Rritja e autoritarizmit në disa vende të Ballkanit Perëndimor nuk qe në majë të axhendës së samitit të javës së shkuar të Berlinit
Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel mblodhi udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për një konferencë në Berlin si pjesë e një iniciative për të rritur profilin e rajonit në axhendën e BE-së, e cila ndërkohë vijon të mbetet e shqetësuar për krizën financiare në Europë.
Duke njoftuar konferencën, Merkel tha se “vendet që dëshirojnë të bashkohen me BE-në duhet të plotësojnë standarde të rrepta demokratike para se të merren në konsideratë si kandidatë për anëtarësim”.
Plotësimi i “standardeve demokratike” nuk është një kusht i ri për anëtarësim në BE, por, sipas disa analistëve, shumë vende në Ballkanin Perëndimor po lëvizin në drejtim të kundërt.
Raporte nga fondacioni Bertelsmann dhe nga organizata e mbikëqyrjes për të drejtat, Reporterë pa Kufij dhe Shtëpia e Lirisë (Freedom House), vërejnë një rënie të fortë në standardet e demokracisë dhe lirisë së medias në Maqedoni, Serbi dhe Bosnja në veçanti.
“Modeli i ‘demokracisë joliberale’ (zgjedhje të lira por jo të ndershme, kontroll i ekzekutivit mbi gjyqësorin dhe ndikim i fortë në media) duket se po përhapet në shumë vende në Europën Lindore dhe Juglindore,” thotë Andreas Ernst, korrespondent nga Europa Juglindore për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung.
Figura autoritare si Vladimir Putini i Rusisë dhe Recep Erdogan i Turqisë shihen si tërheqës për popujt dhe udhëheqës në rajon, shtoi ai, për shkak se regjimet e tyre, ndonëse joliberale, kanë rritur pasurinë dhe sigurinë e njerëzve.
Kryesues në rënie
Një nga vendet e rajonit që ka përjetuar rënie veçanërisht të theksuar në standardet demokratike gjatë viteve të fundit është Maqedonia.
Një vend kandidat për në BE që nga viti 2005, ai konsiderohej dikur si një histori suksesi në rajon. Maqedonia dukej në rrugën e duhur pasi arriti të zgjidhë konfliktin e vet me bazë etnike më 2001, duke ofruar më shumë të drejta për minoritetin shqiptar, i cili përbën një të katërtën e popullsisë prej 2.1 milionë banorësh.
Pas shumë vitesh progresi demokratik, Maqedonia tashmë konsiderohet si vend që po bën “hapa prapa në demokraci,” thotë Anastas Vangeli, një kërkues në Akademinë Polake të Shkencave në Varshavë.
Ai flet për një “elitë sunduese shumë fort të ngulitur që ka akumuluar kaq shumë burime sa është praktikisht e pamposhtme dhe e aftë për të krijuar rregullat e veta… dhe gjithashtu të ndryshojë të ardhmen e shtetit dhe të shoqërisë në tërësi.”
Ajo që e ktheu Maqedoninë nga “histori suksesi” në një fëmijë problematik qe vendimi i Greqisë për t’i vënë veton anëtarësimit të Maqedonisë në NATO në samitin e aleancës në Bukuresht më 2008, thotë Andreas Ernst.
“Kjo ndryshoi strukturën e incentivimit në politikën e Maqedonisë. E pse duhet që elita politike të kryejë reforma liberale (të dëmshme për pushtetin e vet), në rast se nuk ka shpërblim në prestigj përmes integrimit Euro-Atlantik?” pyeti ai.
Greqia ka kundërshtuar përdorimin e emrit Maqedoni nga fqinji i vet verior që kur vendi fitoi pavarësinë nga Jugosllavia më 1991. Që të dyja vendet po bisedojnë për një zgjidhje me ndërmjetësimin e OKB-së, por, pas 20 vitesh diskutimesh, nuk ka zgjidhje në horizont. Për rrjedhojë, Greqia po bllokon anëtarësimin e Maqedonisë në BE, ashtu si edhe në NATO.
Që nga telashet e samitit të NATO-s në Rumani, udhëheqësi i Maqedonisë Nikola Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE ka kalëruar mbi një dallgë nacionalizmi dhe populizmi, gjë që solli edhe projektin marramendës për të ndryshuar fytyrën e kryeqytetit, “Shkupi 2014”.
Shkupi vijon të përjetojë ndryshime masive të financuara nga qeveria dhe në të janë shfaqur dhjetëra ndërtesa të reja neo-klasike, memoriale, një hark triumfi dhe një statujë bronzi 22 metra e lartë e Aleksandrit të Madh.
Qeveria më 2013 pretendoi se ka shpenzuar 208 milionë euro në këto punime – por kritikët vlerësojnë se kostoja reale mund të jetë rreth 500 milionë euro.
“’Shkupi 2014′ është një përpjekje shumë e kushtueshme për të ngritur insinuata se Maqedonia moderne ka rrënjë të lashta,” thotë Ernst. “Por rezultati i vetëm i kësaj është përshkallëzimi i konfliktit me Greqinë i shoqëruar me një gropë në buxhet.”
Rikrijimi i antikitetit
Ridizenjimi i kryeqytetit nuk është pasoja e vetme e projektit që disa e quajnë “antiku-izim”. Librat e shkollës janë ndryshuar gjithashtu dhe fëmijët tashmë mësojnë se janë pasardhës të Aleksandrit të Madh.
“Synimi i antikuizimit të Shkupit 2014 është për të fuqizuar sundimin e elitës, duke ofruar një mitologji të fuqishme etno-nacionale dhe duke prezantuar imazhin e një qeverie që është aktivisht e angazhuar në projekte ndërtimore,” thotë Vangeli.
Në një letër të hapur për anëtarët e vet më 2008, partia në pushtet sqaroi misionin e vet në terma pothuajse apokaliptikë.
Ajo qe gati “për betejën finale me politikanë që kanë lënë pas një tokë të shkretë dhe të varfër në vendin tonë dhe kanë sjellë krim, imoralitet, gënjeshtra si dhe kanë prishur vlerat tona,” thuhej aty.
Që nga ajo kohë, media kritike ndaj qeverisë është margjinalizuar në mënyrë të vazhdueshme, apo mbyllur, siç qe rasti i bujshëm i vitit 2011 me televizionin A1, dikur stacioni televiziv më me ndikim në vend, pronari i të cilit u burgos për korrupsion.
Gazetarët e pavarur që kanë mbetur në Maqedoni përballen në mënyrë rutinë me gjoba të rënda për shpifje apo sulmohen personalisht nga media kryesore, e cila tashmë është tërësisht nën kontrollin e qeverisë. Për rrjedhojë, Maqedonia renditet sot në vend të 123 në indeksin e lirisë së shprehjes të organizatës Reporterë pa Kufij, nga vendi i 39 që qe në vitin 2009.
Grupimet e shoqërisë civile që synojnë të vijojnë punën e vet si monitorues thonë se i nënshtrohen kërcënimeve dhe ngacmimeve.
Në një shenjë tjetër të mendësisë autoritariste të qeverisë, më 24 dhjetor 2012, deputetët e opozitës dhe gazetarët u nxorrën me dhunë nga parlamenti gjatë një debati mbi buxhetin e shtetit.
Socialdemokratët në opozitë po bojkotojnë parlamentin e ri, duke akuzuar Gruevskin për manipulim të zgjedhjeve të 27 prillit, kur partia e tij fitoi 61 nga 123 vendet në parlament.
Ernst thotë se mjedisi i frikës dhe kërcënimit në Maqedoni është shqetësues. “Një vit më parë, për herë të parë [që nga 1999] unë përjetova rastin kur një person që intervistova në një kafene uli zërin e vet kur bëri komente kritike mbi një politikan,” vëren ai. “Mendoj se frika është e ekzagjeruar, por ajo funksionon.”
Frymëzuar nga Hungaria
Maqedonia nuk është shembulli i vetëm i regresit demokratik në rajon. Florian Bieber, profesor i studimeve mbi Europën Juglindore në Universitetin e Grazit, së fundmi argumentoi se një formë specifike e demokracisë joliberale është duke u ngritur në të gjithë rajonin.
“Rreziku i populizmit me tendenca autoritariste nuk është i kufizuar te Ballkani Perëndimor, por përfshin edhe vende anëtare në BE si Hungaria, Rumania dhe Bullgaria,” thotë Bieber.
Lidhjet – dhe magjepsja e ndërsjelltë mes këtyre vendeve – po bëhen më të fuqishme, thonë analistët. Presidenti i Turqisë Recep Erdogan shpesh lavdërohet nga intelektualët pro-qeveritarë në Maqedoni si një “reformator model dhe udhëheqës që demokratizoi shoqërinë e Turqisë,” për shembull.
Admirimi për kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban është edhe më i madh. Në dhjetor 2013, Maqedonia i dha Orban medaljen më të lartë shtetërore, Urdhërin e 8 Shtatorit, për kontributin e tij të madh për autonominë dhe sovranitetin e vendit.
Nuk është rastësi që Gruevski po farkëton lidhje të forta me këto dy vende dhe në veçanti me Hungarinë, thotë Vangeli.
“Orban drejton një ideologji ‘gjithofobe’ që synon të prodhojë një narrativë stabiliteti ekonomik, dinjiteti kombëtar dhe mbrojtje nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme. Të gjitha këto elemente janë të dukshme në rastin e Maqedonisë post-2008 gjithashtu,” shton ai.
Stabiliteti më i pëlqyeshëm se demokracia
Pavarësisht këtyre tendencave të pakëndshme, rënia në demokraci nuk duket se qe pjesë e axhendës së konferencës së Berlinit, e cila u përqendrua më shumë në bashkëpunimin ekonomik.
“BE-ja dhe në veçanti Gjermania, e cila po merr rol gjithnjë e më të madh përkujdesës në Ballkan nga SHBA, është tepër e zënë për të qenë e interesuar me çfarë po ndodh këtu,” thotë Ernst.
“Për sa kohë udhëheqësit e Ballkanit garantojnë stabilitet, BE-ja nuk shqetësohet realisht nga tendencat joliberale. Ndoshta Komisioneri për Zgjerimin shqetësohet, por dukshëm kryeqytetet nuk janë shumë të etura për zgjerim,” shtoi ai.
E ardhmja afatshkurtër e rajonit, sipas Ernst, është stabiliteti politik – por pa zhvillim ekonomik apo shoqëror.
Ai beson se politika e mbylljes së syve ndaj zhvillimeve në rajon është e gabuar dhe nuk do të japë rezultate.
“Në terma afatmesëm, kombinimi i varfërisë dhe etnopolitikës do të rrënojë stabilitetin,” parashikon ai.
Në terma afatgjatë, paqja në rajon mund të mbahet vetëm në një ‘super-strukturë’ të përbashkët, idealisht një Bashkim Europian i reformuar,” shtoi ai.