
Partia shqiptare në qeveri synon të zgjidhë shtyrjen pa mbarim të censusit të popullsisë dhe banesave në Maqedoni.

Partia shqiptare në Maqedoni ka propozuar atë që e sheh si zgjidhje për problemin e bllokimit të procesit të zhvillimit të censusit të popullsisë në vend.
Në përgjigje ndaj iniciativës së kryeministrit Nokola Gruevski më herët këtë vit për censusin, Partia për Bashkim Demokratik BDI – e cila është në aleancë qeverisëse me Gruevskin – propozoi krijimin e pyetësorëve shtesë për banorët e Maqedonisë që punojnë jashtë vendit por që kthehen në shtëpi së paku një herë në vit.
“Kjo masë do të parandalojë diskriminimin [në census] kundër shumë shqiptarëve që punojnë jashtë vendit. Nëse ne arrijmë një marrëveshje për këtë, unë besoj se do të kemi census së shpejti,” tha një burim pranë udhëheqësisë së BDI për BIRN në kushtet e anonimatit.
Një nga mosmarrëveshjet kryesore të moskryerjes së censusit në vitin 2011 ka qenë çështja nëse në census duhet të përfshihen apo jo njerëzit që janë larguar në emigrim.
Shqiptarët, të cilët janë larguar nga vendi në emigrim në numra më të mëdhenj se sa maqedonasit, dëshirojnë që emigrantët të përfshihen në census.
Gjithsesi, rregullat e zyrës së statistikave të Bashkimit Europian, Eurostat, këshilloi kundër një mase të tillë dhe partia kryesore në qeveri e Maqedonisë, VMRO DPMNE, e refuzoi propozimin.
“Maqedonia është një rast specifik dhe ne duhet të respektojmë faktin se ne kemi një diasporë të madhe,” deklaroi zyrtari i BDI për BIRN.
Burimi shpjegoi se propozimi për dy pyetësorë të veçantë nuk do të dëmtojnë aspektin praktik të censusit në hartimin e politikave të zhvillimit në vend për shkak se “vetëm pyetësori për banorët rezidentë do të përdoret për politika”.
Në korrik, VMRO DPMNE tha se udhëheqësi i saj, Gruevski, ka nisur një përpjekje të re për të zhvilluar censusin, duke dërguar një propozim për mënyrat se si mund të zgjidhet mosmarrëveshja me partnerët e saj në qeveri BDI.
Gruevski propozoi pas kësaj që në vend që censusi të zhvillohej me pyetësorë derë më derë, ai të bëhej duke përdorur një program kompjuterik për të ballafaquar të dhënat personale që gjenden në regjistra të ndryshëm të shtetit.
Kjo metodë do të prodhonte rezultate të mjaftueshme për personat që jetojnë apo që janë ndarë nga jeta, mosha, gjinia dhe arsimi, të ngjashme me ato që nxirren nga censusi në terren.
Përpjekja e fundit për të zhvilluar një census dështoi më tetor 2011 për shkak të mosmarrëveshjeve etnike.
Partitë shqiptare pretenduan se shumica maqedonase në komisionin e censusit patën përcaktuar kriteret në mënyrë të tillë që të nënvlerësohej numri i shqiptarëve në vend.
Partitë maqedonase nga ana e tyre argumentuan se censusi po falsifikohej në zonat e shqiptarëve në mënyrë që të ekzagjerohej numri i vërtetë i shqiptarëve.
Qeveria e anuloi censusin dhe komisioni dha dorëheqjen në mënyrë kolektive. Qeveria nuk ka planifikuar në buxhetet e veta ndonjë census që nga ajo kohë.
Për rrjedhojë, maqedonasit nuk kanë një ide të qartë mbi tendencat demografike në vend.
Në janar, një koalicion organizatash joqeveritare dhe ekspertësh të demokracisë nisën një fushatë të quajtur “Census Tani”, duke thënë se planet për zhvillimin rajonal, edukacional, ekonomik e infrastrukturor të Maqedonisë nuk duhet të mbahen peng të elitave politike dhe grindjeve të tyre.
Në censusin e fundit të kryer në vitin 2002, 64 për qind e popullsisë rezultoi maqedonase dhe 25 për qind shqiptare. Romët, turqit serbët e minoritetet e tjera zinin pjesën tjetër.