Grupet e viktimave kanë lavdëruar rezolutën e Parlamentit Evropian e cila dënon të dyshuarin serb për krime lufte të liruar së fundmi, Vojislav Sheshel për deklaratat e tij nacionaliste “luftënxitëse”.
Grupet e viktimave dhe aktivistë të të drejtave të njeriut në Bosnje, Kroaci dhe Serbi thanë për BIRN se ligjvënësit evropianë bën mirë që miratuan një rezolutë, e cila censuron liderin e Partisë Radikale Serbe Sheshel dhe i kërkon Gjykatës së Hagës të rimarrë në konsideratë lirimin e tij të përkohshëm për kurimin nga kanceri për shkak të deklaratave të tij të nxehta pasi u kthye në Beograd.
“Shesheli u lirua sipas disa kushteve specifike dhe është e qartë që ai i ka shkelur ato kushte që në çastin e parë që mbërriti në Serbi dhe u bë politikisht aktiv duke përhapur fjalime urrejtjeje me të cilat ai ka lidhje,” tha Fikret Grabovica, president i Shoqatës së Familjeve të Fëmijëve të Vrarë në Sarajevë.
Kryeministri kroat anulon udhëtimin në Serbi
Qeveria kroate lajmëroi ditën e premte se kryeministri Zoran Milanoviç nuk do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm ekonomik në Beograd me liderët e tjerë, sepse autoritetet serbe nuk i kanë dënuar deklaratat e ashpra të Sheshelit. “Mendoj se qeveria e mëparshme në Beograd do ta kishte bërë këtë, por për disa arsye të panjohura, kjo qeveri nuk e bën. Në rrethana të tilla, është absurde të shkosh atje,”tha Milanoviç. Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha të enjten se rezoluta e Parlamentit Evropian, e cila dënon Sheshelin, ishte ofenduese për vendin e tij. “Në Serbinë e sotme nuk ka asgjë që do të mund ta lidhte qeverinë tonë me Vojislav Sheshelin, për të cilin as që do të flas. Politika e Sheshelit nuk ekziston më në Serbi,” tha Vuçiç. Ai u shpreh se rezoluta, e cila u nis nga një anëtar kroat i Parlamentit Evropian, ishte me qëllim të dëmtonte Serbinë. “Ata që e paraqitën rezolutën donin të ulnin reputacionin e Serbisë, sepse ajo s’është më e vogël dhe e parëndësishme, s’është më një thes boksi,” tha ai. |
“Kjo është e njëjta retorikë e përdorur gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë… Ata duhet ta fusin përsëri në burg, atje ku e ka vendin,” shtoi Grabovica.
Presidentja e Unionit të Shoqatave Kroate të Viktimave Civile të Luftës, Julijana Rosandiç, e përshkroi lirimin e Sheshelit si një ofendim për të gjithë ata që vuajtën gjatë konflikteve të viteve 1990.
“Na duket sikur na vranë edhe një herë. Na duket sikur po na torturojnë përsëri,” tha Rosandiç për BIRN.
“Vetë Shesheli si njeri nuk është i frikshëm. Ajo që na frikëson ne është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Vendimi për ta liruar përkohësisht një kriminel të tillë lufte është i frikshëm dhe ngre dyshime se ai nuk do të gjykohet për krimet e kryera, njësoj si shumë të tjerë,” tha ajo.
Parlamenti kroat ditën e mërkurë miratoi një kërkesë ku i kërkon me ngulm Gjykatës së Hagës të kthejë mbrapsht vendimin për të liruar përkohësisht politikanin ultra-nacionalist, i cili po gjykohet për krime lufte në Kroaci, Serbi dhe Bosnje.
Shesheli shkaktoi zemërim në Kroaci kur ai dërgoi një deklaratë për shtyp në një media vendase ditën kur kroatët përkujtojnë rënien e qytetit të Vukovarit në vitin 1991, duke e quajtur atë “Dita e çlirimit të Vukovarit”.
Dy OJQ kroate, “Documenta” dhe “Komiteti Qytetar për të Drejtat e Njeriut”, ndërkohë i dërguan një letër të hapur Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar që Shesheli të rikthehet në burgun e Hagës.
“Ne mendojmë se rikthimi i Vojislav Sheshelit në burg apo spital burgu në Hagë, ku të presë edhe gjykimin e tij, do të ishte një procedurë më “njerëzore” për viktimat që janë ende gjallë dhe për përpjekjet e ngadalta, por të nevojshme për të bashkëpunuar midis vendeve që vuajtën aq shumë për faj të Sheshelit dhe ndjekësve të tij,” shkruhej në letër.
Në Serbi, Stasa Zajoviç nga grupi paqësor “Gratë në të Zeza” tha se retorika e Sheshelit mund të prishë përpjekjet për pajtim në krahinë.
“Nuk është thjesht një fjalim urrejtjeje, por gjithashtu është një ligjëratë pro-fashiste. Ajo që ai thotë është e rrezikshme për viktimat e krimeve në të cilat ai mori pjesë dhe është e keqe për stabilitetin e brishtë në vend,” tha Zajoviç për BIRN
“Shteti serb duhet të merret me këtë çështje, pavarësisht Bashkimit Europian dhe Gjykatës së Hagës, për respekt të institucioneve ligjore,” tha ajo.
Shesheli ka thënë se ai ishte krenar për kërkesën e parlamentit kroat e madje edhe më krenar për rezolutën e Parlamentit Evropian.
“Ajo kërkesë dhe rezolutë nënkupton se ia dola mbanë të thyeja bllokadën mediatike të imponuar nga qeveria e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç,” tha ai ditën e enjte.
Gjyqi i tij filloi 11 vjet më parë dhe vendimi duhet të merret gjysmën e dytë të vitit që vjen.
Lideri i Partisë Radikale serbe është i detyruar të kthehet në gjykatë kur t’i kërkohet kjo gjë, edhe pse ai ka thënë se s’do të pranojë ta bëjë këtë gjë.