Peticioni në Kosovë përmes së cilit kërkohet që OKB të hetojë rastet e dhunimeve gjatë luftës tregon për dështimin e institucioneve vendase që të veprojnë vetë, vë në theks qëndrimet paragjykuese ndaj viktimave dhe nuk mund të sjellë drejtësi.
Ka dy javë që në Prishtinë po mblidhen nënshkrime për një peticion me të cilin do t’i bëhet presion Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të investigojë përdhunimet që kanë ndodhur gjatë luftës së vitit 1999. Peticioni është i mbështetur nga disa figura të rëndësishme kosovare, veçanërisht nga zëvendës kryeministrja në largim Edita Tahiri.
Në qoftë se çdo gjë shkon sipas planit, Kombet e Bashkuara do të dërgojnë investigues në Kosovë në mënyrë që të përpilojnë një raport mbi përdhunimet që kanë ndodhur gjatë luftës. Edhe pse qëllim mirë në shikim të parë, peticioni është një llojë kamuflimi i mungesës së veprimit dhe përkrahjes së viktimave nga institucionet e Kosovës që nga përfundimi i luftës.
Përbrenda Kosovës, ende nuk është bërë një hulumtim serioz mbi rastet e përdhunimit gjatë luftës. Numri i supozuar i përdhunimeve, 20,000, përsëritet shpesh nga politikanët që mbështesin peticionin dhe thyerjen simbolike të heshtjes – por ky numër nuk është dëshmuar asnjëherë.
Pranimi i dështimit?
Duket joefektive që të kërkohet një analizë e tillë nga Kombet e Bashkuara kur ekzistojnë mekanizma shtetërorë dhe misioni i EULEX-it për të hetuar dhe dokumentuar rastet e përdhunimit gjatë luftës. Instituti i Krimeve të Luftës, i cili është themeluar në vitin 2011, akoma nuk ka publikuar asnjë hulumtim apo raport mbi krimet e bëra gjatë luftës së vitit 1999. Në këtë kontekst, kërkesa për të ftuar Kombet e Bashkuara për të hulumtuar krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë është absurde, përderisa institucionet vendase të cilat duhet të merren me mbledhjen e të dhënave mbi krimet e luftës nuk kanë bërë asnjë hap më tutje.
Në mënyrë që të ketë drejtësi të vërtetë, Kosova dhe Serbia duhet të kenë një marrëveshje ekstradimi. Në qoftë se shumica e përdhunuesve supozohet të jenë ushtarë dhe paramilitarë serbë, drejtësia do të jetë e pamundur përderisa ata nuk paraqiten para një gjykate, qoftë kosovare, qoftë ndërkombëtare. Ekstradimi i përdhunuesve të dyshuar ka mundur të jetë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi, ku vet Tahiri ishte kryenegociatore, dhe në praktikë do të ishte njëra prej gjërave më të dobishme që mund të jetë bërë në favor të viktimave të luftës. Në këtë aspekt, fokusi tek prodhimi i një raporti është i kotë, nëse nuk rezulton në dënim për përdhunuesin dhe dëmshpërblim për të përdhunuarin. Një raport i cili pas botimit vetëm do të mblidhte pluhur në sirtar, nuk kontribuon shumë. Nuk është e qartë se çfarë ndodh pas raportit – nëse ekziston ndonjë plan për fazën e pas publikimit të edhe një raporti tjetër mbi krimet e bëra në Kosovë.
Nuk duhet harruar edhe fakti që Kombet e Bashkuara kanë pasur një mision të vetin në Kosovë, me fuqi ekzekutive mbi policinë, prokorurinë, dhe gjyqësin e Kosovës, nga viti 1999 deri më 2008. Derisa UNMIK-u ishte në fuqi, nuk u krijua asnjë dhomë e posaçme për trajtimin e krimeve të luftës dhe shpeshherë rastet zvarriteshin në mënyrë të pajustifikueshme – ose madje nuk hetoheshin fare, sikur në shumë raste të personave të zhdukur (dokumentuar vitin e kaluar në këtë raport të ashpër nga Amnesty International). Për më tepër, aktviste që kanë mbledhur të dhëna mbi këto raste menjëherë pas luftës dhe i kanë dorëzuar ato tek UNMIK-u, e akuzojnë këtë të fundit për shkatërrim të dëshmive. Pas tërë kësaj historie të hidhur, a mbetet që Kosova prapë të mbështetet në organet e Kombeve të Bashkuara për drejtësi?
Drejtësi selektive?
Supozohet se me anë të këtij peticioni do të zbardhen raste të përdhunimeve të grave shqiptare nga ushtarë dhe paramilitarë serbë. Por çka nëse del që ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë përdhunime po ashtu? Apo, nëse dokumentohen edhe raste të përdhunimeve të burrave? Përderisa peticioni po diskutohet dhe përkrahet, nuk ka reagime të ngjashme ndaj rastit te kidnapimit, përdhunimit dhe rrahjes brutale të dy grave shqiptare nga ushtarë të UÇK-së gjatë luftës. Përkundrazi, në vend të përkrahjes së viktimave, organizohen protesta për lirimin e të dyshuarëve – të cilët, si luftëtarë lirie, nuk mund të kenë bërë krime të tilla. Rasti i udhëhequr nga EULEX, ishte nisur nga kryeprokurori i atëhershëm Maurizio Salustro, i cili tani është këshilltar i zëvendës kryeprokurorit për krime lufte në Beograd, duke i dhënë edhe më shumë forcë deklaratave se akuzat kundër anëtarëve të UÇK-së janë ‘propagandë serbe’. Çfarë protestash do të ndodhin nëse ky raport ndërkombëtar do të dokumentonte raste të përdhunimit nga ana e UÇK-së? Apo përdhunimi qenka krim vetëm kur bëhet nga një armik i jashtëm?
Është ironike që në diskursin publik, drejtësia për personat e përdhunuar gjatë luftes ka fituar aq përkrahje, përderisa përdhunimet që ndodhin si rezultat i dhunës familjare nuk konsiderohen si çështje urgjente. Fakti që asnjë grua e përdhunuar nuk ka pranuar (apo mbase nuk është ftuar) që të jetë fytyrë publike e peticionit për drejtësi për personat e përdhunuar gjatë luftës është brengosëse. Nuk duhet të harrojmë se gjatë debatit për futjen e personave të përdhunuar si kategori e veçantë në ligjin për statusin dhe të drejtat e viktimave civile dhe jo-civile të luftës, disa prej kundërshtuesve më të mëdhenj e të zëshëm ishin deputetët shqiptarë të kuvendit. Arsyetimet bazoheshin në bindjen e tyre se mund të ketë gra që do të gënjenin se ishin të përdhunuara në mënyrë që të përfitonin nga ndonjë pension; se nuk kishte mënyrë që të vërtetohej përdhunimi i tyre nëpërmjet një ekzaminimi mjekësor; dhe se nuk kishte buxhet të mjaftueshem shtetëror për t’i përkrahur ato. Debati i flaktë në parlament jo vetëm që zgjoi kundërthënie në kuvend po edhe jashtë tij. Nazlie Bala nga Lëvizja Vetëvendosje, njëra nga aktivistet që përkrahte ndryshimin e ligjit, madje u sulmua fizikisht. Pra, vetëm një vit më parë jo vetëm që një iniciativë për njohjen e statusit të viktimave të dhunuara nuk gjente përkrahje, por sulmohej si njollosje e luftës dhe nderit kombëtar. Ç’ndryshoi?
Gratë – viktimat e përhershme
Mbase, asgjë. Kërkesa për drejtësi i drejtohet Kombeve të Bashkuara, ndoshta sepse në Kosovë ndesh në vesh të shurdhët. Problemi i peticionit ndërlidhet me mënyrën se si viktimat e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë janë përfaqësuar deri më sot. Në havarinë e mungesës së fakteve dhe emocioneve të fuqishme që ndërlidhen me turpin dhe nderin, çështja e viktimave të dhunës seksuale del në pah, por kurrësesi vetë ata. Është absolutisht e nevojshme të njihet statusi dhe të zbardhen rastet e viktimave të dhunuara seksualisht, por është vështirë të injorosh se si viktimat e përdhunuara vazhdojnë të damkosen nga ata njerëz që marrin rolin e përfaqësimit të një grupi pa zë.
Që të ketë përfaqësim që rezulton në faktorizimin shoqëror dhe politik të tyre, duhet të ekzistojë një vet-organizim i viktimave, sikur në rastin e Shoqatës së Grave Viktima në Bosnje, e cila lufton me vite të tëra për të drejtat e viktimave të përdhunimit gjatë luftës. Ato nuk janë viktima në kuptimin patetik të fjalës, por aktiviste që luftojnë për të drejtat e tyre, pa turp – në sferën publike. Tendenca në Kosovë për t’i parë viktimat e përdhunimit në një dritë patetike është e rrezikshme, meqë redukton njerëzinë dhe guximin e tyre. Shembull konkret është teksti i këngës së artistes Eliza Hoxha, “Kënga e Heshtjes”, i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes, por që zhveshë viktimën tërësisht nga mundësia e rekuperimit dhe e redukton në “një trup [të] pa shpresë”, qenie të pambrojtur dhe të dobët – që në radhë të parë, ka nevojë për keqardhjen tonë.
Të kthehemi përfundimisht tek peticioni: një iniciativë për të gjetur kriminelët dhe për t’i dënuar ata është akt i drejtë dhe i nevojshëm. Një peticion drejtuar Kombeve të Bashkuara, organet e të cilës kanë dështuar dukshëm gjatë misionit të tyre në Kosovë, është aq i kotë sa një çirrje nën ujë. Por, politikisht është akt shumë i dobishëm. Në qoftë se dështon peticioni, apo në qoftë se nxjerr në pah disa fakte të hidhura, faji mund t’iu hidhet Kombeve të Bashkuara. Në qoftë se peticioni është ‘i sukseshëm’ dhe nxirren vetëm fakte për përdhunimet e grave shqiptare nga forcat serbe, atëhere kjo do të përbëjë një fitore simbolike – me që institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak për të dërguar fakte mbi përdhunimet tek organet ndërkombëtare të drejtësisë për Ballkanin, sikur ICTY dhe s’e kanë vlerësuar si të nevojshme që të kushtëzojnë bisedimet me Serbinë me hulumtimin dhe dënimin e krimeve të luftës. Në këtë kontekst, peticioni është një “gjest ngushllues” për viktimat, përderisa institucionet vendore mundohen të largojnë nga vetja përgjegjësinë për të njohur, hetuar dhe dënuar të gjitha krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë, pa përjashtim.
Hana Marku dhe Lura Limani janë freelance gazetare në Prishtinë.