“I forti” i kompanisë “Alpine Bau”, Dietmar Aluta-Oltyan, dhe gruaja e tij Helena ishin zemra e zgjerimit shkatërrimtar të kompanisë në Ballkan, , pavarësisht pikëpyetjeve lidhur me rolet e tyre brenda gjigantit austriak tashmë të falimentuar.
Autorë: Moritz Gottsauner-Wolf në Vienë, Saska Cvetkovska në Shkup, Erjona Rusi në Tiranë, Bojana Jovanovic dhe Ivan Angelovski në Beograd dhe Lawrence Marzouk në Londër
Duke fluturuar me aeroplan nëpër shtetet e Ballkanit, Helena Aluta-Oltyan, ish mis bukurie dhe gruaja e Dietmar-it, udhëheqësit “të fortë” të “Alpine Bau”-t, u prezantohej partnerëve të biznesit dhe mediave lokale si “përfaqësuesja e kompanisë ‘Alpine…’ për Ballkanin”.
Mirëpo, hetimi rreth njëvjeçar nga ana e revistës austriake DATUM dhe BIRN-it zbuloi se marrëdhënia e saj me firmën e burrit nuk ishte edhe aq e thjeshtë.
Burime të shumta nga selia kryesore e ’Alpine Bau’ në Salzburg thanë se përkundër rolit të saj të rëndësishëm në ndërmjetësim të marrëveshjeve, ekzistonte një pikëpyetje e madhe lidhur me pozitën e saj zyrtare dhe me mandatin e saj, madje dhembi faktin nëse ajo ishte e punësuar në kompani apo jo.
Auditorët kanë vënë në pikëpyetje faktin se si z. Aluta-Oltyan, ish drejtor i Alpine Bau i cili është zhvendosur në kompaninë aksionere të kësaj ndërmarrje pas akuzave për korrupsion, është lejuar të udhëheqë biznesin e ndërtimit në zgjerim me pasoja shkatërrimtare për firmën, përkundër faktit se aty nuk kishte rol menaxherial.
Firma falimentoi në qershor të vitit 2013 duke lënë pas 3.2 miliardë euro borxhe, 15 mijë borxhlinj dhe një varg të madh ndërtimesh të pakryera anembanë botës.
Bazë e marrjes së tatëpjetës së firmës ‘Alpine Bau’ ishte zgjerimi i saj shumë i shpejtë në tregje të huaja, nga të cilat humbi 1.3 miliardë euro brenda një dekade. Gati gjysma e këtyre parave ishin çuar në Serbi, Kroaci, Rumani, Bullgari, Shqipëri dhe Maqedoni.
“Në Ballkan ishte bërë kaos”, tha një ish-punonjës me pozitë të mirë në ’Alpine Bau‘ në Salzburg. “Për shembull, ne kishim 16 sisteme të ndryshme të pagave, askush nuk e dinte se kush punonte ku saktësisht dhe si dukeshin kontratat e tyre,” shtoi ai.
Hulumtimet tona gjithashtu kanë nxjerrë në pah dyshimet se bashkëshortët Aluta-Oltyan operonin në Ballkan me fare pak kontroll nga menaxhmenti i ’Alpine Bau’ dhe nëpërmjet një grupi të ngushtë, të cilin disa punonjës të selisë kryesore në Salzburg e quanin “familja”.
Veprimtaria kryesore, apo së paku një pjesë e veprimtarisë kryesore, bëhej nga pallati rezidencial i Alutëve, që ndodhej në Bad Ishl afër selisë kryesore të ‘Alpine Bau’ në Salzburg.
Dhe kur Alutët lanë firmën, një vit para se ‘Alpine Bau’ të falimentonte në qershor të vitit 2013, Helena filloi të hapte firma të reja të ndërtimit rrugor dhe kompani gurthyese në Ballkan, duke marrë me vete rrjetin e miqve të ngushtë dhe duke blerë madje edhe kompani të falimentuara që subvencionoheshin nga ‘Alpine Bau’.
Aeroplanët privatë dhe ministrat
Pesë-gjashtë punonjës të brendshëm të ‘Alpine Bau’ kanë dhënë përshkrime se si Helena shfrytëzonte aeroplanin privat të kompanisë për të bërë takime dhe darka me kryetarë e ministra të shteteve të rajonit. Disa të tjerë, herë zyrtarisht herë jozyrtarisht, kanë treguar se si ajo takohej me krerë të shteteve dhe me ministra.
Megjithatë, krerë të departamenteve dhe zyrtarë të lartë të firmës në selinë kryesore në Salzburg, kanë folur rreth pikëpyetjes së madhe që kishin lidhur me rolin e saj në ‘Alpine Bau’ dhe me faktin nëse ishte ajo e punësuar drejtpërdrejt nga firma.
Ajo është cituar nëpër dhjetëra artikuj të shtypit të rajonit si “Përfaqësuese për Ballkan” apo si “Koordinatore për Ballkan”, duke komentuar projektet e mëdha ndërtimore të firmës.
Në disa raporte vjetore të firmës ‘Alpine Bau’, Helena përshkruhej si “drejtoreshë menaxhuese/anëtare e bordit mbikëqyrës për një numër subvencionimesh” të ‘Alpine Bau’. Ajo figuron si drejtoreshë, apo si anëtare bordi për një sërë kompanish të subvencionuara nga ‘Alpine Bau’ në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Serbi, të cilat kishin të bënin me gurore dhe konsulencë.
Mirëpo, duket se ajo nuk figuron në asnjë dokument që ka të bëjë me degët kryesore të ‘Alpine Bau’ të cilat janë përgjegjëse për projekte ndërtimore.
Ajo as që besohet se ka figuruar në organogramën zyrtare si “përfaqësuese për Ballkan” apo si “koordinatore për Ballkanin”, sipas një burimi të lartë që ka punuar në selinë kryesore të ‘Alpine Bau’. Një ish-përfaqësues me pozitë të lartë për Ballkanin tha se beson se ajo ishte paraqitur njëherë në atë rol në vitin 2011.
“Ajo takohej në shumë raste me politikanë, kryeministra, ministra transporti, si dhe zyrtarë tjerë”, tha Gjoko Dinev, menaxher i degës në Maqedoni të ‘Alpine Bau’.
Një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Infrastrukturës në Maqedoni tha për BIRN-in dhe DATUM-in se Helena paraqitej si personi përgjegjës dhe se ajo mbante takime të rregullta me politikanë të lartë.
“Kam qenë i përfshirë në organizimin e një takimi mes saj, ministrit dhe kryeministrit [Nikola Gruevski].”
“Nuk më kujtohen shumë detaje nga ai takim, por në shumicën e takimeve ajo shoqërohej nga Ivica Borosak,” vijoi të tregojë ai.
Borosak, së bashku me Dinev-in, kishte qenë menaxher i degës në Maqedoni, por mbante role të tjera në Firmën ‘Alpine Bau’, kryesisht në vendlindjen e tij, Kroaci.
“Ajo kishte lidhje të mira dhe ajo i bënte marrëveshjet,” thotë Gëzim Kolaveri, pronar i firmës ‘Alban Tirana’, partner për një kohë të gjatë i degës në Shqipëri të firmës ‘Alpine Bau’.
“Natyrisht që ata [Helena dhe Dietmar Aluta-Oltyan] kishin Ballkanin nën kontroll. Çdo të mirë dhe të keqe në Ballkan, e kanë bërë Alutët”, tregon ai.
Helena mohoi t’i përgjigjet kërkesave të përsëritura për intervistë, me qëllim qartësimin e pozitës së saj apo dhënies së përgjigjeve të detajuara.
Pronari i shumicës së aksioneve së FCC, Alpine Baut, poashtu nuk iu përgjigj kërkesave tona për komente.
Rezidenca perandorake
Kolaveri në Shqipëri dhe Dinev në Maqedoni, si dhe dy ish-menaxherë të lartë në Austri kanë dhënë raporte korresponduese të takimeve të rregullta të menaxherëve të Ballkanit në Salzburg. Gjatë këtyre mbledhjeve rajonale diskutoheshin projekte dhe “nënshkruheshin kontrata”, siç thotë Kolaveri, i cili, sikurse edhe Dinev, kishte marrë pjesë në shumë prej tyre.
Takimet jo vetëm që mbaheshin në selinë kryesore të ‘Alpine Bau’ në qytetin e njohur të vendit, siç edhe mund të pritet, por edhe në hapësirën private dhe shtëpinë madhështore të Dietmar Aluta-Oltyanit që ndodhet pranë qytezës Bad Ishl (Bad Ischl), e njohur që dikur kishte qenë rezidencë perandorake e Austrisë.
Në mesin e grupit të ngushtë ishin Borosak dhe një nga miqtë dhe kontaktet e Helena Aluta-Oltyanit, Nevenka Sindjiç, menaxhere e përgjithshme e degës në Serbi të Firmës ‘Alpine Bau’ dhe drejtore e Thesarit Federal të shtetit në kohën e presidencës së Ante Markoviqit.
“Familja e Ballkanit” madje kishte përfshirë edhe vëllain e Helenës, Pero Simonçiç, i cili, sipas tri raporteve të pavarura nga Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria, kishte qenë i përfshirë në bizneset e ‘Alpine Bau’. Kolaveri tha se ai operonte si “ndërmjetës për interesat e tyre [të Dietmarit dhe Helenës]”.
Simonçiç konfirmoi për BIRN-in dhe DATUM-in se ai kishte punuar si “konsulent i jashtëm” i kompanisë ‘Alpine Bau’ për rreth 11-12 vjet.
“Kam punuar në projekte të ndryshme – autostrada e të tjera,” tha ai. “Në gjithçka që bënte ‘Alpine…’ [kam punuar]: ura, rrugë, disa projekte ndërtimore.”
Ai shtoi se tani ka dalë në pension, por atëherë udhëtonte shumë nëpër rajon, duke përfshirë edhe takimin me “mikun” e tij, kryeministrin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Kemi qenë miq për kohë të gjatë,” tha ai. “Por atë e vizitoj në Serbi si mik.”
Reformimi i rrjetit
Në tetor 2012, kur lajmi për gjendjen e keqe financiare të ‘Alpine Bau’ filloi të dalë në pah në shtypin austriak, Helena dhe grupi i saj i ngushtë ngritën një varg firmash të reja ndërtimore dhe gurthyesish për të fituar kontrata në Ballkan dhe stafi i tyre përbëhej nga aleatët e saj të ‘Alpine Bau’.
Vetëm pak muaj më parë, në mars të vitit 2012, burri i Helenës shiti aksionet e tij të fundit nga ‘Alpine Bau’ për më shumë se 50 milionë euro me rastin e daljes nga kryesia e kompanisë. Nuk është e qartë se kur Helena e la pozitën e saj si “koordinatore për Ballkanin”, por dokumentet tregojnë se ajo kishte lënë postet në kompanitë e subvencionuara të ‘Alpine Bau’-t po atë vit.
Helena emëroi Borosak-un si menaxher të përgjithshëm të ‘Asfalt Konstrukcije d.o.o’, kompanisë së saj të re ndërtimore në Kroaci.
Ish-menaxheri i degës së ‘Alpine Bau’ në Maqedoni, Dinev, i cili u akuzua nga auditorët e KPMG-së për pjesëmarrje në dhënie të kontratave një kompanie që ishte nën pronësi të vet dhe punonjësve të tjerë të ‘Alpine Bau’, u emërua drejtor i ‘Asfalt Konstrukcije’ në Shkup. Dinev-i mohon çfarëdo keqveprimi, duke thënë se kjo kompani ishte shpërblyer me kontrata me urdhër të eprorëve të tij.
‘Asfalt Konstrukcije’ po ashtu themeloi një kompani të subvencionuar në Mal të Zi, ku aplikoi pa sukses për një projekt prej 1 milion eurosh, që financonte BERZh-i në verën e vitit 2013.
Dinev tha se ishte ftuar të shkonte në shtëpinë e Aluta-Oltyanëve në Bad Ischl për të diskutuar propozimin e ri të biznesit.
“U ftova të shkoj në Austri nga Ivica [Borosak]. Aty ishin edhe Dietmari [Aluta-Oltyan] dhe përfaqësues malazezë,” tha Dinev.
“Më ofruan pagë shumë të mirë dhe unë vendosa që ta pranoja atë punë, mirëpo ajo zgjati vetëm 6 muaj dhe pastaj e mbyllën kompaninë.”
Sipas regjistrit të biznesit të Austrisë, 69 vjeçarja Helena kishte qenë kreu i një kompanie tregtare të tekstilit, ‘Tekotex’, me seli në Grac që nga vitet ‘90. Më herët gjatë këtij viti, kur kompania filloi të blejë kompani gurthyese në Ballkan, iu ndërrua emri në ‘Teko Mining’.
Pasi ‘Alpine Bau GmbH’ falimentoi më 19 qershor 2013, Helena arriti të marrë në dorë një kompani gurthyese në Serbi – ‘Alpine Kamen’ që ishte në shitje nga likuidatorët e Vjenës.
Borosak u bë menaxher i ‘Teko Mining GmbH’ dhe mikja e Helenës, Nevenka Sindjiç menaxhere e ‘Teko Mining’ në Serbi.
Ndërsa firmat ndërtimore nuk duket të kenë pasur nisma, biznesi me gurthyes i znj. Aluta-Oltyan është duke lulëzuar. Ajo është lëvduar kohëve të fundit në gazetën Politika të Beogradit për investimet prej 20 milionë euro që i ka bërë në gjashtë gurthyeset e veta në Serbi që nga muaji shkurt.
- Aluta-Oltyan gjithashtu duket të ketë mbetur aktiv në Ballkan. Në qershor të këtij viti, Borosak është përzgjedhur si drejtor i ndërmarrjes për përpunimin e gurit ‘Busishta 2’, në pronësi të ‘Aluta Beteiligungs GmbH’, të cilën Dietmar e kishte listuar në deklaratën e tij të interesave për shoqërinë aksionare ‘Alpine Holding’ në vitin 2011.
Mbijetuesi
Për dallim prej gruas së tij, pozita zyrtare e Dietmar Aluta-Oltyanit në grupin ‘Alpine…’ u përcaktua qartë, ndonëse akuzohej se kishte përvetësuar më shumë autoritet sesa i lejonte posti.
Aluta-Oltyan u titullua ‘Zoti Alpine’ në revistën që botonte vetë kompania, për hir të dekadave të punës së tij në gjigantin ndërtimor. Mirëpo, ai doli nga firma në vitin 2005, pasi kishin dalë në pah dyshime se ai i kishte dhënë ryshfet një zyrtari për të siguruar kontratën e ndërtimit të stadiumit ikonik të futbollit ‘Allianz Arena’.
Prej atëherë e deri në daljen e tij nga grupi, në mars të vitit 2012, ai mbajti pozita në holldingun e kompanisë ‘Alpine Bau’, që ishte ‘Alpine Holding’. Por, në realitet, sipas procesverbaleve të takimeve të bordit, auditorëve dhe kolegëve të tjerë, ai mbajti ndikim të jashtëzakonshëm në segmentin fitimprurës ndërtimor dhe në zgjerimin tepër të shpejtë në tregje të reja.
Një auditim pas-falimenti i bërë nga firma BDO, e përshkruan Aluta-Oltyanin si “të fortin” e firmës ‘Alpine Bau’, si njeriun që ishte “aktiv në nivel ekzekutiv pa ndonjë llogaridhënie që vlen të përmendet”.
Aty pohohet se zgjerimi i shpejtë në rajonet si Ballkani – i cili zgjerim udhëhiqej nga z. Aluta Oltyan dhe shumica e pronarëve të FCC-së “pati efekt shkatërrimtar në profitabilitetin” e kompanisë ‘Alpine…’.
BDO-ja shkruan: “Niveli i menaxhmentit që ishte përgjegjës për zbatimin e kontrollit të duhur dominohej nga z. Aluta-Oltyan deri në fillim të vitit 2012”.
“Kështu ishte përkundër faktit se ai nuk funksiononte formalisht si menaxher gjeneral e as që ishte në bordin mbikëqyrës të ‘Alpine Bau GmbH’.”
“Ky stil lidershipi, në gatishmëri të një individi dhe kjo kulturë e brendshme e korporatës, kontribuoi thellësisht në shfaqjen e mungesave në aspekt të strukturës, kontrollit dhe transparencës.”
Një avokat i z. Aluta-Oltyan tha në një deklaratë se klienti i tij detyrohej nga sekreti tregtar dhe për shkak të tij nuk mund t’i përgjigjej pyetjeve tona të detajuara lidhur me pozitën dhe rolin e tij prej “të forti” në udhëheqje të ‘Alpine Bau’ drejt marrëveshjeve ndërkombëtare shkatërrimtare.
Avokati i tij shtoi: “Në emër të klientit tonë, dua të theksoj se vërejtjet dhe supozimet e konsiderueshme mbi të cilat bazohen pyetjet janë pjesërisht jokorrekte, në mënyrë evidente. Andaj, imazhi që përcillet për klientin tim është gjithashtu jokorrekt”.
Dietmar la postin e tij si drejtor menaxhues i ‘Alpine Bau’ në dhjetor 2005, rol të cilin e mbante për më shumë se tri dekada, meqë ishte nën hetime dhe u dënua për korrupsion lidhur me ryshfetdhënie ndaj një zyrtari që kishte të bënte me ndërtimin e stadiumit të Bajernit të Mynihut, ‘Allianz Arena’; një prej stadiumeve më të njohura në botë.
Ndërkohë, ai u emërua si menaxher ekzekutiv i ‘Alpine Holding’, por me vërejtjen se nuk mund të vepronte më i vetëm, në mënyrë që kështu të sigurohej që ai të mos kishte ndikim mbi ‘Alpine Bau’, që në atë kohë quhej ‘Alpine Mayreder Bau’. Kjo ishte bërë në mënyrë që të përmbusheshin kërkesat e dhëna nga Autoriteti Bavarez i Ndërtimit pas skandalit rreth ‘Allianz Arenës’.
Mirëpo Dietmar duket se lëngonte për t’iu rikthyer gjallërisë që jep aksioni në vijë të parë.
Sipas procesverbaleve të takimeve të bordit në shkurt të vitit 2006, të cilat i ka siguruar BIRN-i dhe DATUM-i, ai ka vepruar thua se të mos kishte lënë fare postin e tij në ‘Alpine Bau’. Kjo sjellje, në kombinim me një gjykim të gabuar që kishte dhënë gjatë një interviste në të cilën kishte thënë se pagesa e bërë për ‘Allianz Arenën’ nuk kishte qenë veprim i gabuar, bëri që bordi ta heq nga posti i tij në kompani – thuhet në procesverbal.
Më 8 mars të po të njëjtit vit, bordi e çoi kërcënimin deri në fund dhe sanksionoi Aluta-Oltyanin, duke e lënë atë pa funksion formal në firmë, për herë të parë në pothuajse 40 vjet, ndonëse ai mbajti rreth një të pestën e aksioneve të kompanisë.
Mirëpo, gjatë kësaj periudhe, firma ndërtimore spanjolle FCC kishte filluar të blinte shumicën e aksioneve të kompanisë ‘Alpine Bau’ nga kolegët e Aluta-Oltyanit në bordin udhëheqës dhe nga kryepronarët e kompanisë, Georg Pappas – themeluesi i ‘Alpine…’ dhe inxhinieri Otto Mierl.
Aluta-Oltyanit iu dha roli si kryesues i bordit mbikëqyrës të ‘Alpine Holding’ në “mesin e vitit 2006”, kjo sipas FCC-së, edhe pse kompania dokumenton se kjo hyri në fuqi vetëm në janar 2007. Tashmë, meqë kolegët e tij të vjetër e të kujdesshëm kishin ikur deri në fund të vitit 2006, Aluta-Oltyan e kishte rrugën të qartë – të zbarkonte përkrah zgjerimit turbo-të-shpejtë të ‘Alpine Bau’ në territore të reja, duke nisur me Ballkanin.
Zgjerimi dhe pushteti që kishte përvetësuar Aluta-Oltyan kishin mbetur të paverifikuara deri me ardhjen e Johannes Dotter, kryeshefit të ri ekzekutiv të kompanisë, në vitin 2012, i cili për herë të parë që nga viti 2007, “i kufizoi [Dietmarit] ushtrimin e funksionit”, sipas një raporti të BDO-së.
Vetëm disa javë pas ardhjes në detyrë të Dotter-it, Aluta-Oltyan u zëvendësua si kryesues i Bordit Mbikëqyrës. Nuk është e qartë nëse ai dha dorëheqjen apo u shty të veprojë ashtu.
Rreth të njëjtës kohë, ai ia shiti 13.5 përqindëshin e tij të mbetur të hollding-ut kompanisë – aksionerit kryesor FCC, për 52.6 milionë euro, duke prerë me këtë rast lidhjen e fundit me firmën për të cilën kishte punuar për 40 vjet.
Mirëpo, siç kanë shpalosur për BIRN-in dhe DATUM-in punonjës të shumtë, Aluta-Oltyan megjithatë e kishte të vështirë të thoshte lamtumirën, ndaj vazhdonte të frekuentonte rregullisht zyrat qendrore të kompanisë në Salzburg.
Më vonë, menaxhmenti kishte angazhuar një ekip privat sigurie për ta mbajtur atë larg lokaleve të firmës, siç deklaroi për BIRN-in dhe DATUM-in një person i lartë për çështje të sigurisë.
Fund i jashtëzakonshëm i një karriere të jashtëzakonshme.