Përfaqësues të dy partive kryesore politike në vend deklaruan se forcat e tyre politike mbështesin në parim të drejtat e barazisë së komunitetit LGBTI, por “vendi nuk është gati” dhe problemi ka ngecur për shkak të mospërfshirjes së tyre në axhendën e partive politike,- u tha në forumin e javës kundër homofobisë në Tiranë.
Një forum ekspertësh, politikanësh dhe organizatash kundër diskriminimit dhe në mbrojtje të drejtave të komunitetit LBGTI në Shqipëri diskutuan të enjten për mungesën e përfshirjes së komunitetit LGBTI në axhendën politike në vend.
Organizuar nga Open Mind Spectrum Albania në kuadër të javës ndërkombëtare kundër homofobisë dhe transfobisë në vend, forumi theksoi nevojën për respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri dhe përfshirjen e tyre në axhendën politike, përmes krijimit të partive apo përfshirjes në hartimin e legjislacionit.
Zëvendës presidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, njëkohësisht bashkëkryesuese e Grupit të të Drejtave të LGBTI në BE, ndau me të pranishmit eksperiencën e saj të preferencave të seksit të njëjtë dhe nxiti përpjekjet për më shumë të drejta.
“Partitë politike në Shqipëri kanë frikë se me përqafimin e të drejtave të LGBTI do të humbin disa vota, por ato duhet ta ndërmarrin patjetër këtë hap dhe kështu do të fitojnë vota të tjera,” tha Lunacek.
“Shqipëria ka treguar progres deri më tani dhe duhet të vazhdojë kështu. Të drejtat e komunitetit LGBTI duhet të jenë pjesë e të drejtave të tjera më të gjera. Gjithashtu duhen bërë lëvizje nga qeveria për të trajnuar nëpunësit se si të sillen me komunitetin LGBTI,” shtoi ajo.
“Është normale të jesh ndryshe. Askush nuk ka përse të ketë frikë dhe të mos jetojë hapur,” përfundoi fjalën Lunacek.
Më 14 maj, komuniteti LGBTI në Shqipëri pedaloi në rrugën kryesore të kryeqytetit për të kërkuar më shumë të drejta dhe ndryshimin e Kodit të Familjes për të përfshirë bashkëjetesën mes personave të të njëjtës gjini.
Vasilika Hysi anëtare e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut nga Partia Socialiste tha se Shqipëria nuk është ende gati të pranojë të drejta të barabarta për komunitetin LGBTI.
“Shqipëria ka bërë progres në ndryshimin e nenit 18 të Kushtetutës për mosdiskriminimin për shkak të preferencave seksuale. Duhet të punojmë hap pas hapi për të çuar përpara të drejtat për komunitetin LGBTI, por vendi nuk është gati” tha Hysi.
“Disa deputetë kundërshtojnë pasi kjo u bie ndesh me besimin e tyre fetar, por ndryshimi i Kodit të Familjes do të sillte dobi për bashkëjetesën e të njëjtës gjini kryesisht në të drejtat pronësore”, shtoi ajo.
Elsa Ballauri nga Grupi i të Drejtave të Njeriut në Shqipëri shprehu shqetësimin e saj për mospërfshirjen në punën partive politike të të drejtave të komunitetit LGBTI. “Partitë politike duhet të bëjnë më shumë dhe për këtë duhet të dalin jashtë qëndrimit të tyre të zakonshëm” tha ajo.
Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Arbiola Halimi shprehu gjithashtu mbështetjen e forcës politike të cilës ajo i takon, për të drejtat e njeriut, por pranoi se pak progres është bërë në Shqipëri në këtë fushë.
Pjesëmarrësit në forum i nxitën të dyja partitë kryesore në Shqipëri të bëjnë më shumë për të drejtat e komunitetit LGBTI duke çuar përpara ndryshimet në Kodin e Familjes për bashkëjetesën e personave të së njëjtës gjini.