Vëzhguesit në Kosovë pyesin veten nëse shefi i ri i Partisë Demokratike të Kosovës do të bëjë ndryshime të mëdha apo do të vazhdojë politikat e vjetra – por vetëm Kadri Veseli e di përgjigjen.
Javën e kaluar partia PDK e Kosovës zgjodhi unanimisht Kadri Veselin si udhëheqësin e saj të ri.
Një anëtar i rëndësishëm i partisë prej kohësh, deri kohët e fundit, zëvendës kryetar i partisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-shefi i agjencisë së inteligjencës, Shërbimit Informativ Kombëtar, SHIK, ai nuk është një lojtar i ri në skenën politike.
Ndërsa pretendimet e tij për të reformuar partinë janë pritur kryesisht me skepticizëm, tani i takon Veselit të vendosë nëse lidershipi i tij do të përfaqësojë vazhdimësi apo do të shënohet nga nga ndryshimet.
Në fjalimin e tij të parë si shefi i ri i PDK-së më 7 maj, Veseli ka pranuar se shumë probleme janë akumuluar në Kosovë gjatë sundimit të partisë së tij.
Megjithatë, përveç premtimeve të paqarta, ai nuk dha shenja të kthjellëta në lidhje me orientimin e tij të ardhshëm politik.
“Sfida më e madhe për të gjithë ne, dhe për mua si kryetar i partisë, do të jetë sigurimi i një jete më të mirë për qytetarët, sigurimi shëndetësor dhe arsimimi më i mirë,” tha ai.
Shumë vëzhgues kanë qenë kuriozë se si PDK-ja do të adresojë këto sfida me Veselin në drejtim. Shumë thonë se tha se dyshojnë që zgjedhja e tij të rezultojë në ndryshime të rëndësishme.
“Veseli nuk do të sjellë asgjë të re për PDK-në. Ai përfaqëson vazhdimësinë e udhëheqjes së [ish-liderit Hashim] Thaçi, sepse Veseli ishte një nga themeluesit e saj [të PDK-së] dhe ishte pjesë e vendimmarrjes që nga fillimi”, tha për BIRN Adrian Çollaku, kryeredaktor i lajmeve të portalit Blic, me bazë në Prishtinë.
Thaçi çon partinë drejt fitores
PDK-ja u formua në fillim të vitit 2000. Konventa fillestare e partisë e quante atë Partia për Progres Demokratik të Kosovës, duke reflektuar një fillestar orientim të qendrës së majtë, para se të bëhej kalimi për më shumë nga qendra e djathtë.
Udhëheqja kryesore përbëhej nga oficerë politike të ish-forcës guerile, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe përfshinte, ndër të tjera, Thaçin, Jakup Krasniqin, Azem Sylën, Xhavit Halitin dhe Fatmir Limajn.
Veseli ndërkohë vazhdoi të drejtojë SHIK, që u formua në vitin 1999 si një shërbim i kundërzbulimit i udhëhequr nga UÇK-ja.
Pas tre vjetësh në opozitë, nga 2004 në 2007, PDK-ja e drejtuar nga Thaçi shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2008. Ajo u rikonfirmua si partia udhëheqëse në dy zgjedhjet e mëvonshme, në vitin 2010 dhe në vitin 2014.
Gjatë kësaj kohe, PDK-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e mëdha në Kosovë, duke përfshirë bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi.
PDK-ja është parë gjithashtu si partnerja më e rëndësishme nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, e cila vazhdon të luajë një rol të fuqishëm në Kosovë dhe në rajon.
Megjithatë, partitë e opozitës dhe media e akuzojnë PDK-në për vendosje të kontrollit mbi mediat, universitetet dhe institucionet e tjera publike. Ata gjithashtu e akuzojnë atë për korrupsion të nivelit të lartë në kuadër të pushtetit qendror dhe në komunat e drejtuara nga PDK.
Marrëveshja e Koalicionit të vitit 2014 mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, e kurorëzoi Thaçin si president të ardhshëm të Kosovës, dhe krijoi një ekzekutiv të udhëhequr nga LDK me Isa Mustafën si kryeministër.
Kushtetuta e Kosovës i kërkon presidentit të japë dorëheqjen nga të gjitha funksionet publike, rregull që Thaçi e ndoqi menjëherë pasi ish-presidentja, Atifete Jahjaga përfundoi mandatin e saj, dhe pasi parlamenti e zgjodhi atë si presidentin e ri më 26 shkurt, 2016.
Ndërsa zgjedhja e Thaçit e la PDK-në pa udhëheqësin e saj simbolik, largimi i tij nga PDK-ja nuk pritet të ndikojë seriozisht në organizimin e saj të brendshëm, tha Adrian Çollaku.
“Vendimet do të vazhdojë të merret nga një rreth i mbyllur i udhëheqësve të lartë me Thaçin si pjesë e ekipit, ndërsa votuesit do të mbahet me anë të [sistemit] të klientelizmit të krijuar tashmë,” tha ai për BIRN.
Ndryshimi i roleve mes Thaçit dhe Veselit nuk është asgjë e re për PDK-në. Për shumë njerëz në Kosovë, edhe pse ai nuk ishte zyrtarisht pjesë e PDK-së, Veseli ka qenë gjithmonë de facto i dyti për nga rëndësia, duke komanduar nga prapa skenave.
Figurë kyçe në hije
Veseli ka lindur në fshatin Braboniç në Mitrovicë në vitin 1967, në një familje të njohur për pikëpamjet e tyre nacionaliste.
Të dy vëllezërit e tij u arrestuan nga autoritetet jugosllave në vitin 1981 për veprimtari politike, ndërsa vetë Veseli u bë politikisht aktiv si një student i Universitetit të Prishtinës në vitin 1988, kur ai u bashkua me Lëvizjen Popullore të Kosovës, LPK, një organizatë ilegale e shqiptarëve të Kosovës e cila i parapriu krijimin e UÇK-së.
Sipas një ish-zyrtarit të lartë të LPK në Zvicër, Bedri Islamit, Veseli prezantoi Thaçin në LPK në vitin 1988, kohë kur mesa duket, filloi miqësia e tyre dhe udhëtimi i përbashkët politik.
Veseli u zhvendos në Shqipëri në vitin 1991. Nga atje, ai dhe Thaçi shkuan në Zvicër, ku të dy ishin aktivë në formimin e UÇK-së dhe morën pjesë në disa nga veprimet e para kundër forcave qeveritare serbe.
Veseli është i njohur edhe për mbështetjen e tij për Izraelin, që e vizitoi në vitin 2007, për të takuar oficerë të lartë të inteligjencës izraelite. Në disa raste ai ka thënë se favorizon kultivimin e marrëdhënieve më të ngushta me Gjermaninë, në vend të Turqisë, siç bëri paraardhësi i tij në parti, Thaçi.
Shumë besojnë se një pjesë e ndikimit të PDK-së në Kosovë në vitet e fundit i takon Veselit dhe aleancës së me PDK-në në krye të SHIK-ut.
Agjencia u formua në vitin 1999 si shërbim i kundër inteligjencës të UÇK-së dhe u shpërbë zyrtarisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Veseli vazhdoi të drejtojë SHIK-un, që është përballur me akuza të vrasjeve të motivuara politikisht që nga lufta e vitit 1999.
Nazim Bllaca, një anëtar i vetëshpallur i SHIK, tha në vitin 2009 se ai mori pjesë në disa vrasje të tilla. Tre raste vrasjesh të tilla janë provuar që atëherë, ndërsa rasti i katërt është nën hetim. Disa njerëz janë shpallur fajtorë dhe janë duke vuajtur dënimin.
Veseli, i cili ishte thirrur për të dëshmuar nga misioni i sundimit të ligjit të BE-së, EULEX, i mohoi këto akuza më 20 qershor 2012, dhe gjithashtu mohoi se Bllaca ka qenë ndonjëherë anëtar i SHIK-ut.
Ai nuk u akuzua, dhe nuk pati asnjë hetim kundër tij në lidhje me këto akuza të bëra publike.
Veseli doli në publik në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe SHIK u shpërbë zyrtarisht.
Ai u “pranua” menjëherë në PDK dhe u zgjodh zëvendës i parë i Thaçit në konventën e partisë gjatë vitit 2012. Roli i Veselit prej kohësh në PDK është arsyeja pse nuk pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm pas kurorëzimit të tij si lider i PDK-së.
Disa ekspertë besojnë se jo vetëm që situata në PDK nuk ndryshojë pas Veselit, por pritet që tendencat ekzistuese të konfirmohen.
Çollaku thotë se pas largimit të dy disidentëve kryesorë të partisë, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj në vitin 2012, PDK-ja është bërë më e konsoliduar dhe e efektshme.
Kjo pritet të ndihmojë Veselin të udhëheqë partinë drejt një fitore zgjedhore, për të cilat PDK-ja thuhet se është duke u përgatitur.
“Përveç disa individë të pakënaqur, pas largimit të Krasniqit dhe Limajt, nuk ka pasur fraksione brenda PDK-së”, tha Çollaku për BIRN.
“Është e qartë se PDK-ja po përgatitet për zgjedhjet e reja, të cilat besoj se do të mbahen brenda disa muajve,” shtoi ai.
“Shenjat janë tashmë të qarta, me Veselin që ka sfiduar autoritetin e [kryeministrit] Mustafës dy herë. E para duke emëruar Enver Hoxhaj si ministër i ri i jashtëm, që duhej ta kishte bërë kryeministri dhe së dyti, me njoftimin e tij të njëanshëm të ndryshimeve në qeveri, në të cilat LDK-ja nuk është e interesuar”, përfundoi ai.
Në anën tjetër, një burim i PDK i cili kërkoi të mbetej anonim tha për BIRN se Veseli nuk e ka me ngut të mbajë zgjedhje të reja dhe se prioritet i tij ishte zëvendësimi i disa personave të rëndësishëm të PDK-së.
Arrestimi së fundmi më 29 prill i një prej figurave kyçe të PDK, Azem Sylës për akuza të krimit të organizuar, ka qenë një pengesë e popullaritetit të PDK.
Ndërsa kryesimi i PDK-së nga Veseli është parë me skepticizëm, tani ai ka dy mundësi.
Mund të vërtetojë këtë skepticizëm duke bërë vetëm ndryshime kozmetike brenda PDK-së ndërsa ruan metodën aktuale të pushtetit përmes kontrollit të institucioneve; ose të kthejë faqen dhe të reformojë partinë e tij duke i dhënë një karakter të ri. Nëse do ta bënte këtë, kjo do të ndryshonte mënyrën se si partia dhe Kosova funksionojnë.