Në një përpjekje të dëshpëruar për të mbuluar problemet e vërteta të sistemit energjetik, qeveria po kriminalizon popullin për të shpëtuar nga përgjegjësitë veten, dhe ato zyrtarë të korruptuar që keqadministruan sistemin drejt rrënimit.
Në shtator të vitit 2001, zgjedhjet kishin disa muaj që kishin përfunduar. Buxheti i shtetit, si zakonisht, qe në krizë. Fondi Monetar Ndërkombëtar po negocionte marrëveshjen trevjeçare 2002-2005. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, e cila në atë kohë përfshinte të gjithë sistemin elektroenergjetik, i kishte dyert e mbyllura për kredi që nga viti 1998 pasi qe shpallur nga Banka Botërore si e pavlefshme dhe e paqëndrueshme.
FMN kërkonte mes të tjerash rishikimin e çmimeve të energjisë elektrike. Kryeministri i kohës, Ilir Meta, nisi një fushatë marketingu, duke krijuar një fabul të tillë: “FMN na e ka vënë litarin në grykë dhe Ilir Meta po lufton për të mbrojtur popullin nga çmimet e larta të dritave”. Në fund, vendimi i qeverisë për çmimet e reja, doli. Për konsumin familjar deri në 300 kWh në muaj, çmimi u la 4 lekë për kWh. Për konsumin mbi 300 kWh në muaj, u dyfishua në 8 lekë.
Kjo qe një goditje që thuhet se e kishte konceptuar një ekspert italian pranë KESH. Ajo synonte të vriste dy zogj me një gur. E para, çmimi u rrit efektivisht me 29 për qind në krahasim me vitet paraardhëse. E dyta, me tarifën penalizuese prej 8 lekësh për kWh për konsumin e lartë, shqiptarët u detyruan të mendojnë për eficencën energjetike. Shqiptarët zbuluan në këtë mënyrë të shohin për llamba me eficencë energjetike për të zëvendësuar llambat tradicionale 50 lekëshe, të shohin se sa energji konsumojnë sobat si dhe të përdorin gaz e lëndë drusore për ngrohje. Logjika është që zakonisht gazi apo nafta konvertohen në energji elektrike dhe në këtë proces, çmimi dyfishohet. Është e pakuptimtë që të përdorësh energji elektrike për ngrohje, në rast se mund të përdorësh gazin natyror.
Fakti qe që tarifa e lartë penalizuese për konsumin mbi 300 kWh në muaj për familjet synonte pikërisht këtë gjë: të ndalonte rritjen marramendëse të konsumit me mbi 10 për qind në vit dhe rrjedhimisht t’i kursente vendit dhjetëramilionë euro në vit nga importet e energjisë elektrike. Përgjatë viteve, çmimi u rrit por parimi nuk u ndryshua. Sot, konsumi deri në 300 kWh në muaj për familje kushton 7.7 lekë pa TVSH ndërsa konsumi mbi 300 kWh, kushton 13.5 lekë pa TVSH. Ky është një nga çmimet më të larta të energjisë elektrike në rajonin e Ballkanit. Çmimi mesatar i energjisë elektrike të konsumuar në Shqipëri nga të gjithë konsumatorët është rreth 9.5 lekë për kWh.
Në vitin 2014, pikërisht ky parim i penalizimit të konsumit të lartë pritet të hiqet. Qeveria thotë se është burim abuzimesh, ndërkohë që po tenton të krijojë fabulën e gënjeshtërt se çmimi më i ulët i konsumit deri në 300 kWh është një politikë subvencionuese dhe mbrojtëse për familjet e varfra. Kjo është një fabul tërësisht e gënjeshtërt për shkak se çmimi prej 7.7 lekë është mëse i mjaftueshëm për të mbuluar kostot e prodhimit në hidrocentrale (pa koston e amortizimit të hidrocentraleve), plus kostot e transmetimit e shpërndarjes.
Kjo do të thotë që meqë energjia e prodhuar në Kaskadën e Drinit është me koston minimale prej 1 lekësh, shqiptarëve kjo energji u shitet me 7.7 lekë. Por nëse duan të konsumojnë energji importi, e cila e ka koston në kufi prej 7 lekësh, atëherë le të paguajnë 13.5 lekë.
Për më tepër, konsumatorët, ndërsa paguajnë 7.7 lekë për konsumin familjar, paguajnë indirekt çmimin prej 14 lekës për kWh për institucionet buxhetore, të cilat financohen nga taksat, si dhe çmimin prej 12.2 lekësh të paguar nga bizneset. Dmth, nëse pi një kafe kudo në Shqipëri, brenda çmimit të asaj kafeje ke edhe koston e energjisë elektrike të harxhuar për të, plus, TVSH-në e energjisë. Kurrsesi, niveli dytarifor i energjisë për familjet nuk ka qenë politikë subvencionuese apo mbrojtëse për të varfrit. Ajo ka qenë gjithmonë politikë penalizuese për konsumin e lartë.
Abuzime të ndërsjellta
Qeveria thotë aktualisht se metoda e tarifave me dy nivele krijon abuzime nga ana e konsumatorëve, duke sugjeruar disa mekanizma kryesore: e para, konsumatorët bien dakord me faturistët që të mos raportojnë konsumin e lartë në muajt e dimrit dhe ta raportojnë atë më vonë gjatë muajve të verës. Në këtë rast konsumatori kursen para gjatë dimrit duke paguar tarifë të lirë. Në terma vjetorë kilovatët e faturuar nuk ndryshojnë. E dyta, arsyetohet se shumë familje kanë zgjedhur të “ndahen”, dmth të deklarohen si dy familje apo tri familje që jetojnë në një shtëpi dhe që paguajnë veçmas energji elektrike dhe rrjedhimisht paguajnë më shumë kilovatorë me tarifë të ulët. E treta, faturistët mund të manipulojnë në bashkëpunim me konsumatorët duke pakësuar muajin e faturimit me disa ditë. E katërta, lidhje të paligjshme mund të nisen nga një familje për të përfunduar te një biznes duke bërë që bizneset të paguajnë faturë familjare, pra me çmim më të ulët.
Në krah të kundërt, OSSH, CEZ Shpërndarje apo OSHEE janë akuzuar për manipulime të ngjashme në dëm të konsumatorëve. Energjia e faturuar matet në periudha më të gjata se një muaj duke rritur automatikisht kilovatët e tarifuar shtrenjtë. Energjia e shpërndarë në rrjet rrallë herë plotëson kushtet teknike në cilësi, dmth voltazh dhe frekuencë, duke u faturuar konsumatorëve energji së nuk e konsumojnë.
Në tërësi, defektet në sistemin e matjes vështirë se justifikojnë heqjen e fashës. Këto janë manipulime që duken si qesharake përballë vjedhjes masive të 35 deri në 50 për qind të energjisë së konsumuar. Ndërsa flasim për familje që tarifojnë verës atë që konsumojmë dimrit, atëherë po flasim për familje që e paguajnë energjinë elektrike dhe që u rëndon një 500 lekësh apo 1 mijë lekësh më shumë në faturë. Teoria që familjet janë ndarë në konsumatorë të veçantë është qesharake si pretendim për shkak se belaja dhe kostoja e krijimit të një lidhjeje të re te OSHEE është aq e madhe, sa vështirë që dikush të shohë leverdi nga kjo skemë.
Fakti është se duke hyrë në diskutime të tilla periferike, qeveria dëshiron t’ia ngarkojë qytetarëve përgjegjësinë për gjendjen e sistemit dhe jo vetes së vet. Asnjë hetim serioz nuk është zhvilluar përgjatë viteve për mënyrat se si menaxhohen kompanitë e sistemit. Askush nuk ka përfunduar në burg nga zyrtarët e sistemit që janë rishfaqur shpesh si miliarderë pasi kanë lënë postin e drejtorit. Të vetmit që po kërcënohen me burg janë qytetarët. Qytetarët po kërcënohen me burg dhe me afate të gjata burgimi, krahas spektaklit të arrestimit në prani të kamerave të televizioneve. Këto afate burgimi janë më të rënda se sa dënimet që teorikisht duhet të marrin zyrtarët e shtetit nëse vjedhin miliona euro.
Në fund të fundit, Shqipëria nuk është vendi i vetëm në botë që përdor sisteme të komplikuara tarifimi. Tendenca e përgjithshme në botë sot është tarifimi i konsumit me orë dhe jo më me muaj. Energjia elektrike është forma më e shtrenjtë e energjisë sot. Çdo vend normal përdor metoda tarifimi që synojnë t’i çojnë njerëzit drejt gazit apo naftës për çdo funksion që mund të zëvendësohet, nga ngrohja e mjediseve te ngrohja e ujit apo te gatimi.
Për më tepër, mesatarizimi i çmimit mes dy fashave ekzistuese, e rrit çmimin në mënyrë disproporcionale. Për ato familje që konsumojnë më pak, çmimi rritet më shumë dhe për ato familje që konsumojnë më shumë, rritet më pak. Për disa familje që konsumojnë shumë fare, çmimi ka gjasa mund të ulet.
Problemi është që qeveria, nga mungesa e dëshirës për të pranuar rritjen e çmimit, po shkon drejt heqjes së fashës vetëm si alibi. Një alibi që shkon kundër logjikës më minimale energjetike.
E drejte qe nuk duhet hequr fasha. Te rrisnin me shume cmimin e fashes se dyte. Por kam pershtypjen se keta nuk synojne kursimin e energjise por rritjen e arketimeve per te mbuluar vjedhjet. Konsumi I fashes se pare eshte pak elastik, te ardhurat e shtetit do te shtohen. Per faktin qe synohet te kalohet tek konsumi I naftes e gazit dyshoj. Energjite e rinovueshme subvencionohen me tarifa promovuese e kane prioritet per shitjen ne rrjet ndaj naftes e gazit. Nafta e gazi tarifohen me takse karboni ose termocentralet kane kuota karboni e I tregetojne ne bursa karboni. Synimi eshte çkarbonizimi, per aresye te pikut te naftes e gazit, ose ndryshe sigurise energjitike, si dhe per aresye te ndryshimeve klimatike.