Ndjekjet penale për mjeshtrave spiunë të ish-Jugosllavisë, mosmarrëveshjet me Serbinë për luftën e viteve 1990 si edhe protestat e ish-ushtarëve nënkuptonin se Kroacia e kishte të vështirë të harronte të kaluarën në vitin 2014.
Viti u hap me arrestimet dhe ekstradimet e ish-oficerëve të Shërbimit Sekret të ish-Jugosllavisë Zdravko Mustac dhe Josip Perkovic, të akuzuar për urdhërimin dhe organizimin e vrasjes së emigrantit politik kroat Stjepan Djurekovic në Gjermani në vitin 1983.
Kroacia mori urdhrat për arrestimin e tyre më 1 korrik 2013, pasi vendi hyri në Bashkimin Evropian. Por parlamenti kroat e përshpejtoi këtë lëvizje duke ndryshuar ligjin për ekstradimin dhe duke bllokuar vënien në zbatim të urdhrave evropian për arrestim, një lëvizje kjo që nga shumë u pa si mënyrë për të mbrojtur shefat e spiunëve.
Nën një presion të madh nga Brukseli, qeveria kroate u detyrua të ndryshonte ligjin, duke bërë të mundur që të gjitha ekstradimet të fillonin nga 1 janari 2014.
Gjykata e Lartë e Kroacisë vendosi ta ekstradojë Perkovicin në Gjermani në janar, ndërsa ekstradimi i Mustacit u konfirmuar në prill. Gjyqi i tyre filloi të tërhiqte interes të madh mediatik dhe publik në Mynih në tetor, me spekulime se mund të tregonte ndikimin e vazhduar të Shërbimit Sekret të ish-Jugosllavisë në shoqërinë kroate.
Të dy e deklaruan veten jo fajtorë, por jashtë gjykatës pati protesta nga anëtarë të organizatave të emigrantëve kroatë, sepse çështja ishte edhe për rreth 30 vrasje emigrantësh jugosllavë që ndodhën në Gjermani.
Një nga dëshmitarët çelës të çështjes, Krunoslav Prates, shkaktoi tronditje të madhe kur dëshmoi në nëntor. Prates u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2008 nga e njëjta gjykatë për përfshirjen e tij në vrasjen e Djurekovicit, por ai e ndryshoi krejtësisht dëshminë e tij të mëparshme, duke mos pranuar të konfirmonte disa detaje kyç që inkriminonin Perkovicin.
Viti 2014 pa gjithashtu një tjetër gjyq të një ish-spiuni jugosllav, Josip Boljkovac, i cili u bë Ministri i parë i Brendshëm kroat në vitin 1990.
Si oficer i Departamentit për Mbrojtjen e Popullit, OZNA, Boljkovac u akuza për vrasjen e 21 civilëve në maj dhe qershor të vitit 1945 në Duga Resa, një qytet në qënder të Kroacisë.
Boljkovaci e deklaroi veten jo fajtor, duke pretenduar se ai nuk kishte juridiksion mbi rajonin e policisë. Në maj ai u lirua, meqë nuk u paraqit asnjë dokument zyrtar apo dëshmitar i drejtpërdrejtë për të treguar përfshirjen e tij. Ai vdiq në nëntor në moshën 94 vjeçare.
Marëdhëniet Kroaci-Serbi përkeqësohen
Viti 2014 ishte viti kur marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë bën një tjetër hap të madh mbrapa, duke filluar nga marsi, kur dy vendet paditën njëri-tjetrin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid të supozuar.
Zagrebi i ngriti akuzat për genocid në vitin 1999, duke cituar krime të dyshuara kundër kroatëve midis viteve 1991 dhe 1995, ndërsa Beogradi u përgjigj me një tjetër kundër padi në vitin 2010, duke u përqendruar në krimet e dyshuara të kryera kundër civilëve serbë gjatë operacionit “Stuhia”, një operacion ushtarat kroat, si edhe pas luftës.
Gjatë seancave dëgjimore, Kroacia u përpoq të vërtetonte një fushatë të koordinuar vrasjesh, torturash dhe dëbim të kroatëve nga forcat serbe në vitin 1991, ndërsa Serbia argumentoi se Kroacia kreu krime masive lufte gjatë dhe pas operacionit “Stuhia”, duke kontribuuar në dëbimin e 200,000 serbëve nga vendi.
Beogradi i refuzoi akuzat e Zagrebit, duke thënë se Serbia s’mund të ishte përgjegjëse për atë që ndodhi ndërsa Jugosllavia e vjetër ekzistonte ende (deri në prill 1992).
Avokatët kroatë u përgjigjën se pretendimet e Serbisë nuk mbështeteshin nga verdikte në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë, duke theksuar shfajësimet për krime lufte të gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markac në vitin 2012.
Një thellim i mëtejshëm i hendekut midis dy vendeve erdhi në nëntor, kur i pandehuri serb për krime lufte Vojisllav Sheshel u lirua përkohësisht nga Gjykata e Hagës për të marrë trajtime mjekësore.
Pas kthimit të tij në Beograd, Shesheli rinisi retorikat e tij të famshme nacionaliste. Kur ai iu referua rrëzimit të dhunshëm të qytetit kroat të Vukovarit ndaj forcave të Beogradit si “çlirim”, politikanët në Zagreb u zemëruan shumë.
Presidenti kroat Ivo Josipoviç i shkroi një letër Theodor Meronit, presidentit të Gjykatës së Hagës, duke e dënuar vendimin për të liruar Sheshelin, ndërsa Ministri i Drejtësisë Orsat Miljenic kërcënoi se do të bllokonte bisedimet e Serbisë për të hyrë në Bashkimin Evropian nëse Beograd nuk distancohej nga Shesheli dhe nëse nuk ndiqte penalisht krimet e luftës.
Grindja u thellua edhe më shumë kur kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se një rezolutë e miratuar nga Parlamenti Evropian e cila dënon retorikën e Sheshelit ishte “anti-serbe”. Kryeministri kroat Zoran Milanovic atëherë anuloi një vizitë në një samit ekonomik të profilit të lartë në Beograd në dhjetor, duke i ngrirë marrëdhëniet politike midis dy vendeve.
Veteranët marshojnë në skenën politike
Veteranët e “Luftës së Atdheut”, kështu quhet në Kroaci konflikti i viteve 1991-1995, vazhduan të tregonin në vitin 2014 se ata mbeten një forcë e rëndësishme në vend.
Gjatë vitit, një grup veteranësh të quajtur “Shtabi Qendror i Mbrojtjes së Vukovarit Kroat” vazhdoi fushatën e tij kundër futjes për përdorim zyrtarë të dy gjuhëve kroate dhe serbe në zona me minoritete të mëdha serbe, si për shembull në Vukovar.
Në dy muajt e fundit të vitit 2013, pas një sërë demonstratash, Shtabi Qendror mblodhi rreth 526,000 firma për të nisur një referendum për ndryshimin e ligjit kushtetues për minoritetet, një lëvizje që synonte të ndalonte futjen zyrtare të gjuhës serbe.
Në korrik të vitit 2014, parlamenti e dërgoi nismën për referendum në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi se një votim i tillë do të ishte jokushtetues, sepse dëmtonte të drejtat e minoriteteve.
Ushtarët nga lufta e viteve 1990 u vendosën përsëri në qendër të vëmendjes në fund të tetorit, kur disa prej tyre nisën një protestë para Ministrisë së Veteranëve të Luftës në Zagreb.
Protestuesit, e udhëhequr nga veteranët invalidë, u ankuan se të drejtat e tyre po reduktoheshin dhe se ata nuk merrnin respekt nga qeveria për rolin e tyre në luftën e viteve 1990.
Ata kërkuan dorëheqjen e Ministrit të Veteranëve të Luftës Predrag Matic dhe ekipit të tij për miratimin e një ligji kushtetues për veteranët e luftës për të siguruar të drejtat e tyre.
Protesta pa ndalim jashtë ministrisë u mbuluan nga një tragjedi: një protestuese invalide vdiq. Dyshohet nga asfiksimi. Ndërsa një tjetër i vuri flakën vetes.
Por pavarësisht faktit se politikanët e rangut të lartë si Josipoviç shkuan të vizitonin protestuesit dhe bisedonin me ta, kërkesat e tyre mbetën të paplotësuara dhe ministri i veteranëve nuk u shkarkua nga posti i tij.