandua si i besuari i Metës.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative BIRN, zbuloi më 3 qershor 2015 pas një investigimi të gjatë se ish kreu i bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, dega e grupit CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, dhe biznesmeni shqiptar, Kastriot Ismailaj, janë organizatorët e një skeme mashtruese të mbledhjes së borxheve e cila i kushtoi kompanisë miliona euro. (Kliko këtu për të lexuar investigimin). Skema u shfaq pasi grupi CEZ bleu një paketë dominuese aksionesh të kompanisë shqiptare të shpërndarjes së energjisë elektrike OSSH, më 2009, dhe duket se kjo skemë synonte të ndikonte politikanët shqiptarë dhe Entin Rregullator të Energjisë, ERE, përmes ryshfeteve.
Më 3 shtator 2015, BIRN zbuloi dokumentin e mbrojtjes të përgatitur nga Clifford Chance, ku hidhen poshtë pretendimet e DIA në gjykatën e arbitrazhit me argumentin se kontrata e tij për mbledhjen e borxheve qe korruptive dhe se synimi i saj i vërtetë nuk qe mbledhja e borxheve por korruptimi i zyrtarëve shqiptarë për të siguruar kushte të favorshme biznesi për CEZ Shpërndarje. [Kliko këtu për të shkarkuar dokumentin e plotë]
Sipas dokumentit të protokolluar nga Clifford Chance në gjykatën e arbitrazhit më 30 qershor 2015, DIA ka përfituar në total 4.5 milionë euro nga CEZ Shpërndarje, gjatë një periudhe gati një vjeçare nga Nëntori 2010 deri në Tetor 2011.
“Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin…politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish kryeministër i proceduar për korrupsion…si dhe një zyrtar i ERE,” shkruan Clifford Chance në ankimimin e saj në gjykatë.
Më 8 shtator 2015, BIRN publikoi dokumentin e dëshmisë së dhënë nga ish-drejtori i CEZ Shpërndarje Jozef Hejsek për Clifford Chance në kuadër të hetimit për mbrojtjen e Shqipërisë përballë kërkesës së DIA. [Kliko këtu për të shkarkuar dokumentin]
Në dëshminë e tij, Hejsek thotë se ish ambasadori i Shqipërisë në Pragë, zoti Qazim Tepshi luajti rolin e këshilltarit të qeverisë shqiptare në marrëveshjet me drejtuesit e CEZ.
“Ai e mori këtë rol pas bisedimeve me eprorin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme (Zotin Ilir Meta),” dëshmon Hejsek.
“Ai rekomandoi zotin Kastriot Ismailaj për mbledhjen e borxhit dhe e prezantoi atë si aleatin e ngushtë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe të kryeministrit Berisha,” shton Hejsek. [Kliko këtu për të lexuar investigimin e plotë mbi dëshminë e Hejsek]
Pas publikimit të investigimit të dytë të BIRN, zyra e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama bëri të ditur më 3 shtator 2015 se e ka pyetur konsulentin ligjor Clifford Chance përmes zyrës së Avokaturës së Shtetit mbi çështjen dhe ka marrë si përgjigje se dokumenti i dorëzuar nga konsulenti në gjyqin e arbitrazhit “nuk ka përmendur emrin e zotit Ilir Meta si përfitues i transfertave bankare apo ndonjë praktike tjetër korruptive”. Zyra e kryeministrit Rama nuk bëri të ditur se për kë ish-kryeministër bëhet fjalë në dokumentin e Clifford Chance.
Gjatë seancës parlamentare të ditës së enjte, pas më shumë se katër javëve nga fillimi i debatit publik dhe mediatik mbi këtë çështje, kryeparlamentari Meta, hodhi dyshime mbi të gjitha palët e përfshira në këtë çështje.
Meta aludoi se studioja ligjore Clifford Chance, një nga studiot ligjore multinacionale më të mëdha në botë, është punësuar nga ish-drejtori i CEZ Shpërndarje Sahit Dollapi dhe se përfshirja e emrit të tij në investigimin e BIRN të datës 3 shtator 2015 është bërë “në mënyrë të manipuluar.” Meta nga ana e tij aludon se Clifford Chance si e punësuar nga administrata e Partisë Demokratike dhe se “ka kryer edhe shërbime të tjera për qeverinë përpara qershorit të vitit 2013”.
Kryetari i Kuvendit tha se DIA ka mbledhur vetëm 20 për qind të borxheve ndërsa kompanitë e tjera të mbledhjes së borxheve të punësuara nga CEZ qenë përgjegjëse për 80 përqindëshin e mbetur. Ai pati sugjeruar më herët se dëshiron hetim të plotë mbi çështjen CEZ dhe jo vetëm mbi kontratën CEZ – DIA.
Gjithashtu, Meta deklaroi në Kuvend në lidhje me dëshminë e Hejsek se “nuk kishte besim te ai” dhe se nuk besonte, siç dëshmon Hejsek se ish-kryeministri Sali Berisha “ka qenë i implikuar” në rekomandimin e Ismailajt si biznesmen me mbështetje të Metës dhe Berishës.
“Ilir Meta asnjëherë nuk ka ndërmjetësuar për një marrëveshje të tillë dhe s’ka pasur asnjë interes për të bërë këtë gjë”, tha Meta.
Meta aludoi gjithashtu se një dëshmitar i qeverisë shqiptare në çështjen e arbitrazhit përballë DIA, me inicialet E.M., “ka qenë 3-4 muaj në LSI, është konfliktuar me një të ri aty për motive të dobëta dhe është përjashtuar nga LSI”.
Dëshmitari E.M raportohet se ka ndihmuar konsulentin ligjor të ngrejë mbrojtjen në arbitrazh për shkak të pozicionit të tij si ish drejtues i DIA dhe rrjedhimisht, si dëshmitar kyç për argumentin se DIA qe një biznes mashtrues dhe se prishja e kontratës me të nga ana e CEZ qe e drejtë.
Përtej gjithë akuzave të mësipërme, Meta vijoi më tej duke i cilësuar debatin publik mbi çështjen si një “operacion mafioz, politik, mediatik dhe financiar”.